LAJMI I FUNDIT:

Raportet SHBA-Kore e Veriut dhe vringëllimi i rrezikshëm i shpatave

Raportet SHBA-Kore e Veriut dhe vringëllimi i rrezikshëm i shpatave

Donald Trump kërcënon Korenë e Veriut me “zjarr, zemërim dhe fuqi”, si bota nuk e ka parë ndonjëherë. Pse nuk duhet që bota t’i shohë këto fjalë të këtij presidenti – si shumë të tjera – si fjalë boshe? Si njoftime të reja të një politikani të vetëdashuruar, por që në fund pasohen nga veprat?

Përgjigjja: Sepse kjo luftë verbale në fund mund të shkallëzohet deri në një përplasje ushtarake, me pasoja fatale për miliona njerëz. Ky nuk do të ishte konflikti i parë, që fillon me gjeste kërcënuese, por që del nga kontrolli në një moment të caktuar e kalon në një luftë shkatërruese.

Presidenti amerikan është kryekomandanti i Ushtrisë më të fuqishme të botës. Pikërisht për këtë fakt ai duhet t’i zgjedhë me shumë kujdes fjalët dhe kërcënimet e këtij lloji t’i bëjë vetëm atëherë, kur është edhe i gatshëm të godasë me mjete ushtarake, por kujdesi, përllogaritja, racionaliteti dhe vetëpërmbajtja nuk janë tipare karakteristike të këtij presidenti. Për fat të keq! Sepse ai nuk e ruan gjakftohtësinë. Përkundrazi është njeri gjaknxehtë dhe bën politikë nisur nga emocionet, është impulsiv, nuk ka durim, e për këtë arsye është i rrezikshëm. Pikërisht për këto arsye, kështu tha presidenti Obama, është i papërshtatshëm për të qenë kryekomandanti i forcave të armatosura amerikane.

Por, votuesi amerikan vendosi ndryshe. Çdo shpresë që Donald Trumpin do ta formësojë posti, që do të veprojë e formulojë me kujdes ndërkohë është shuar. Fjalët e Trumpit drejtuar qeverisë koreanoveriore e vërtetojnë edhe njëherë këtë.

Me kërcënimin e presidentit vihet në lojë besueshmëria e vendit. Nëse Uashingtoni do të lëshonte pe, gjë që do të ishte e arsyeshme, këtë do ta shënonin në regjistër kandidatë të tjerë dhe kundërshtarë të Amerikës. Nëse u jepej rasti, ata do të ndiqnin shembullin e Koresë së Veriut, dhe po ashtu do t’i hakërroheshin SHBA-së. Për pasojë, kjo nënkupton që tani Shtetet e Bashkuara nuk duhet të ulin kokën e të tregonin dobësi para një regjimi kriminal si ai i Koresë së Veriut. E megjithatë nuk duhet që zhvillimet e tanishme të përfundojnë në një luftë, që do ta çonte të gjithë vendin në katastrofë.

Ky konflikt mund të shtensionohet, vetëm nëse të dyja palët tërhiqen. Ose nëse një ndërmjetësues i ndershëm ndihmon që situata të mos shpërthejë. Të dyja mungojnë tani. As SHBA dhe as Koreja e Veriut nuk duan të lëshojnë pe. Ndërmjetësues të mundshëm si Kina apo Rusia bëjnë lojën e tyre. Vërtet që Pekini dhe Rusia janë kundër që armët atomike të jenë në duart e një regjimi si ai i Kimit, por ato kanë më shumë frikë nga zgjerimi i influencës amerikane, nëse ky diktator bie. Kështu gjendja e status quo-së me një regjim stalinist është në interesin e tyre.

Por, duket qartë Trump që nuk do ta pranojë këtë. Ai kërkon çarmatimin e Koresë së Veriut, por këtë-për momentin-mund ta bëjë vetëm me dhunë. Lidershipi koreanoverior nga ana tjetër, bën llogari se Trump në fund nuk do të jetë i gatshëm për luftë dhe e zhvillon më tej armatimin. Ky regjim beson, se vetëm me zotërimin e armëve atomike mund të garantojë mbijetesën në dhjetëvjeçarët e ardhshëm. Një gjendje e rrezikshme e një qorrsokak, ku në fund të dyja palët mund t’i bëjnë llogaritë gabim. Trump është i zhgënjyer, sepse programi i tij qeverisës vërtet që nuk po ecën përpara, partia e tij po e lë në baltë dhe përkrahësit e tij prej kohësh janë të zhgënjyer.

…E nuk do të ishte lufta e parë që shpërthen jashtë vendit, për të tërhequr vëmendjen nga problemet e brendshme.