LAJMI I FUNDIT:

Rrëfimi i ndërtimtarit të Prishtinës

Nuk ka rëndësi emri i personazhit të këtij rrëfimi por përjetimi i tij i pakëndshëm dhe puna, të cilën thotë se nuk e bëri me zemër shumë herë, mu pse nuk u pajtua kurrë me uzurpimin e rrugëve e trotuareve sa herë vendosi themele të reja ndërtimi në qytetin ku kish vendosur të jetojë.

Një jetë të tërë, një mjeshtër ndërtimi e ka bërë në Prishtinë. Nuk ka rrugë a lagje të këtij vendbanimi që nuk ka punuar ai. Rrëfimi i tij për Prishtinën është krejt i veçantë, por me interes edhe për kohën në të cilën jetojmë.

Ai ka vendosur themele shtëpish, në Velani, në Emshir, në Dragodan, në Dardani, në Tasligje, në Lagjen e Spitalit, por edhe në Kodrën e Trimave në “ Vranjevc”.

Mjeshtrit të sinqertë përherë i bënte përshtypje vendosja e themeleve të një shtëpie të re, gjë që realisht është gëzim për cilëndo familje.

Çka e shtyri mjeshtrin për të qenë protagonist i këtij rrëfimi?

Për 25 vjet të pune së tij si mjeshtër ai kishte vënë re një dukuri verbuese të njerëzve tanë. Sa themele e shtëpish kish vendosur mbi trotuar, brenda hapësirës së parkut të qytetit apo të truallit të destinuar për shkollë apo çerdhe fëmijësh. Edhe atje ku nuk kishte edhe një centimetër hapësirë, krijoheshin, siç thotë ai, xhepa të panevojshëm që ia prishnin krejt pamjen edhe shtëpisë që po ndërtohej. Rrëfen ai për shtëpitë që kishte ndërtuar në skajet e lagjes së Velanisë. Themelet e tyre ishin vendosur jashtë pronës dhe gurët kufizues të parkut të afërm kishin mbetur në mes të shtëpisë. Kishte kërkuar një pronar nga mjeshtri që të vendos shtylla betoni edhe në mes të rrugës, gjë që mjeshtri nuk e kishte pranuar, megjithëse kishte nevojë për punë.

Zemra i ligështohej shumë herë, kur kundër shpirtit të tij të njeriut kishte vendosur themelet e një shtëpie në trotuar. Kështu kërkonte pronari , rrëfen me keqardhje mjeshtri. Ta shënosh rrëfimin tim për përvojën time të mjeshtrit duhen shumë libra dhe letër e durim thotë ai.

Pastaj mjeshtri edhe vetë shtron pyetjen: A mund të kemi qytet që nuk na nervozon për çdo ditë e çdo çast. Çka jemi duke i bërë Prishtinës? Po me thuaj ti o gazetar si të përshkruaj ndjenjat e mija në ato raste. Për këso uzurpimesh ka dokumente sa të duash, vetëm pyesni ndërgjegjen tuaj. Ka ndërtuar shtëpi ky mjeshtri, edhe në Lagjen Kodra e trimave “Vranjevc”.Rrëfen me dhembje se si në një nga rrugët e kësaj lagjeje kishte ngritur themele të reja krejt në rrugë dhe pastaj shpjegon se si pronari i shtëpisë humbiste tërë ditën duke ngarë veturën poshtë e lartë, ngase nuk kishte hapësirë për ta parkuar as makinën e vetë, para dere. Kjo është jetë plotë nervozë, i thoshte vetë vetës mjeshtri dhe vazhdonte të kryente punën për të cilën ishte paguar dhe asnjëherë nuk e kishte bërë me zemër.

Po na vetë po e vrasim qytetin, civilizimin dhe të ardhmen e fëmijëve tanë, thotë me dhembje ai.

I ke dëgjuar njerëzit tanë kur ankohen se me rastin e reshjeve të borës a shiut. Bllokohemi brenda pak minutash. Po si nuk të hynë uji brenda, kur shtëpinë e ke mbaruar mbi shtratin e lumit a të ndonjë përroske. Me këtë problemi Prishtina ballafaqohet, sa herë bie qoftë një rigë shiu a flluskë bore.

Atje në lagjen e Spitalit ka qenë një përrua dikur. Andej ka rrjedhë pak ujë përherë. Sot kur fillon shiu apo bora, banorëve të atjeshëm menjë herë u shkakton trishtim.

Kushdo që do ta lexoj këtë shkrim le ta pyes së pari vetën se sa i ka kontribuar vetë degradimit të qytetit. Shikoni lagjet e reja me shtëpi të vendosura pa asnjë plan. Çdo shtëpi është e bukur, por e vendosur pa asnjë kriter dhe plan. Vetëm paramendojeni ato shtëpi aq të bukura sikur të ishin ndërtuar me plan. Mos e pyetni mjeshtrin e këtij rrëfimi thotë ai .Pyeteni vetën sa hapësirë keni liruar për rrugë a trotuar.

Ka ndërtua shtëpi mjeshtri edhe në hapësirën pas fakultetit teknik. Ai rrëfen se si një pasanik uzurpoi shumë metra katror trotuar pa e bre aspak ndërgjegjja, megjithëse e shihnin të gjithë fqinjët dhe kalimtarët e rastit. Ai kishte mjaft truall për ndërtim. Afër tij, një doktor uzurpoi disa ari tokë të parapara për çerdhe fëmijësh dikur. Bile e patën vizituar edhe inspektorët komunal dhe ia patën ndërprerë pak punën. Më vonë hapësira përfundoi brenda oborrit të doktorit.

Kishte rast mjeshtri të ndërtojë shtëpi për dy vëllezër diku afër fabrikës së tullave në Prishtinë. Njëri vëlla ndërtoi shtëpi katërkatërshe. Mjeshtri i këtij rrëfimi shpjegon se si mori përsipër ndërtimin e shtëpisë së vëllait tjetër. Pasi ndërtoi katër kate, pronari i ri po i thotë se duhet ngritur edhe një kat. A nuk të mjaftojnë katër kate i tha mjeshtri. Nuk kishte vullnet për një ndërtim të tillë. Por, pronari i shtëpisë së re vendosë. Po pse pesë kate, i tha mjeshtri. Me të tregua drejt, i tha pronari, jo pse me duhet, por për inat të këtij vëllait fqinjë. Pasi vëllai ndërtoi shtëpi katër katesh, unë dua pesëkatëshe.

Kështu rrëfen mjeshtri i Prishtinës dhe asnjëherë nuk shfaq ndonjë gëzim pse nuk ka mbetur pa punë asnjëherë.

Mjeshtri ka edhe shumë shembuj të rëndë ku kishte vendosur themele.

Më duhet të them, vazhdon ai, se si gjatë gjithë përvojës sime, vetëm një herë kam pasur rast të punojë me zemër.

Atje në lagjen Emshir, dihet se gjithçka është ndërtuar pa asnjë plan dhe kriter. Atje ekziston edhe një rrugë e ngushtë me shtëpi të bukura, por pa plan. Nëse rastisë me makinë andej, duhet t’i lutesh Zotit të mos dali askush para, pasi që do të ngelesh aty ku je.

Aty, diku në lagjen Emshir, për habi të mjeshtri t të këtij rrëfimi, pa me sy se si një qytetar liron hapësirë për rrugë. Është rast i rrallë thotë ai. Ndoshta është rasti i vetëm ku pronari kërkoi nga mjeshtri që shtëpia të vendoset në distancë të nevojshme nga rruga. Bile pronari me emrin Imer i kishte thënë mjeshtrit se do të lë hapësirë për rrugë hiq më pak se dy metra në gjithë gjerësinë e truallit. Aty në atë rrugë edhe sot mund të shkoni dhe të shihni se si toleranca e një njeriu, la hapësirë për një oazë ku mund të kthehesh me makinë dhe nuk mbetesh i bllokuar. I pat lutur ai edhe fqinjët, të gjithë që të bëjnë të njëjtën gjë. Asnjëri nga shumë fqinjët e Imerit nuk pranoi të lëshojë qoftë edhe një centimetër për rrugë e cila u shërben të gjithëve.

Sot, për ketë mund të bindet kushdo që kalon andej dhe të kthej makinën aty para shtëpisë së Imerit.

Tash, aty edhe i biri i Imerit, Sherifi, në truallin tjetër përball ka liruar edhe më shumë hapësirë për rrugë. Aty në atë oazë, fortë të vetme, sot kthejnë makinat e tyre gjithë fqinjët e Imerit e të Sherifit, por atyre duket se asnjëherë nuk u shkon mendja se para shtëpisë së vetë nuk mund të kthehen as me biçikletë.

Mjeshtri, me rrëfimin e tij të kthen edhe në rrugën e Vellushës, në qendër të Prishtinës. Nëse nuk me beson, thotë ai, vetëm shih kah ecin këmbësoret. S’ka trotuar as rrugë të hairit. Në fillim të rrugës, fill mbi Teatrin Kombëtar, e sheh se si një lokal i cili ka pasur pak trotuar e ka uzurpuar atë dhe me një shkallë ka zënë vend brenda kufijve të rrugës së asfaltuar. Mjeshtri nuk do të bëhet i tepërt, por rrëfen me shembuj dhe shton se derisa secili nga ne nuk e sheh se ku e ka vendosur pragun e derës së vetë, nuk do të duhej të ketë të drejtë as ta hap gojën për atë që po ngjanë, këtu në Prishtinën tonë.

Se çka po ndodhë me ndërtimet e mëdha në Prishtinë, sot po na shohin të gjithë. Të jeni të sigurt së vetvetes po ia shkurtojmë jetën, vazhdon mjeshtri.

Fatkeqësia bëhet më e madhe kur uzurpojnë rrugë e trotuare po ata njerëz që kanë shëtitur Evropën dhe në ndeja rasti lëvdohen se çka kanë parë e nuk e shohin atë që po ia punojnë vetës dhe qytetit të tyre.

Vizitoni çdo lagje të Prishtinës sonë dhe pyetni sinqerisht secilin pronar shtëpie se sa centimetra trotuar a rrugë ka liruar. Shkoni e shikoni se si shumica e dyerve të po këtyre njerëzve hapen mbrapsht andej në rrugë. Shikoni si janë ndërtuar shkallë të panumërta në trotuare e hapësira publike. Nëse janë bërë njëmijë ndërtime pa leje mund të kesh parë të jetë rrënuar një objekt i vogël i një njeriu që nuk ka pasur të njohshëm. Kështu nuk nderohet qyteti, thotë mjeshtri. Ai nuk ia fal as vetvetes pse ka kryer punë pa asnjë leje dhe pa asnjë kriter, megjithëse kishte nevojë për punë dhe për bukën e gojës.