0Shares

Nëna qumështin e vet mund ta ruajë dhe ta shfrytëzojë kur t’i nevojitet. Në vazhdim po japim disa mënyra se si mund të ruhet ai.

Ndoshta do të ndodheni në situatë të tillë që disa orë të jeni jashtë shtëpisë, andaj edhe nuk mund ta ushqeni beben tuaj. Apo, për shkak se duhet të punoni me orar të zgjatur, të udhëtoni diku, të shkoni në ndonjë studim… Apo, thjesht, jeni e detyruar të bëni pauzë për shkak “të infeksionit” të gjinjve, transmeton Telegrafi.

Në të tilla raste, kujdesi i takon edhe prindit. E, pra, çfarë duhet të bëni, që bebes suaj të mos i mungojë ushqimi më i mirë?

Si të siguroni racionin për beben tuaj?
Qumështin tuaj mund ta ruani dhe ta shfrytëzoni kur t’ju nevojitet. Ruajtja fillon që nga nxjerrja e qumështit – me dorë apo me pompë (të dorës apo elektrike). Pompat për nxjerrjen e qumështit janë të shkëlqyeshme, sepse qumështi drejtpërdrejt mblidhet në shishe të sterilizuar, andaj edhe nuk ka kontaminime nga ambienti i jashtëm.

Ku mund të ruhet dhe sa gjatë mund të qëndrojë qumështi?
Qumështi i nënës mund të ruhet në enë sterile dhe të mbyllur në temperaturën prej 18 deri në 20 gradë për 24 orë. Nëse vihet në frigorifer, mund të qëndrojë në temperaturën prej rreth 4-5 shkallësh deri në 72 orë. Nëse ngrin, madje dhe nga minus 18 deri në minus 20 gradë, mund të ruhet edhe deri në katër muaj.

Si të ngrohet?
Për çdo rast, qumështi i nënës mund të shfrytëzohet vetëm nëse është ruajtur në mënyrë të drejtë, përkatësisht nëse është ngrirë. Qumështi i ftohtë ngrohet në ujë të ngrohtë apo në ngrohës derisa të arrihet temperatura e përshtatshme për ta ushqyer beben.

Qumështi i ngrirë duhet të shkrihet në temperaturën e dhomës, dhe vetëm atëherë duhet ngrohur në ujë të ngrohtë ose në ngrohës. Qumështi i shkrirë nuk bën të futet sërish në frigorifer për t’u ngrirë.
Qumështi i nënës assesi nuk bën të ngrohet drejtpërdrejt në shporet e as në mikrovalë. /Telegrafi/

Të Ngjajshme

Portali Telegrafi ka kënaqësinë t'u ofrojë forum të lirë për komente dhe diskutim. Fyerjet dhe përdorimi i fjalëve banale, do të pasoj me përjashtim të menjëhershëm nga komentimi. Ju lutem lexoni rregullat këtu.

Shfaq Komentet (0)