LAJMI I FUNDIT:

Sa lindje me operacion mund të ketë një grua?

Sa lindje me operacion mund të ketë një grua?

Ka shumë kundërshti sa i përket mënyrës se si duhet të lindë një grua. Ndonjëherë diskutimi bëhet në mënyrë aq të çuditshme, sa që një grua shtatzënë mund të ndihet e turpëruar, madje edhe fajtore se përse ajo nuk mund të lindë ashtu siç i thonë të tjerët. Në fund të fundit, a është dikush që e do më shumë se gruaja shtatzënë beben e vet që e ka brenda saj?

Ass. dr. Memli Morina, mr. sci
gjinekolog – obstetër

Disa gra lindin në mënyrë natyrale, kurse disa gra tjera lindin me prerje Cezariane. Secila bebe vjen në këtë botë në mënyrë të ndryshme.


Disa gra vendosin që të lindin me operacion pa ndonjë arsye mjekësore – ato thjesht preferojnë që të lindin në atë mënyrë. Fundja, gjëja kryesore është që nëna e ardhshme dhe bebja të jenë mirë dhe të shëndetshëm.

Gratë e njohura të cilat kanë lindur në mënyrë natyrale janë: Dukesha e Cambridge, bashkëshortja e Princit William, Pamela Anderson, Cindy Crawford, Demi Moore, Jessica Alba, Alanis Morissette, Miranda Kerr, Nelly Furtado, Kourtney Kardashian etj.

Kohëve të fundit gjithnjë e më shpesh gratë vendosin që të lindin me prerje Cezariane. Ndonjëherë me indikacion mjekësor, por ndonjëherë edhe më dëshirën e tyre.

Nuk ka studime të mjaftueshme të cilat japin të dhëna se sa është numri maksimal i lindjeve me prerje Cezariane që mund të ketë një grua. Secila lindje e ardhshme me operacion është më e komplikuar se operacioni paraprak.

Përgjithësisht, një grua është e sigurt që të kryejë deri në tri lindje me prerje Cezariane.

Problemet të cilat lidhen me lindjet e shumta me operacion janë: dobësimi i murit të mitrës (në vendin ku është prerë mitra), problemet me placentën e cila mund të ngjitet më thellë në murin e mitrës (placenta accreta) ose nëse placenta e mbulon pjesërisht ose krejtësisht kanalin e lindjes (placenta praevia), dëmtimi i fshikëzës së urinës dhe gjakderdhja e shtuar nga mitra.

Lindjet i kanë pasur me operacion: Victoria Beckham (ka lindur katër herë me prerje Cezariane), Angelina Jolie (ka lindur me operacion vajzën dhe binjakët në lindjen e dytë), Christina Aguilera, Kate Winslet, Jennifer Lopez (ka lindur dy herë me operacion), Kate Hudson, Pink etj. /Telegrafi/