LAJMI I FUNDIT:

Reformat si shpëlarje e trurit

Reformat në partinë më të madhe në botë, e rrjetëzuar së fundmi prej Byroje deri në Seul, si duket janë të pa evitueshme. Kryeministri e ka vendosur me e nisë reformën duke e ndërruar fillimisht telefonin e tij, dhe kjo gjithsesi do të ketë pasoja planetare. Modeli “dinozaur” nga shekulli i kaluar, u pa se është një model i cili nuk përgjohet dot, prandaj për me u bë më transparent, Kryeministri po mendon me e ble një “Samsung”! Ende nuk e ka vendosë, por mrekullia ekonomike e cila ia kalon edhe modelit qeveritar për zhvillimin e Kosovës, e ka shty në mendime të thella. A paraqet kjo edhe kthesë ideologjike apo është vetëm edhe një preferencë kah dizajni aziatik, kjo ende mbetet enigmë. Por, gjithsesi krejt kjo do të ndikojë seriozisht në luftën e madhe globale në mes të “Galaxy” dhe “Iphone”! Degët, nëndegët, seksionet e partisë, partitë satelite, ndërmarrjet publike, të gjithë pastaj do të obligohen të kalojnë menjëherë në “Samsung”! E, opozita me inercion do të kalojë në “Ajfon”. Por, opozita s’ka pare!

Kur jemi te “Samsungu” dhe Koreja e Jugut, dy vendet tona, tashmë mike, përpos shkronjës së parë, kanë edhe një problem të përbashkët: veriun! Veriu i Koresë, tashmë është shtet ndërkombëtarisht i pranuar, por gjithashtu është një vend i cili pandërprerë krijon telashe ndërkombëtare. Veriu, i atjeshëm ka martë aq zemër, sa po e kërcënon edhe aleatin tonë strategjik, me bombardime nukleare. Në këto rrethana, as ne nuk mund të rrimë duarkryq! Ministri jonë i Jashtëm, tashmë ka bërë protestë të ashpër! E Kryeministri jonë ka udhëtuar personalisht atje ! Me e zgjidhë problemin e veriut! Si këtu!


Ndërkohë, edhe veriu i Kosovës, pas angazhimit gjithëpërfshirës qeveritar dhe ndërkombëtar, po ashtu po krijon probleme! Tash, pas vizitës në Kore, po bëhet e kapshme edhe ideja për Kosovën e Veriut dhe Kosovën e Jugut! Krejt në një paketim!

Por, përkundër ngjashmërive, ka edhe dallime. Koreja e Jugut është gjigant ekonomik, me kompani të fuqishme e njerëz të pasur. Edhe ne kemi njerëz të pasur! Kompani nuk kemi, por e kemi shtetin!
Shteti funksionon si një kompani familjare. Se, partia kujdeset për familjen!

Por, të kthehemi te dallimet e tjera! Forcat paqeruajtëse të cilat janë në Kore që nga vitet e tërheqjes së “paraleles së 38”, nuk quhen KFOR, edhe pse fare mirë mund të quheshin ashtu. Edhe radioja ushtarake, multietnike e ndërkombëtare në Kore mund të quhej fare mirë “K4”! Edhe reklamat e tyre mund të ishin pa shije, socrealiste! Por, Koreja e Jugut nuk është multietnike. Koreanët e veriut ndoshta duhej të bëheshin një komb, ata të jugut një tjetër! Pastaj, pak kinezë e ca japonezë dhe qe … shoqëria multietnike! Pastaj shkojnë UNMIK-u edhe Ahtisaari atje! Kështu, edhe problemi do të përjetësohej! Bisedime dhe biznes!

Gjithsesi, përkundër prezencës ndërkombëtare, “paralelja e 38-të” mbeti aty, si vijë ndarëse! Sikurse edhe Ibri që na ndanë me pjesën tjetër të Kosovës! Dikush ndoshta do të na akuzojë se po tërheqim paralele artificiale mes dy vendeve tona mike! Por, jo! Çfarë paraleleje?! Mjafton, Ibri!

Siç e përmendëm edhe më herët, Ministri ynë i Jashtëm e dënoi ashpër Korenë e Veriut, me një deklaratë të sertë! Kjo shumëkujt i erdhi befasishëm, si nga qielli! Çka u bë tash?! Jemi mësuar me agjendë transparente të qeverisë! Takimet dhe vizitat paralajmërohen së paku një orë përpara! Por, faji nuk është te Kryeministri. Ndoshta, as ai nuk e ka ditur! Si nuk e ka ditur as se kur do ta shpallë pavarësinë, derisa i treguan edhe vetë atij! Ju kujtohet ajo loja: “ E di, s’e di” datën e shpalljes ?

Pjesa tjetër, tashmë është në librat shkollorë të historisë! Kësaj historie do t’i shtohen edhe fjalimet e rastit të kryeministrit tonë, në Kore. Si shtojcë speciale. Se, ai që e ka lexuar deklaratën i ka krejt meritat! Nuk ka qenë lehtë me e lexua! Të tjerët nuk kanë bërë asgjë për Pavarësinë! Populli, natyrisht, veç ka duartrokitur! Aq edhe ka mujtë me ba populli për kryeministrin. Se“Kryeministri i pat mbledhur burrat e vendit dhe e pat shpallur ”!

Pra, kritika e ashpër e ministrit të Jashtëm, siç po shihet, ka ka pasë motive krejt pragmatike, sa për të përgatitur atmosferën për vizitën e kryeministrit.

Veç pak javë më herët, Ministri ynë i urtë pat deklaruar se Kosova do të mbrojë shqiptarët kudo që janë! Duke u nisur nga kjo deklaratë, seriozisht u shqetësova se mos ekipi inteligjent i partisë ka zbuluar ndonjë koloni shqiptarësh në Kore të Jugut. Se, nëse ata ndihen të rrezikuar në çfarëdo mënyre, ruana Zot, mos po i shpallin luftë Koresë, apo Kinës Komuniste! Aty Kryeministri ambicioz do të mund të jepte deklarata të tipit: “Askush nuk guxon me ju prek me gisht të vogël”!

Por, fatmirësisht, nuk paska shqiptarë atje! Shpëtoi Kina! Shpëtoi Koreja e Veriut! Shpëtuam edhe ne! Pse me hy në luftë, kot!?

Në ndërkohë, në fjalimet e rastit, Kryeministri mori mbi vete krejt meritat e pavarësisë, sepse tash i ka rehatuar në parti edhe ish-luftëtarët edhe ish të përndjekurit politikë! Meritokracija e pasluftës u reduktua vetëm në një emër. Tash kemi veç një meritokrat! Kundërshtimet e opozitës nuk numërohen!

Ndërkohë, në Kore, kryeministri ynë e mori edhe një “Honoris ….”, nga një Universitet i fortë, çelik i fortë, i cili njihet për lidhjet e tij me Kishën e Bashkuar.

Strukturat inteligjente te partisë, si gjithnjë vigjilente, krejt rastësisht zbuluan një komplot të opozitës tonë. Në një raport top-sekret dorëzuar inteligjencës koreane, thuhet se opozita kosovare, më saktë, e dini kush, po përgatitë një aksion subversiv bile dhe pak “terrorist”.

Sipas burimeve anonime përbrenda inteligjencës së partisë, një njësit elit i opozitës, i armatosur me tetrapak, qenka nisur nëpërmes Afrikës së Jugut, Australisë dhe Polit të Jugut, të maskuar si pinguinë, me objektivë që të godasë vetë Rektorin e Universitetit tashmë më të famshëm në botë! Pas ndarjes së “Honorisit …” për kryeministrin tonë, ky universitet tashmë njihet dhe vlerësohet në krejt botën!

E “terroristët” tanë, për shkak të maskimit të fortë, është shumë e vështirë të njihen. Shërbimet inteligjente koreane janë duke kontrolluar të gjithë pinguinët të cilët këto ditë po hyjnë në vendin e tyre. Kanë urdhër të prerë që të ndahen anash të gjithë ata që kanë në gjoks një dinstinkitiv që përmbajnë shpezë të zezë me krah të hapur mbi një sfond të kuq, të cilin ne e quajmë shqiponjë.

Ata po kontrollojnë edhe lëngjet në tetrapak, sidomos ato ku për arsye kamuflimi shkruan “Made in Serbia”! Dyshohet se “terroristët” në tetrapak kanë marrë me vete ngjyrë të kuqe. Dikush u paska thënë se ngjyra e kuqe është e ndaluar krejtësisht në Korenë e Jugut, për arsye ideologjike!

Misioni i tyre mësohet të jetë koduar “Skuqja globale” dhe se paska për qëllim që rektorin i cili kryeministrit tonë personalisht ia dorëzoi shpërblimin “. ..Causa” , ta ngjyrosin fytyrës me ngjyrë të kuqe! Por, komploti u zbulua dhe masat janë marrë! Javët e ardhshme , për arsye sigurie, në Korenë e Jugut mund të hyjnë vetëm pinguinët e kaltër me yje të verdhë!

“Më ka hyrë një tutë”, më tha një mik i opozitës. “Kurrë nuk besoj se kryeministri ka shkuar atje veç për me e ble një telefon ‘Samsung’ ja për një ‘honoris…’ të hamomit! Ka mujt me ble online sa të duash! Mos po e blejnë krejt ‘Samsungun’ këta të partisë, se kanë ba pare?! Mos po e privatizojnë”!

“Jo, more çfarti”, u përgjigja i hutuar! ”’Samsungu’ nuk ka qenë kurrë kompani publike! Është private! Këta tonët kanë para sa të duash, por jo aq sa për me e ble vet ‘Samsungun’! Prandaj, mos u tut! U duhet , së paku edhe një mandat”!