0Shares

Ndërsa farmacistët komunitar, normalisht punojnë në një barnatore, një farmacist klinik punon direkt me profesionistët mjekësor në shërbim të pacientëve, zakonisht në një qendër mjekësore të kujdesit shëndetësor apo spital.

Visar Emini, mr.sc.
Farmacist Klinik
tel. +37744291815

Farmacisti klinik duhet të ketë një diplomë të farmacisë, shkollimin specialistik përkatës dhe duhet të jetë i licencuar në shtetin në të cilin ai punon.

Farmacistët klinik duhet të punojnë bashkarisht me mjekët, profesionistët e tjerë shëndetësorë, dhe në komunikim të vazhdueshëm me pacientët për të siguruar që barnat e përshkruara të kontribuojnë në të mirë të rezultateve shëndetësore.

Farmacisti klinik duke vlerësuar problemet dhe statusin shëndetësor të pacientit, duhet të përcaktojë nëse barnat e përshkruara janë efektive për plotësimin e nevojave dhe qëllimeve të kujdesit ndaj pacientit.

Ai gjithashtu, duke vlerësuar përshtatshmërinë dhe efektivitetin e barnave të pacientit, duhet të njohë problemet shëndetësore që mund të përmirësohen ose të zgjidhen me terapinë e duhur të barnave. Ai duhet të ndjek në vazhdimësi përparimin e pacientit për të përcaktuar efektet e barnave.

Farmacisti klinik duhet të konsultohet me mjekët e pacientit dhe ofruesit tjerë të kujdesit shëndetësor në përzgjedhjen e terapisë së barnave në mënyrë që të plotësohen më mirë nevojat e pacientit dhe të kontribohet efektivisht për qëllimet e përgjithshme të terapisë. Gjithashtu, ai këshillon pacientin për mënyrën dhe rrugën më të mire të marrjes së barnave.

Farmacisti klinik duhet të mbështesë përpjekjet e ekipit të kujdesit shëndetësor për të edukuar pacientin në hapa të tjerë të rëndësishëm për të përmirësuar ose ruajtur shëndetin, të tilla si ushtrime, dietë dhe hapa parandalues si imunizimi.

Ai referon pacientin për mjek apo profesionistë tjerë shëndetësorë për të trajtuar sëmundje specifike, ose për të kërkuar shërbime për shqetësimet sociale ose ato të lindura.

Nevoja për shërbimet e farmacistit klinik në institucionet shëndetësore, vazhdimisht po bëhet më e madhe dhe më e domosdoshme.

Numri i pacientëve të diagnostikuar me diabet mellitus në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është rritur në proporcione epidemike. Kjo normë rritje është ndoshta për shkak se në SHBA, obeziteti është mjaft i shprehur dhe popullsia është në plakje e sipër.

Diabeti karakterizohet nga shumë komplikime afatgjata, përfshirë ato kardiovaskulare, retinopatia, neuropatia, dhe nefropatia. Sëmundje kardiovaskulare janë shkaku kryesor i vdekjeve në mesin e pacientëve me diabet dhe diabetit është shkaku kryesor i verbërisë.

Për këto dhe shumë arsye tjera, SHBA dhe shtetet e zhvilluara kanë involvuar farmacistin klinik në menaxhimin e diabetit në klinikat ku trajtohen diabetikët.

Trajtimi i suksesshëm i diabetit kërkon vëmendje për kontrollin glikemik dhe strategjitë e ndryshme afatgjata për parandalimin e komplikimeve. Për një trajtim të tillë shpesh kërkohet kohë të cilën, mjekët jo gjithmonë ia kushtojnë pacientëve diabetikë.

Historikisht, kontrolli glikemik dhe respektimi i udhëzimeve të ADA-s (American Diabetes Association) nuk kanë qenë optimale në kujdesin parësor gjatë trajtimit të diabetit në SHBA.

Modelet e menaxhimit për trajtimin e diabetit janë hulumtuar dhe ka pasur përpjekje për të përmirësuar kujdesin e përgjithshëm për pacientët me një kost-efektivitet sa më të mirë.

Një qasje ndërdisiplinore për menaxhimin e diabetit që mund të implementohet edhe tek ne në QKUK është inkuadrimi në ekipin që kujdeset për pacietët diabetikë të infermierëve, nutricionistëve-dietetistëve si dhe roli i patjetërsueshëm i farmacistit klinik si edukatorë për menaxhimin e terapisë. Kjo lejon një kontakt më të gjatë të pacientit me stafin mjekësorë, sidomos me farmacistin klinik se sa vetëm të mjekut me pacientin.

Nga një bashkëpunim endokrinolog-farmacist në SHBA ka rezultuar si një model praktik i suksesshëm dhe me rënie të shpenzimeve gjatë trajtimit të pacientëve me diabet kur dihet se SHBA shpenzon miliona dollarë në vit për trajtimin e pacientëve me diabet.

Këto shërbime do të ndikonin në rritjen e efikasitetit dhe të sigurisë së terapisë, respektivisht në racionalizimin e terapisë.

Në këtë mënyrë, rezultatet klinike për pacientët me diabet do të ishin më të mira, komplikimet nga ndërveprimet e barnave, më të ralla dhe në fund edhe shpenzimet materiale për trajtimin e diabetikëve do të ishin më të vogla. /Telegrafi/

Të Ngjajshme
Shfaq Komentet (0)