LAJMI I FUNDIT:

Rikthimi i Hygertës

Rikthimi i Hygertës

Në vitin e largët ’95, nuk kishte mënyrë tjetër për një vajzë nga rrethet të prekte televizionin. Hygerta Sako, shkoi edhe më tej; nuk mbeti thjesht një kujtim i së kaluarës së ndritshme, por krijoi një karrierë të suksesshme në televizion.

Nga Elda Laze


Në kohën kur ke marrë pjesë në Miss Albania, duhej mjaft kurajo për t’u bërë pjesë e spektaklit dhe rezultati i ekspozimit në televizion ishte një famë e menjëhershme. Tani shoh një transformim për të bërë të kundërtën e asaj që ke bërë kur more pjesë “Miss Albania”, një tërheqje dhe menaxhim i kujdesshëm i personazhit publik. Përse ky transformim?

Përgjigjja është fare e thjeshtë. Spektakli i Miss Albania ishte një trampolinë që unë e përdora pikërisht për t’u futur në botën e televizionit, të cilin unë e kisha ëndërr që e vogël. Jam rritur me televizionin Italian, dhe ëndërroja gjithmonë të bëhesha një Rafaela Carra. Në vitin e largët ’95, nuk kishte mënyrë tjetër për një vajzë nga rrethet të prekte televizionin. Ndaj unë e përdora Miss Albanian pikërisht për këtë gjë. Tashmë u bënë 20 vjet që punoj në televizion, ëndrra ime është realizuar, ushtroj një profesion që e dua shumë, dhe jo për t’u dukur apo për të qenë në qendër të vëmendjes. Puna dhe suksesi im nuk bazohet as në famë dhe as në klikime, por në vullnet dhe profesionalizëm. Nuk më pëlqen jeta publike, nuk më pëlqen vaniteti, më pëlqen jeta e qetë pranë familjes dhe miqve. Më pëlqen më shumë një pasdite e kaluar me familjen time sesa pjesëmarrja në një event, një kafe me mikeshën time të ngushtë se sa dukja nëpër emisione të ndryshme. Kjo jam unë dhe më pëlqen kështu.

Ka vite që trendi i operacioneve estetike ka hyrë në modë dhe shumë personazhe publikë kanë bërë ndërhyrje të tilla. Ti ke zgjedhur të mos bësh asnjë ndërhyrje estetike edhe pse vitet ikin dhe mosha kalon. Pse ke bërë një zgjedhje të tillë?

E kam bërë me vetëdije, jo se mendoj se jam perfekte, përkundrazi ka plot gjëra që nuk më pëlqejnë te vetja. Por unë mendoj se pikërisht imperfeksioni e bën të bukur dhe të veçantë njeriun. Nuk dua të dal në pasqyrë dhe të shoh tjetër njeri, dua të shoh vetveten. Nuk paragjykoj askënd që bën ndërhyrje të tilla nëse një defekt në pamje u kushtëzon vlerësimin për veten, por jam kundra manisë së perfeksionit që i kanë bërë shumë femra të showbizit të mos kenë dallim nga njëra-tjetra. Më pëlqejnë rrudhat që kam, nuk kam pse dukem njëzet vjeç kur jam dyfishi i kësaj. Nuk kam pse fryj buzët për t’u dukur më sexy apo të sharroj brinjë për të krijuar bel. Më duket e tepërt, jo natyrale, kundër ligjit të natyrës. Njeriu që pranon vetveten me të mirat dhe defektet e tij, mendoj se ka arritur gjithçka, është i plotësuar.

Mendon se media sot është shndërruar në një lloj Big Brother-i dhe po shkelet privatësia?

Po, jam e bindur për këtë. Në epokën e teknologjisë kur të ardhurat dhe benefitet vijnë nga klikimet, s’ka si të ndodhë ndryshe. Nuk ka më skrupuj, nuk ka më respekt për tjetrin. Të shesin për hiçmosgjë. Është vërtet e dhimbshme dhe e shëmtuar. Nuk po flas për ata njerëz që i krijojnë vetë “bombat” për të bërë zhurmë dhe për të qenë në qendër të vëmendjes. Po flas për abuzimin me njerëzit që u pëlqen apo duan të mbajnë privatësi, për. njerëz të thjeshtë që u bëhet skaneri I jetës së tyre, vetëm sepse fati i ka bërë pjesë të një lajmi. Është vërtet e dhimbshme, ku kemi mbërritur. Nuk ka më lojalitet, ka vetëm shfrytëzim në shërbim të parasë.

Je pro apo kundër një ligji që kufizon mediet online?

Jam pro, me zë të lartë madje. Jo në aspektin e lirisë së medies dhe fjalës së lirë, larg qoftë. Por në aspektin e shkeljes së privatësisë dhe fjalorit të patolerueshëm. Umberto Eko ka thënë: “Mediat sociale u japin të drejtën idiotëve të flasin, kur ata flisnin vetëm në bare pas një gote vere, pa e dëmtuar komunitetin. Pastaj heshtnin shumë shpejt, por tani kanë të drejtën e fjalës njëlloj me Nobelistët. Është pushtimi i idiotëve.” Nuk dua t’i heq asnjë presje këtij mendimtari të madh.

Teksa bisedonim më ke folur për fillimet e tua në televizion, ku të është dashur të luftosh për të futur këmbët. A mund të më tregosh pak më shumë çfarë ishte kjo “luftë”?

E kam thënë në mënyrë figurative. Kur je e re, e panjohur, të duhet të tregosh se kush je. Dhe jo gjithmonë është e thjeshtë. Mua më është dashur të rritem pak nga pak profesionalisht, spektakël pas spektakli, emision pas emisioni. Dhe jo gjithmonë kam patur mbështetje. Të qenit e bukur nuk t’i hap gjithmonë dyert e ëndrrës tënde. Duhet të tregosh që je e zonja, që je konkurruese, që sjell diçka të re, të freskët në ekran. Mua më janë dashur ca vite që të bind njerëzit se e meritoj këtë profesion. Por më është dashur shumë vullnet dhe shumë punë.

Nëse të është dashur të luftosh për të punuar do të thotë që nuk je në kategorinë e “miss-eve” që kurorën apo famën e përdorin për të peshkuar një bashkëshort të pasur e që do t’ia lehtësojë financiarisht jetën?

Seriozisht ka të tilla? Personalisht jam martuar në moshë relativisht të pjekur kur e kisha krijuar karrierën time dhe stabilitetin. Megjithatë nuk dua të paragjykoj. Nëse kanë njohur dikë me të cilin janë dashuruar dhe ai person ka dhe anën financiare, nuk ka asgjë të keqe. Mikeshat e mia dhe njëkohësisht edhe Miss si Valbona Selimllari, Sidorela Kola apo dhe Monika Zguro janë të realizuara vetë, pa ndihmën e bashkëshortit. Për misse të tjera të kohëve të fundit nuk flas dot sepse nuk i njoh.

E ndjen këtë fenomen në të përditshmen tënde?

Sinqerisht nuk më intereson se çfarë bëjnë njerëzit me jetën e tyre. Janë njerëz të lirë dhe mund ta bëjnë jetën si të dëshirojnë. Nuk dua të gjykoj askënd. Secili ka prioritetet e veta në jetë dhe nuk marr përsipër të them është e drejtë ose jo. Unë merrem ekskluzivisht me veten time, dhe do të doja që të gjithë të bënin të njëjtën gjë.

Je feministe?

Jam, por jo ekstremiste. Nuk do i jepja prioritet një femre ndaj një mashkulli vetëm se është femër. Jemi krijesa të Zotit që të dyja gjinitë. Besoj tek barazia gjinore.

Mendon se feminizmi është një çështje që po mbivlerësohet?

Jo, nuk besoj se po mbivlerësohet. Mendoj se femra është një vlerë e jashtëzakonshme e shoqërisë, që gjithmonë është keqtrajtuar dhe nënvlerësuar. Dhe fatkeqësisht ka vende të prapambetura që femra ende trajtohet si plaçke, pa të drejta.

Përse zgjodhe të bëhesh gazetare sportive?

Unë kam bërë emisione sportive shumë herët, që në vitin ’99. Jam rritur me dashurinë për futbollin, sepse e gjithë familja ime e do futbollin. Kam parë futboll që fëmijë i vogël fare, madje jo vetëm futboll. Im atë na çonte të treve, mua, vëllanë dhe motrën të shikonim gjithçka që ndodhte në Durrës. Volejboll, basketboll, not, qitje, gjithçka. Kështu që kur m’u propozua të drejtoja emisionin Ëndërr Kuq e Zi për kombëtaren e pranova me shumë dëshirë. Më pas për arsye rrethanore, mora dhe drejtimin e Rubrikës Sportive. Duke parë dëshirën dhe pasionin tim për sportin, drejtuesit e televizionit menduan të më kalonin në Departamentin e Sportit në Rtsh ku realizova dhe programe të tjera sportive.

A mund të tregosh fillimet e tua si gazetare në një profil sportiv?

Fillimet e mia kanë qenë në vitin ’99, siç e thashë më lart, kur bënim një emision për Kampionatin Italian ne Tv Klan. Nuk e pata shumë të vështirë sepse më ndihmonte im atë me informacione. Dhe nuk isha në asnjë moment jashtë kontekstit. Më pas kam drejtuar emisionin e Kampionatit Evropian 2004, dhe përsëri u përshtata shumë mirë sepse I
kam ndjekur me shumë vëmendje si Kampionatet Evropiane ashtu dhe ato botërore që e vogël. E kështu kam vazhduar me emisione të ndryshme sportive here pas here dhe gjithmonë i kam bërë me shumë dëshirë, derisa u bëra pjesë e Departamentit të Sportit dhe tashmë futbolli është e përditshmja ime.

Je ndjerë ndonjëherë e paragjykuar për këtë zgjedhje?

Nganjëherë nga publiku por fatmirësisht jo nga profesionistët. Ekziston mendësia që femrat s’marrin vesh nga futbolli. Por është shumë e gabuar. Nuk janë shumë, por ka. Në fund të fundit, gazetaren sportive po bëjmë, jo specialisten. Unë mendoj që kjo fushë ka nevojë për figurën femërore dhe uroj, që edhe gazetare të tjera ta shohin si një fushë shumë interesante gazetarinë sportive. Është një fushë e bukur, me shumë emocion e adrenalinë.

Duke bërë një punë të tillë jeton mes emocioneve por edhe ballafaqimeve të mendimeve pro dhe kundër. Mund të më tregosh ndonjë episod që të ka lënë më shumë mbresë nga puna jote?

Ka episod më të jashtëzakonshëm se ndeshja me Serbinë në Beograd? Isha në transmetim të drejtpërdrejtë dhe nuk e harroj ankthin që na përfshiu të gjithëve në studio. Ishim të shqetësuar për gjithçka po ndodhte me djemtë e kombëtares, por edhe gjithë shqiptarët që ishin në stadium. Ka qenë një transmetim i jashtëzakonshëm dhe i paharruar për mua.

Cila është ndeshja në të cilën ke ndjerë më shumë e emocionuar dhe pse?

Kanë qenë dy, ndeshja me Greqinë kur fituam 2-1, pasi Greqia ishte shpallur kampione Evrope dhe ndeshja e fundit me Armeninë kur u kualifikuam për në Evropianin e Francës. Arsyet besoj se i kuptoni, nuk besoj se jam emocionuar vetëm unë në këto dy ndeshje. E gjithë Shqipëria ka qenë në festë dhe me të drejtë.

Ti kthehemi pak familjes, të cilën edhe atë e ruan me fanatizëm nga ekspozimi në publik. Nga se ke frikë?

Nuk kam frikë. Jeta private prandaj quhet private dhe unë kam zgjedhur ta mbaj të tillë. Nuk jam e detyruar të flas për gjërat e mia personale. Eshtë zgjedhje imja, nuk kam nevojë për vëmendje as në jetën time profesionale dhe as në atë familjare. Eshtë jeta ime dhe më takon mua, askujt tjetër edhe pse fati më ka bërë personazh publik. Publiku mund të bëjë edhe pa informacione për mua, jeta vazhdon njësoj. Unë e dua privatësinë dhe jam fanatike për këtë aspekt.

Mund të më flasësh pak për marrëdhënien me vajzën?

Vajza ime është gjëja më e bukur që më ka ndodhur në jetë dhe unë ia them shpesh edhe asaj. Falënderoj dhe i lutem Zotit çdo ditë t’i japë shëndet dhe të jemi si tani, po kaq të lidhura me njëra-tjetrën. Është e habitshme çfarë ndjenjash të forta dhe të pakrahasueshme provon një nënë kur bëhet e tillë. Kemi një marrëdhënie të sinqertë, ku çdo gjë e diskutojmë bashkë. Është fëmijë i dashur, i sinqertë dhe pozitiv, dhe jam munduar t’ia kultivoj akoma më shumë këto cilësi. Më mbush ditën plot, dhe biseda e darkës mes nesh është moment më special I ditës. Bisedojmë për gjithçka dhe kemi besim absolut te njëra-tjetra. Jam e lumtur që kemi një marrëdhënie të tillë, nënë e bijë por edhe mikesha. Jemi dy gjysma që bëjmë një të tërë, pa njëra-tjetrën nuk ndjehemi të plotësuara.

Do të doje të kishe bërë diçka ndryshe në zgjedhjet e tua profesionale apo personale?

Jo. Nuk kam pse mendoj për të shkuarën, unë shoh nga e ardhmja. Unë mendoj se gjithçka është e shkruar, ne ndjekim një rrugëtim të paracaktuar dhe jemi të destinuar të kalojmë sfida të ndryshme gjatë jetës, dikush më shumë e dikush më pak. Te gjithë bëjmë gabime që na rrisin mendërisht, por ama bëjmë edhe shumë vepra të mira që na japin emocion. Unë jam e kënaqur dhe falënderoj Zotin për këto që kam. I gëzohem gjerave të thjeshta, shëndetit të familjes time në radhë të parë, e më pas gjërave të vogla të përditshme, një fjale të mirë, një buzëqeshjeje të sinqertë, një vlerësimi në punë. Kam pak por kam shumë, gjithçka që dua! – Harmony