LAJMI I FUNDIT:

Rënia e flokëve pas lindjes

Rënia e flokëve pas lindjes

Pas lindjes bie niveli i estrogjenit dhe shumë më tepër fije kalojnë në fazën e qetësisë, që do të thotë se nuk vazhdojnë të rriten dhe bien pak a shumë në të njëjtën kohë. Kjo zakonisht ndodhë rreth 12 javë pas lindjes.

Dr. Memli Morina, mr. sci
gjinekolog – obstetër
tel. 045 725 725

Sigurisht iu ndodhë të gjithë mjekëve dhe jo vetëm mua, që në vizitën e parë pas lindjes, lehonat janë të tmerruara me faktin që iu bien flokët. Janë të shpeshta fjalitë si “po bllokohet vaska nga flokët që po më bien”, “unë po i mbledh flokët nga pllakat e banjës, sepse ndoshta pas një muaji do të më duhet të bëj zgjatje”, “doktor, unë kam frikë se do të më duhet të mbaj parukë”.

Gjatë shtatzënisë estrogjeni bën që shumë të tepër fije flokësh të rriten. Normalisht, rreth 90% e fijeve janë në procesin e rritjes, kurse rreth 10% janë në gjendje qetësie (gati për të rënë dhe për t’u zëvendësuar me fije të re).

Estrogjeni bën që shumë pak fije të jenë në gjendje qetësie, prandaj gjatë shtatzënisë një gruaje i bien flokët me pak dhe flokët janë më të trashë dhe fijet e flokëve më të shumta.

Zakonisht, gjatë ditës bien 100 deri 130 fije flokësh, ndërsa gjatë shtatzënisë, shumë më pak se kaq, kurse pas lindjes mund të bien edhe mbi 500 fije flokësh në ditë.

Pas lindjes bie niveli i estrogjenit dhe shumë më tepër fije kalojnë në fazën e qetësisë, që do të thotë se nuk vazhdojnë të rriten dhe bien pak a shumë në të njëjtën kohë. Kjo zakonisht ndodhë rreth 12 javë pas lindjes.

Për fat të keq asgjë nuk mund të bëni për të “shpëtuar” flokët tuaj. E keni vënë re se flokët ju bien më shumë kur i lani ose kur i krihni, por nuk ka kurrfarë përfitimi nëse i lani më rrallë ose nëse i leni që të teren vetë (pra, nuk i krihni për t’i terur më shpejt).

Flokët do të bëhen siç kanë qenë më parë 6 deri 12 muaj pas lindjes, ndonëse shumë gra mund të mos pajtohen, sepse iu duket se edhe pas një viti atyre akoma po iu bien flokët.

E rëndësishme është që flokët të bien gjithnjë e më pak dhe se ju nuk do të mbeteni tullace, por nëse vazhdojnë te bien akoma më shumë, konsultohuni me mjekun, sepse mund të jetë shenjë e mungesës së disa vitaminave dhe mineraleve (në radhë të parë të hekurit). /Telegrafi/