LAJMI I FUNDIT:

Rritje ekonomike deri 4%?

Rritje ekonomike deri 4%?

Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) kanë dhënë vlerësime të ndryshme rreth rritjes ekonomike për këtë vit. Ministri i Zhvillimit Ekonomik (MZHE), Besim Beqaj, ka deklaruar se projeksionet makroekonomike të Qeverisë së Kosovës nëpërmjet Ministrisë së Financave (MF) kanë qenë më të mëdha në bazë të buxhetit, i cili është aprovuar në Kuvend dhe janë mbi 4 për qind.

“FMN-ja ka gjithmonë një politikë më konservative në paraqitjen e planeve të veta ekonomike. FMN-ja na ka dërguar një mesazh shumë të qartë për shtetin, për qytetarët si dhe për institucionet. Kosova është një ndër vendet e rralla, e cila ka rritje të tillë ekonomike, që ka stabilitet makroekonomik, ka respektim të normave të planifikimeve ekonomike, si dhe ka realizim të plotë të të hyrave të parapara”, ka thënë ai.

Sipas tij, jo shumë vende sot, as në Evropë e as më gjerë, nuk kanë vlerësime të tilla të FMN-së. “Kjo nuk do të na bëjë asnjëherë që ne të kënaqemi me këtë arritje sepse Kosova ka nevojë për rritje ekonomike shumë më të madhe. Ne jemi duke punuar për çdo ditë që të krijojmë hapësirë dhe që të kemi investime më shumë, punësime më shumë dhe rritje ekonomike më shumë, sepse këtë e meritojnë qytetarët. Duhet ta kemi parasysh edhe vlerësimin e FMN-së dhe të BB-së që kanë vlerësuar se Kosova në dy vjetët e fundit po bëhet model i një disipline financiare, projekteve zhvillimore, shpenzime afër 40 për qind të buxhetit për investime kapitale në shtet, si dhe për ruajtje të fuqisë blerëse”, ka potencuar Beqaj.


Ndërkaq kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, ka vlerësuar se Kosova në vitet e fundit ka pasur trend pozitiv. “Edhe pse në vendet e tjera ka pasur krizë ekonomike, në Kosovë ka pasur rritje, por Kosova duhet ta bëjë një plan, sepse po i mungojnë investimet e huaja. Kosova nëse i shfrytëzon të gjitha resurset dhe nëse ka një revolucion të reformave ekonomike, atëherë do të kemi një tejkalim të planeve si të Qeverisë ashtu edhe të FMN-së”, është shprehur Shahini.

Kurse profesori në Fakultetin Ekonomik, Gazmend Qorraj, ka vlerësuar se është normale që Qeveria e Kosovës të parashikojë rritje më të madhe ekonomike, gjë që e bën për shkaqe politike dhe tenton të parashikojë rritje sipas një skenari optimist. “Problemi nuk qëndron shumë se kush çfarë planifikon, por më shumë në aspektin përmbajtjesor, se nga cili burim Kosova pret rritjen ekonomike, duke e marrë parasysh se edhe sivjet nuk pritet ndonjë përmirësim të bilancit tregtar të Kosovës, si pasojë e mungesës së aftësive konkurruese të Kosovës”, theksoi Qorraj. /Epoka e Re/Telegrafi/