LAJMI I FUNDIT:

Roli i qeverisë në ndërkombëtarizimin e ndërmarrjeve kosovare

Në situatat normale, ku tregu i lirë është funksional, dhe sidomos në ekonomitë e zhvilluara, ndërhyrja e shtetit në ekonomi shihet si qasje negative ndaj koncepteve të ekonomisë, përveç mbështetjes me infrastrukturë ligjore gjë që edhe ashtu e ka për obligim. Mirëpo, në ekonominë kosovare, përkatësisht në ndërmarrjet e vendit me ekonomi të pazhvilluar dhe në stadin kur mendohet të hartohen strategji për hyrje në tregjet e huaja, prezenca e ndikimit të shtetit duhet të jetë e theksuar.

Qeveria e vendit, përmes politikës së zhvillimit të vendit ose të krijimit të strategjive për mbështetjen e zhvillimit të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, mund të ndikojë në rritjen e eksportit dhe ndryshimin e bilancit negativ tregtar në pozitiv. Bilanci tregtar i vendit është negativ andaj edhe GDP-ja nuk shënon rritje e si rezultat standardi i jetës në vend është shumë i ultë.

Nisur nga kjo, Qeveria duhet të krijoj rrethana të favorshme për zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, duke funksionalizuar ofertën dhe kërkesën duke u bazuar në konkurrencën e lirë.

Në Kosovë mund të zhvillohet marketingu eksportues, përkatësisht eksporti konsorcional, i cili ekonomisë do t’i sjell zhvillim dhe me këtë do të arsyetoheshin investimet e qeverisë në infrastrukturë në përgjithësi dhe në mbështetje për ndërmarrjet, pasi që këto investime dhe ky zhvillim do prekte pozitivisht edhe standardin e jetës, punësimin dhe arsimimin e qytetarëve.

Një nga mënyrat për të filluar ose zgjeruar aktivitetet e eksportit, është shfaqja tregtare jashtë vendit. Eksporti që karakterizon vendin është eksporti i lëndëve të para, andaj Qeveria mund të krijojë kushte që përmes subvencioneve, uljes së kamatave për kredi (në mënyrë indirekte) dhe ndihmave tjera që do përfitonin ndërmarrjet, këto të fundit të akumulonin kapital të mjaftueshëm për të përmirësuar teknologjinë, cilësinë e produktit dhe të kalojnë nga eksportues të lëndëve të para, në eksportues të produkteve të industrisë përpunuese dhe produkteve tjera .

Mundësitë që ndërmarrjet kosovare të penetrojnë në tregjet e huaja ekzistojnë, veçse duhet përshtatur strategji dhe krijuar të reja varësisht nga situatat.

Ekonomia kosovare, për të pasur kyçje të suksesshme dhe konsistente në këto procese, duhet të fillojë të industrializohet. Këtë mund ta bëjë edhe duke u bazuar në burimet natyrore dhe njerëzore, që janë dy përparësi shumë të rëndësishme në këtë rrugëtim.
.