LAJMI I FUNDIT:

Rinovohet pjesa e shembur e autostradës

Rinovohet pjesa e shembur e autostradës

Autostrada e Kosovës është duke u rinovuar për shkak të një shembje që ka ndodhur në segmentin 3 kilometri i 13 dhe segmentin 5, afër fshatit Bellanicë të Malishevës. Sipas zyrtarëve të Ministrisë së Infrastrukturës rinovimi i kësaj pjese që është shembur, është pa kosto shtesë për buxhetin e Kosovës.

“Në segmentin 3 , kilometri i 13, dhe segmentin 5 afër fshatit Bellanicë, është duke u punuar në sanimin e shtresës qarkulluese të autostradës”, ka thënë për Standardin, Saranda Jusufi udhëheqëse e zyrës së informimit në Ministrinë e Infrastrukturës.

Sipas saj, sanimet e shtresës qarkulluese në segmentin 3 kanë qenë të parapara në kuadër të projektit zbatues dhe kanë ardhur si rezultat i gjeologjisë së terrenit. “Këto sanime janë të përfshira në kuadër të projekti zbatues, nuk ka kosto shtesë të buxhetit, dhe janë të parapara edhe në pjesët e tjera, por do të ndodhin në afate të ndryshme kohore”.


Saranda Jusufi ka thënë se për arsye sigurie do ketë devijim të komunikacionit, duke shfrytëzuar vetëm njërin shirit qarkullues ,në gjatësi prej 3 km. “Menaxhimi i komunikacionit do të bëhet në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës. Aktivitetet kryesore janë duke u zhvilluar në pastrimin e kanaleve, rigolave, kontrollimin e vegjetacionit dhe punët tjera rutinore”, tha ajo. /Telegrafi/