LAJMI I FUNDIT:

Qofte e madhe e mbushur

Qofte e madhe e mbushur

Padyshim që receta e sotme përfaqëson një pjatë festash, një darkë mes miqsh ose familjarët tuaj

Do të na falënderoni pasi ta keni shijuar.


Përbërësit për 6 persona:

▪ 1 kg. mish i grirë viçi
▪ 6 vezë
▪ 600 -800 gr. spinaq
▪ 300 gr. proshutë e prerë në feta
▪ 1 tufë mendër
▪ 2 feta tul buke
▪ pak qumësht
▪ pak kripë dhe piper të zi
▪ 3-4 thelpinj hudhra
▪ 1 kg. qepujka
▪ 500 gr. gështenja
▪ disa degë rozmarine
▪ disa gjethe sherbelë
▪ disa gjethe dafine
▪ 1 gotë verë e bardhë
▪ 1 lugë të vogël sodë buke
▪ pak vaj ulliri

Përgatitja:

Gështenjat mundë t’i merrni dhe të ziera nëse përtoni të merreni me to nëse jo bëni një të çarë në mes të lëvozhgës së tyre dhe vendosini të ziejnë për nja 20 minuta, kullojini, lërini të ftohen dhe qërojini nga lëvozhga dhe lëkura e brendshme. Ruajini mënjanë.

Vendosni 4 vezë të ziejnë. Lërini të ftohen, qërojini dhe ruajini mënjanë.

Ndërkohë vendosni dhe bukën të zbutet në pak qumësht kur të jetë gati, shtrydheni dhe ruajeni dhe këtë mënjanë.

Grini imët spinaqin dhe vendosi të kavërdiset me pak vaj ulliri derisa të ulni paksa volumin e tij, përzieni për disa minuta të tjera dhe vendoseni në një kulluese dhe lëreni të kullojë gjithë ujin e tij të vegjetacionit.

Tani formoni brumin e qoftes duke shtuar tulin e bukës, pak kripë dhe piper të zi, sodën, hudhrat e shtypura, mendrën e grirë imët dhe 2 vezë. Përzieni mirë derisa përbërësit të lidhen mirë me njëri – tjetrin.

Shtroni një letër kuzhine, lyeni komplet sipërfaqen e sajë me pak vaj. Vendosni brumin e qoftes në të dhe shtrojeni mirë me duar derisa të keni një trashësi normale dhe të jeni në gjendje ta mbështillni. Shtoni sipër brumit të qoftes spinaqin dhe në mes vendosni vezët e ziera.

Mbështilleni me kujdes në mënyrë që vezët mos luajnë nga pozicioni i tyre. Ngjisheni fortë me duar dhe jepini një formë si rosto, shkruan addasall. Visheni me proshutë dhe më shumë kujdes vendoseni në një tavë të thellë.

Ngrijeni me gjithë letrën e furrës që shtruat poshtë që mos ju prishet forma e qoftes kur ta transferoni ne tavë.

Shtoni në tavë dhe gështenjat e ziera dhe qepujkat e qëruara, kriposini, aromantizojini me piper të zi dhe aromat, shtoni sipër tyre pak vaj ulli dhe një gotë verë të bardhë. Vendoseni të piqet në furrën e ngrohur në 180° për gati 1 orë.

Shërbejeni të ngrohtë.

Ju bëftë mirë.