LAJMI I FUNDIT:

Reformat Legjislative dhe Ekonomike përafrojnë Kosovën me BE-në

Reformat Legjislative dhe Ekonomike përafrojnë Kosovën me BE-në

Ministri i Financave Avdullah Hoti, i shoqëruar edhe nga zëvendësministri Agim Krasniqi, pritën sot në takim, Drejtoreshën për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme për Fqinjësi dhe Negociatat e Zgjerimit në Komisionin Evropian, Genoveva Ruiz Calavera e shoqëruar nga Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë dhe Përfaqësuesja e Posaçme e BE-së, Nataliya Apostolova si dhe përfaqësues të tjerë nga Komisioni Evropian, ku u diskutua për hapat drejt integrimit ekonomik dhe politik të Kosovës në BE.

Siç njofton Zyra e Ministrisë së Financave, ministri Hoti duke falënderuar përfaqësuesit e BE-së për përkrahjen, u shpreh se institucioni që ai përfaqëson në bashkëpunim me koordinatorët e ministrive përkatëse, Zyrën për planifikim strategjik, si dhe Njësinë e makroekonomisë po bëjnë përpjekje të vazhdueshme në plotësimin e kritereve të Programit të Reformës Ekonomike të Kosovës (ERP) si dhe në hartimin e reformave të reja ekonomike, të cilat do të kenë ndikim në zhvillimin ekonomik të vendit, gjithmonë duke u bazuar në një kornize të shëndetshme makro-fiskale. Këto reforma ekonomike janë thelbësore për zbatimin e MSA-së.


Ndërsa përfaqësuesit e lartë nga Bashkimi Evropian e vlerësuan performancën pozitive ekonomike, dhe ndryshimet legjislative dhe përafrimit të tyre me BE-në, dhe nënvizuan rëndësinë e vazhdimit të reformave dhe ruajtjen e qëndrueshmërisë makro-financiare. Ata shprehën gjithashtu gatishmërinë për ta ndihmuar Kosovën në fushat të cilat ndikojnë në zhvillimin ekonomik të saj./Telegrafi/