LAJMI I FUNDIT:

Ramush Haradinaj bisedë telefonike me Ilir Metën: Faleminderit për solidaritetin

Ramush Haradinaj bisedë telefonike me Ilir Metën: Faleminderit për solidaritetin

Ish-kryeministri i Kosovës Ramush Hardinaj ka pasur një bisedë telefonike me kreun e Kuvendit të Shqipërisë Ilir Meta, pas vendimit të gjykatës në Francë për ta liruar me kusht liderin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Haradinaj e falënderoi kryetarin e Lëvizjes Socialiste për Integrim për solidaritetin dhe mbështetjen e treguar.

Edhe nga ana e tij, Meta i ka shprehur mbështetjen në vazhdim. Një ditë më parë në Tiranë të rinj të Lëvizjes Rinore për Integrim së bashku me forume të partive të tjera politike protestuan paqësisht para ambasadës franceze në kryeqytetin shqiptar për të kërkuar lirimin e Haradinajt dhe rikthimin e tij në Kosovë, transmeton Express.

Ish-komandanti i Kosovës Haradinaj, u arrestua një javë më parë në Francë në bazë të një urdhër-arresti të lëshuar nga autoritetet serbe me akuzën për krime lufte. Arrestimi i tij ngjalli reagime të shumta si në Kosovë dhe në Shqipëri.

Haradinaj u lirua sot nga paraburgimi me vendim të Gjykatës së Colmar në lirim me kusht.

Lirimi me kusht ia kufizon lëvizjet Haradinajt të cilit i është marrë pasaporta. Ai duhet të qëndrojë në Francë dhe të paraqitet dy herë në javë në polici, në pritje të shqyrtimit të kërkesës serbe për ekstradimin e tij në Serbi.