0Shares

Diskrepancat mes idealeve për liri dhe burokracisë, eskapizmit dhe realitetit, të pasurve dhe të varfërve, bënë që rinia të kundërshtoj gjeneratat e vjetra, duke krijuar kundërkulturën, si opozitë e definicionit të vlerave të klasës së mesme amerikane. Rinia nis të sfidojë institucionet, barrierat politike dhe ekonomike, diskriminimin racor dhe gjinor. Përmes një ëndrre utopike, ata synuan ta barazonin individin me institucion. Ndikimet e kësaj lëvizje, që shpërthen në Haight Ashbury të San Franciskos, sot i ke kudo…

Agron Shala

Kur filluan të gjashtëdhjetat?

Përgjigja është e lehtë nëse trajtohet në aspektin kalendarik. Por, të gjashtëdhjetat nuk paraqesin vetëm një dekadë të shekullit XX, po një revolucion që i dha formë tjetër botës.

Disa thonë se të gjashtëdhjetat filluan me refuzimin e vendimeve racore në një shkollë të Karolinës Veriore (1960). Të tjerët e lidhin me formimin e Organizatës Studentore për Shoqëri Demokratike (1962), vrasjen e presidentit Kennedy (1963), demonstratat studentore për liri të të shprehurit (1964)…

Askush nuk e di saktë, po një gjë është e sigurt: një frustrim i akumuluar, shpërthen në janar të vitit 1966 – e kulminon më 1967 – në të ashtuquajturën lëvizje hipi. Në Haight Ashbury të San Franciskos përzihen radikalët, të braktisurit, artistët, bitnikët, mistikët, rebelët, rokerët… të cilët do ta tronditin Amerikën – e më vonë edhe Evropën Perëndimore – në një eksperiment të madh politik, shoqëror dhe kulturor, pasojat pozitive dhe negative të të cilit edhe sot vërehen.

Frustrimi…

Amerikanët e kanë definuar gjithnjë veten si komb, por në këtë komb të ri vazhdimisht kanë ndikuar dy forca të kundërta: ajo e diversitetit dhe ajo e unifikimit kulturor. Përkundër migracioneve të shumta, elitën politike amerikane e karakterizonte konservatorizmi, ruajtja e traditës dhe refuzimi i elementeve të reja.

Kjo binte ndesh me parimet universale të shoqërisë amerikane. Një popull revolucionar, një shtet i krijuar me revolucion, papritmas shndërrohet në shoqëri konservatore. Themeluesit e shtetit amerikan mendonin se gjeneratat e ardhshme do të shtyjnë para idealet e tyre, por këto parime pasardhësit i etabluan si monumente që nuk duhet të modifikohen.

Nga Lufta e Dytë Botërore, Amerika nuk del vetëm si superfuqi ushtarake, por edhe ekonomike. Me 6 për qind të popullatës në botë, ajo krijonte gjysmën e të mirave materiale botërore. Nataliteti u rrit për 19 për qind nga viti 1945 në vitin 1946, dhe për 12 për qind tjera në vitin e ardhshëm. Më shumë foshnje kanë lindur në vitet 1948-53, se gjatë tërë 30 viteve të mëparshme. Çiftet martoheshin të rinj, lindnin herët fëmijë, dhe jetonin më mirë se të gjitha gjeneratat e mëparshme.

Por, këtë nuk e dinin gjeneratat e pasluftës. Ajo që shihnin ata ishte një izolim urban, frikë nga komunizmi dhe holokausti atomik. Pastaj ishte edukimi strikt sipas stereotipeve dhe klisheve të instaluara nga gjeneratat e vjetra të klasës së mesme dhe elita ushtarake – gjeneralët me pesë yje – që pas luftës dominonin politikën amerikane dhe impononin konformizëm dhe bindje.

Në vitin 1946, pediatri Benjamin Spock, boton bestsellerin “Foshnja dhe përkujdesja për fëmijën”. Me këtë libër u rritën gjeneratat e pasluftës në Amerikë. Në moshën 65-vjeçare, Spock i bashkohet lëvizjes hipi. “Ata janë produkt edhe i veprës dhe punës sime”, thoshte ai.

Spock ishte i vetëdijshëm për konfuzionin në të cilin kjo rini ka jetuar, për diskrepancat mes pavarësisë individuale dhe shablloneve morale, idealeve për liri dhe eskapizmit, e dallimeve sociale dhe racore, që do të shpërthejnë në të gjashtëdhjetat.

“Si Baba, si Djali, si Ferri”, ishte një nga motot e rinisë së kësaj kohe.

Në këtë dekadë, më shumë se kurrë rinia kundërshton gjeneratat e vjetra, duke krijuar madje kundërkulturën, si opozitë të definicionit të vlerave të klasës së mesme amerikane. Rinia fillon të sfidojë institucionet, barrierat politike dhe ekonomike, luftën në Vietnam – e me të edhe parimet amerikane për liri universale – diskriminimin racor dhe gjinor.

Tarzan, Jane & Cheetah!

Haight Ashbury ishte si një republikë autonome psikodelike, me një mënyrë krejt tjetër të jetesës, me kulturë, gazeta dhe shërbimet unikate publike. Banorët e këtij qytet-shteti mendonin se këtu zëvendësohet konformizmi me kreativet, represioni me liri emocionale dhe seksuale, lufta me dashuri dhe paqe.

Ata mendonin të mundshmen, dhe rruga drejtë të mundshmes – pos Rock’n’Roll-it – ishte droga dhe seksi: haptas, kudo dhe me këdo. Këtu nuk vlente kontrata martesore, sepse lumturia individuale ishte kryesorja.

Të gjitha rrugët më 1967 çonin në San Francisko. Aty gjenin strehim njerëzit që donin të iknin nga problemet. Dhe, njerëzit e tillë u bën atraksion publik. Më 1967, linjat e autobusit organizonin turne nëpër Haight Ashbury, në një safari psikodelik, për të parë ata që konservativi Ronald Reagan i quante: “Burra që vishen si Tarzan, me flokët si Jane, dhe me kutërbim si Cheetah”.

Analizimi i lëvizjes vetëm nga ky këndvështrim, e cilëson këtë dekadë si burim të degjenerimit moral, pasojat e të cilit vërehen çdo ditë e më shumë me shkurorëzime, devijime seksuale, dhe abuzime me drogë.

Në vitin 1981, zonja e parë e Amerikës, Nancy Reagan, thotë se të gjashtëdhjetat ishin vitet më të këqija për të lindur fëmijë. “Sepse, ata do t’i nënshtroheshin gjithë atij tmerri?”, mendonte ajo.

Etiketimet e tilla mund të jenë të vërteta. Revolucionin seksual dëshmoi se më 1976 numri i shkurorëzimeve ishte 50 për qind më i lartë seç ishte më 1968. Ndërsa, një sondazh i vitit 1979, tregonte se 70 për qind e njerëzve të moshës 18-35 vjeç, kanë marrë droga ilegale.

Devijimet e tilla bënë që më 6 tetor 1967, vargani me një arkivol me lule, të përshkojë rrugët në Haight Ashbury. Ngjarja u quajt: vdekja e hipive. Ëndrra utopike u shkatërrua nga tejdoza me drogë. Lëvizja kërkonte alternativa tjera – në muzikë dhe në filozofinë lindore.

The Beatles, konsumuesit e dikurshëm të LSD-së, flasin për ndërgjegjen kozmike të cilën ata e gjejnë tek guruja Maharishi Mahesh Yogi. Hipikët tash ishin në revoltë kundër arsyes, sepse ajo sipas tyre ishte shkaktare e të gjitha të këqijave. Për zgjidhje kërkonin inspirime të reja, dhe kjo ua hapte dyert për infiltrim skizofrenëve e mistikëve të sekteve satanike.

Të tjerët iknin në fshatra, me bindjen se nga natyra njeriu nuk mund të korruptohet. Aty ata zëvendësuan industrialen me bujqësoren, plastikën me natyralen, sintentikën me organiken. Jetonin në komuna, si të krishterët e parë dhe sipas parimeve të tyre. Të gjithë punonin. Të gjithë bashkëpunonin.

Social antropologu Jentri Anders, vëren se banorët e komunave të kundërkulturës ishin më të afta për të hulumtuar potencialet njerëzore, veten dhe lirinë individuale. Sidoqoftë, ata shpejtë lodhen nga kjo jetë dhe prapë gjithçka devijohet, e në fund edhe ideologjia paqësore.

Në dhjetor 1967, formohet fraksioni Yippi, që mendon se për ndryshime pozitive duhet të përdoren edhe metodat më radikale. Ata madje mendonin se hipikët janë produkt i Qeverisë, për ta neutralizuar, përmes LSD-së, luftën e tyre.

Hapi i madh

Por, cila është e vërteta tjetër?

Efektet pozitive mund të vërehen kudo, në modë, në lëvizjet ekologjike, në ushqimin organik, teatër, kinematografi, e mbi të gjitha në muzikë.

Në vitin 1967 lindi rok-kritika dhe për herë të parë në histori muzika arrin rezultate të paimgjinuara: profit prej 100 milionë dollarësh.

Këtë vit publikohen disa nga kryeveprat e muzikës rok: Sgt. Pepper’s Lonenly Heats Club Band (The Beatles), Disraeli Gears (Cream), The Piper At The Gates Of Dawn (Pink Floyd ), The Who Sell Out (The Who), The Doors (The Doors), Surrealistic Pillow (Jefferson Airplane), Are You Experienced (The Jimi Hendrix Experience)… që dëshmojnë se muzika më nuk është profesion i njerëzve të bukur, me pedigre apo shkollim profesional. Muzika, dhe në përgjithësi arti, është produkt i të gjithë njerëzve që e duan dhe që sakrifikohen për të.

“Të gjashtëdhjetat na treguan mundësitë dhe përgjegjësitë që ne i kemi. Jo përgjigjet. Ato na drejtuan shikimin drejtë së mundshmes”, do të thotë John Lennon më vonë (ditën e vrasjes së tij).

Hipikët ishin ëndërrimtar. Shpresonin të realizonin një revolucion shpirtëror, pas të cilit të gjithë njerëzit do të jenë të lumtur dhe të barabartë. Ata proklamonin paqen, dashurinë dhe lirinë individuale, ndërsa urrenin korrupsionin, autoritetin e pushtetit politik dhe ekonomik të “Vëllait të Madh”.

Konceptin e “Vëllait të Madh” e krijon shkrimtari i njohur anglez, George Orwell. Kjo frazë – që në të vërtetë është pasqyrim i propagandës së sistemit komunist të ushtruar nga Joseph Stalin në Bashkimin Sovjetik – për lëvizjen hipi ishte realitet i shoqërisë kapitaliste perëndimore. Prandaj, nga ata merrej si imponimin i mendimeve dhe si ndalim i fjalës së lirë nga elita politike.

Idealet e tilla sot janë të etabluara në sistemin politik dhe kulturor amerikan dhe evroperëndimor.

Bill Clinton dhe Tony Blair, pjesëmarrës të kësaj lëvizjeje. janë shembull për këtë. Por, edhe Steve Jobes dhe Steve Wozniak, themeluesit e gjigantit “Apple”; Steward Brand (ideologu i internetit), pastaj Ken Kesey, Neal Cassady, Del Close etj.

Synimi i hipikëve ishte që të barazohet individi me institucion.

Ata ia dolën.

(Ky shkrim në gazeta, është botuar para 10 vitesh)

Çfarë duhet të bëjmë para se “Tigrat” të lirohen”? Çfarë duhet të bëjmë para se “Tigrat” të lirohen”?
Tullat e shoqërisë në murin mental Tullat e shoqërisë në murin mental
Diku edhe i çmenduri e i vdekuri vlejnë, e diku as i zgjuari i gjallë! Diku edhe i çmenduri e i vdekuri vlejnë, e diku as i zgjuari i gjallë!

Të Ngjajshme
Shfaq Komentet (0)