LAJMI I FUNDIT:

Revoltohen aktorët e Teatrit të Tetovës për mungesën e shfaqeve, arsyetohet drejtori Aziri

Revoltohen aktorët e Teatrit të Tetovës për mungesën e shfaqeve, arsyetohet drejtori Aziri

Thonë se një kombi që i mungon njëtrajtshmëria dhe hemogjinitetit kulturor, i mungon ndërgjegjja kombëtare e vërtetë dhe e përsosur. Vlera e një kombi është në lidhje të ngushtë me ketë ndërgjegje, që është vepër kulture e qytetërimit. Tetova shquhet si qytet kulturor dhe universitar. Ka dy universitete, gjashtë shkolla të mesme, bibliotekë dhe teatrin. Telegrafi Maqedoni kësaj radhe ka vendosur të trajtojë Teatrin e Tetovës, gjegjësisht gjendjen dhe veprimtarinë aktuale të këtij institucioni.

Që nga iniciativa e themelimit të Teatrit të Tetovës, gjegjësisht prej vitit 2007 e këndej, Teatri ka kaluar në sfida të vështira, qoftë në mungesën shfaqeve, buxhetit të dobët dhe të formave të ndryshme. Dhe kjo për të vetmin faj të politikës e deri te menaxhimi i këtij institucioni. Edhe pse në njëfarë mënyre Teatri ka marrë pjesë në shumë festivale edhe ato ndërkombëtare duke rezultuar me shpërblime të ndryshme, por gjendja e teatrit viteve të fundit lë për të dëshiruar, kështu edhe vlerësojnë një pjesë e madhe e aktorëve të këtij institucioni.


Muzafer Etemi një nga aktorët më të vjetër të teatrit për Telegrafi Maqedoni thotë se që nga themelimi, Teatri i Tetovës ka patur rënie sa i përket numrit të projekteve të realizuara brenda një viti. Viti që lamë pas ishte më se i keqi, realizuam vetëm një shfaqe (Ushtria e Ui Tomasit) dhe një shfaqe në gjuhën maqedone. Ndonëse ishin miratuar nga ana e Ministrisë së Kulturës edhe dy projekte tjera në gjuhën shqipe dhe një projekt në gjuhën maqedone, por këto nuk u realizuan.

‘Ajo që është edhe më shqetësuese është edhe pamundësia që ne t’i reprizojmë shfaqjet, për të cilat jepet shumë mund që të vijmë deri në premierë. Arsyet janë objektive, pothuajse është e pamundur që të funksionojmë në një objekt siç është Qendra për kulturë ku realizohen shumë aktivitete të ndryshme, siç janë shoqëritë kulturore, organizatat e ndryshme, aktivitetet tjera të shpeshta dhe pothuajse vazhdimisht salla është e zënë, gjë që pamundëson ushtrimin e veprimtarisë sonë dhe kjo çështje është shumë serioze.

Nuk mund ta shfajësojmë edhe ne veten, që nga drejtoria e deri te mirëmbajtësit e higjienës, mendoj se duhet të konsolidohemi dhe të japim maksimumin që të arsyetojmë ekzistimin e këtij institucioni, i cili u themelua me shumë vështirësi. Sa për ta përkujtuar, ishim ne një grup aktorësh të cilët nuk lam derë pa trokitur, duke grumbulluar 10 mijë firma (nënshkrime) që ky institucion sot të numëroje me dhjetëra punonjës, gjegjësisht 48 të punësuar, 26 aktorë dhe punëtorë tjerë për detyrime të ndryshme’, deklarohet Etemi.

Për gjendjen e Teatrit kanë folur edhe aktorë tjerë të teatrit, edhe atë, Arsim Kaleci, Hasim Memishi, Arsim Fazlia, Blerim Ismani, Bekim Smajli, Altrim Mamuti, Bekim Jahiu, Elmir Sejfullai, Ermal Çanga dhe Burhan Amiti.

Aktorët drejtojnë gishtin tek politika. Ata ndajnë mendimin se problemi për gjendjen e keqe pse teatri ka mungesë të shfaqeve është tek buxheti dhe godina, pastaj tek udhëheqësia e këtij institucioni. Në vijim i keni qëndrimet e një pjese të madhe të aktorëve.

Arsim Kaleci

Në radhë të parë ne nuk kemi teatër dhe këtu e kam fjalën për godinën e teatrit dhe kjo na rëndon punën tonë. Në çdo sferë, në qoftë se punët nuk shkojnë siç duhet, përgjegjësin kryesore e ka personi që e udhëheq atë institucion. Teatri ka gati një vit nuk ka dhënë asnjë premierë as edhe repriza të shfaqeve paraprake. Një boshllëk dhe mangësi e madhe që e karakterizon sidomos vitin e kaluar. Javën e fundit ne kemi pasur një mbledhje dhe unë personalisht në atë mbledhje kam ngritur çështjet për parregullsitë dhe mosfunksionimin siç duhet të teatrit. Kam reaguar dhe kam kërkuar nga drejtori përgjegjësi dhe ai e ka pranuar se përgjegjësia është e tij. Dhe unë personalisht i kam thënë se nuk mjafton vetëm të thuash se mbani përgjegjësi, por duhet konkretisht. Tani këto ditë drejtori për herë të parë i shndërron aktorët në administratorë, sidomos me rregulloren e re, orar të caktuar. Natyra e punës tonë nuk ka orar, ne punojmë edhe të shtunave edhe të dielave, në mbrëmje, në mesnatë, domethënë kjo bie ndesh me natyrën e punës. Nëse ky do të ishte orari, atëherë në fundjavë duhet të kemi pushim dhe shfaqet të realizohen brenda orarit të punës dhe mos të na thirrin në mbrëmje për shfaqjet që jepen. Një fakt tjetër pse çalon teatri është se teatri është në borxh dhe ka dyshime për keqpërdorime të mjeteve.

Arsim Fazlia

Sa për mua, pse nuk kam reaguar veçanërisht për anulimin e tri projekteve në Teatrin e Tetovës është se, e para se nuk jam përgjegjës për këte punë. Kur jam angazhuar si aktorë në Teatër, jam mumduar t’ia jap hakun punës time. E dyta, duke marrë parasysh situatën politike në vend ku asnjë institucion nuk funksionon si duhet, përveç dënimeve në parking, ky fakt nuk më habit.

Hasim Memishi

Ne bëhemi kinse punojmë, shteti bëhet kinse na paguan, institucionet bëhen sikur na kontrollojnë dhe kështu jemi në rregull….Problemi i shfaqjeve në Teatrin e Tetovës është se, gjatë dimrit nuk punohet shkaku i mungesës së kushteve elementare duke filluar nga nxemja, kurse gjatë periudhës kur moti përmirësohet, punohet një apo dy shfaqe të cilat “vdesin” pas tre apo katër reprizave, për arsye të ndryshme.
Ne si aktorë të punësuar në këtë institucion nuk kemi bërë asnjë hap konkret që të ketë shfaqe, duke u nisur nga format e ndryshme të protestës e deri te greva apo bojkotimi i plotë i këtij institucioni. Unë mendoj se faji kryesor është i insitucioneve, por nuk mund të amnestojmë edhe një pjesë të fajit që e kemi edhe ne si të punësuar në këtë institucion.

Elmir Sejfullai

Nuk është në dorën tonë puna e shfaqeve. Ne kemi për detyrë që të jemi të gatshëm dhe të angazhohemi atëherë kur punëdhënësi të na thërras në audicion. Institucioni ka menaxhues dhe ai është përgjegjës për suksesin, apo dështimin e realizimit të planit vjetor të punës. Pakënaqësinë time ndaj udhëheqësit e kam shprehur në zgjedhje, te kutija e votimit.

Bekim Smaili

Pse s’ka shfaqe në Teatër? Ekzistojnë shumë faktorë. Fillimisht pa u futur në politikë, njëra prej arsyeve më kryesore është mos funksionimi i administratës së teatrit në krye me drejtorin, domethënë keq menaxhimi. Une jam munduar që të organizojë mbledhje me aktorët edhe me drejtorin dhe të debatojmë për gjendjen e Teatrit edhe pse realisht aty nuk kemi debat të mirëfilltë.

Ermal Çanga

Unë vlerësoj se ka shfaqe. Shfaqja ‘Ushtria e Ui-Tomasit është shfaqe e pëlqyer e drejtorit të teatrove të Turqisë dhe na ka ftuar të marrim pjesë ne festivalin e teatrit ne Bursë. Shfaqe ka dhe do të ketë, por siç e di opinioni, ne me shfaqjet fillojmë në Pranverë për arsyen e vetme se nuk ka nxemje për t’i mbajtur provat.

Altrim Mamuti

Shfaqe nuk ka shkaku i mjeteve financiare që nuk i miraton Ministria e Kulturës apo të njëjtat i miraton shumë me vonesë dhe shkaku i kësaj vjen që shfaqet e radhës mos të realizohen në kohë.  Une si aktorë i Teatrit, zëri im ka qenë gjithmonë pro shfaqeve sa më të shumta, mirëpo për fat të keq jemi vetëm aktorë dhe nuk kemi kompetenca për të ndërhyrë deri tek Ministria e Kulturës. Më duhet të shtoj edhe diçka, kjo udhëheqësi qeverisëse ka për mision që çfarëdo mekanizmi që është për emancipimin dhe ngritjen e popullit shqiptarë, ta cungojë dhe ta relativizojë në çfarëdo lloj mënyre.

Bekim Jahiu

Vitin e kaluar Teatri i Tetovës kishte tri projekte për të realizuar. Nga këto projekte të planifikuara vetëm njëri nga këto projekte u realizua, ndërsa dy projekte mbeten të pa realizuar. Përgjegjës dhe menaxhues për realizimin e projekteve është drejtori, ndërsa unë si aktor i këtij institucioni jam i obliguar t’i përgjigjem audicionit, të jem prezent edhe nëse regjisorit i përgjigjet figura ime, atëherë ai vendos që unë të jem pjesë e atij projekti.

Nuk e di se për çfarë arsye u anuluan dy nga projektet e vitit të kaluar, por nga kjo situatë pak sa e mjegullt do të doja që kjo gjë të mos përsëritet në të ardhmen dhe sa më shpejtë të fillojnë të realizohen projektet e parapara për vitin 2017.

Blerim Ismani

Problemi kryesor është mungesa e hapësirës. Për shembull ne e kemi njëherë në javë të lirë hapësirën për veprim në Teatrin e Tetovës dhe kjo ndikon shumë për të pasë repertuar të shfaqeve ose për të vazhduar të jepen reprizë. Përveç kësaj Ministria e Kulturës pothuajse aspak ose shumë pak ndan buxhet për Teatrin e Tetovës. Ne jemi të revoltuar pse nuk punohet në Teatër dhe çdoherë ka një fajtor. Së pari ia lëmë fajin politikës antishqiptare që i bëhet kulturës shqiptare, pastaj ia lëmë fajin drejtuesve të institucioneve.

Burhan Amiti

Në lidhje me pyetjen tuaj dhe për dështimin e Teatrit të Tetovës unë mundohem të kontribuoj në përmirësimin e kësaj gjendje. Edhe une i bashkangjitem iniciativës së një pjese tjetër të aktorëve për mbledhjen e nënshkrimeve që ta largojmë drejtorin për shkak të dështimeve tre vjeçare. Ai tani ka bërë edhe kategorizimin e aktorëve në shkalla të pamerituara. Ai manipulon me kategorizimin duke i kërcënuar disa aktorë që të mos flasin për dështimet e tij. Mua personalisht dy vite më ka bokojtuar. Dy vite nuk më ka dhënë hapësirë të luaj në Teatër për arsye se nuk ndaj të njëjtin mendim me të. Më ka futur në shkallën e tretë të rangimit edhe pse në bazë të rregullores së Ministrisë së Kulturës, vendi im në bazë të angazhimeve dhe çmimeve të fituara, është në kategorinë e parë. Nga ana tjetër, drejtori i urdhëron shpesh regjisorët se cilin aktorë nuk duhet ta angazhojë. Këtë na e kanë vërtetuar edhe vetë regjisorët me të cilët kemi raport profesional dhe kolegial. Bën kontrata astronomike me regjisor ka 7-8 mijë euro. Një Zot e di se ku mbarojnë paratë tjera.

Për të qenë sa më objektiv, Telegrafi Maqedoni ka kontaktuar edhe drejtorin e Teatrit të Tetovës, Valmir Aziri, i cili në një farë mënyre pajtohet me deklaratat dhe revoltën e aktorëve në lidhje me mosfunksionimin e teatrit si shkak i nxemjes qendrore. Fakt ky që pamundëson funksionimin e teatrit gjatë muajve të vonshëm të vjeshtës dhe dimrit që nënkupton se teatri është i detyruar të ‘pushoj’ veprimtarinë e vet për gati 4 muaj, vlerëson Aziri.

Aziri premton se pasi të kthehet trupa e aktorëve nga festivali në Bursë do të fillojë edhe puna rreth premierës së parë për këtë vit.

‘Sa i takon asaj që ne i rikthejm shfaqet e vjetra bëhet me qëllim se këto shfaqe janë të planifukuara për tu dhënë në festivale ndërkombetare siç është rasti me shfaqen UI Tomasi, e cila shfaqe është e ftuar të jetë pjesë e festivalit ndërkombetar në qytetin e Bursës Turqi, nga data 24 mars deri 29 mars. Teatri i Tetovës pasi që te kthehet nga Bursa do të ve ne zbatim plan programin e miratuar nga Ministria e Kulturës dhe në një kohë më të shkurtë besojmë në fillim të muajit Maj do të kemi premierën e parë në Teatër’, potencon Aziri.

Në lidhje me mungesën e buxhetit dhe mosrealizimin e katër shfaqeve për vitin 2016 si dhe dyshimet për keqpërdorime të mjeteve, Aziri thotë se mjetet e miratuara nga Ministria e kulturës nuk ishin të mjaftueshme për realizimin e njërës nga shfaqet.

Sai përket fërkimeve që përmendën aktorët në mbledhjen e fundit si dhe vendosja e rregullores, gjegjësisht prezantimi i trupit teatral në orar të obliguar, se a ka qenë kjo si shkak i ndonjë hakmarrje të aktorëve që nuk ndajnë mendimin me drejtori, drejtori i Teatrit thotë se, rregullorja ka qenë dhe do të mbetet e rregulluar me ligj në bazë të akteve ligjore. Të gjitha teatrot në Maqedoni funksionojnë në bazë të ligjit për Kulturë dhe akteve tjera ligjore.

‘Orari i punës si dhe të drejtat dhe obligimet që dalin nga rregullorja e punës dhe ligjit per kulturë u nënshtrohen të gjithë të punësuarit në këto institucione, që nënkupton se askush nuk është mbi ligjin dhe askush nuk pretendon të funksionoj dhe të menaxhoj një institucion jashta normave ligjore’.

Telegrafi Maqedoni ka pyetur drejtorin se a do të mbani përgjegjësi për të gjitha revoltat që i shprehin aktorët për mofunksionimin e këtij institucioni siç duhet, ai në përgjigjen e tij përsëri e hedh fajin tek mungesa e hapësirave për aktivitetet e teatrit.

T’ia lëmë fajin hapësirës së re të Teatrit, edhe pse teatrin nuk e bën godina por shfaqet e mira. Qytetarët e Tetovës e duan artin, kulturën dhe teatrin, pavarësisht arsyeve institucionale, subjektive apo edhe politike. Shpresohet në përmirësimin e gjendjes së teatrit. Tetovarët duan shfaqe! /Telegrafi/