LAJMI I FUNDIT:

Qehaja: Me Projektligjin e ri do të ketë një ‘FSK+’

Qehaja: Me Projektligjin e ri do të ketë një ‘FSK+’

Forcimi i mandatit të Forcës së Sigurisë së Kosovës me anë të propozimeve për ndryshimin e Ligjit për FSK-në po shihet si iniciativë e vonuar. Ndërsa, konsiderohet i paqartë momenti e qëllimi final i tij.

Në një intervistë për KALLXO.com, analisti për çështje të sigurisë, Florian Qehaja, ka folur për Projektligjin për FSK-në, armatimin, buxhetin për ushtri, misionin dhe shtimin e pjesëtarëve të FSK-së.


“Në përgjithësi konsideroj që iniciativa si e tillë është e vonshme sepse i bie sikur po veprohet me inercion përderisa MFSK, qendra që unë drejtoj (QKSS), disa deputetë si dhe shoqëria civile në përgjithësi kanë avokuar që 5 vite për marrjen e mandatit të mbrojtjes për FSK-në. Është ende e paqartë se pse është zgjedhur ky moment dhe cili është qëllimi final, aq më parë që iniciativa si e tillë nuk duket të jetë derivat i konsultimeve të brendshme në Qeveri dhe as me partnerët ndërkombëtarë bilateralë”, tha Qehaja.

Sipas tij është e rëndësishme të ketë një ligj të ri për FSK-në, sepse ndryshimet nga ligji paraprak janë mbi masën 40 për qind dhe sipas Qehajës për këtë kërkohet ligj i ri.

“Mundësia për ndryshimin e kompetencave dhe kufizimeve ekzistuese lejohet sepse hartuesit e Planit të Ahtisaarit kanë deleguar qëllimisht kufizimet me ligj”, deklaroi ai.

Qehaja tha se institucionet e Kosovës kanë qenë të mendimit se simbolika (emri) është shumë më e rëndësishme dhe kanë avokuar për ndryshime kushtetuese.

“Ky është opsioni ideal mirëpo nuk janë bërë kalkulimet e thella politike, sidomos viteve të fundit kur ka rritje shumë të madhe të agresivitetit nga Serbia në dëm të shtetndërtimit në Kosovë”, tha për KALLXO.com analisti Qehaja.

I pyetur cilat janë ndryshimet e Projektligjit për FSK-në me Ligjin aktual, Qehaja tha se bëhet fjalë vetëm për një FSK+.

“Fjala është për një “FSK+”. Pasi që misioni ushtarak nuk mund të merret tërësisht sipas Rishikimit Strategjik të Sektorit të Sigurisë (RSSS), mendoj pjesërisht në strukturë dhe nuancë, atëherë kemi të bëjmë me një institucion me mandat të mbrojtjes, i cili do të ketë karakter defensivë”, pohoi Qehaja.

Sipas tij nëse shkohet me ndryshime kushtetuese atëherë do të kishim pozicionin e Shefit të Mbrojtjes që është ekuivalent me Shefin e Shtatmadhorisë ndërsa me ndryshime ligjore, për shkak të terminologjisë, do të vazhdohet me pozicionin e komandantit të FSK-së.

Analisti Qehaja tha se FSK-ja nuk mund të marrë misionin ushtarak në plotëni për shkak të prezencës së KFOR-it në Kosovë, që sipas tij e ka të ‘betonuar’ tashmë këtë me Rezolutën 1244.

“Personalisht mendoj që ligji duhet të ketë dispozita kalimtare në fund, të cilat do të qartësonin marrëdhëniet në mes të FSK dhe KFOR-it derisa KFOR-i do të vazhdojë të qëndrojë këtu. Largimi i saj duhet të bëhet paralelisht me marrjen e kapaciteteve të plota ushtarake dhe në përputhje me ambientin politik e të sigurisë në rajon”, tha për KALLXO.com Florian Qehaja.

Në Projektligjin e ri, në nenin 4 mbi misionin e FSK-së përcaktohet mbrojtja e sovranitetit dhe integritetit territorial nga FSK-ja.

Qehaja tha se gjuha e përdorur në këtë Projektligj mbi mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial nga FSK-ja është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

“Për vetë faktin që Kushtetuta ka provizione ekzistuese që i referohen mbrojtjes së integritetit territorial si dhe ka terminologji thjesht ushtarake në nenin 125 atëherë mendoj që gjuha e përdorur është në përputhje me Kushtetutën”, deklaroi ai.

E në Projektligjin e ri për FSK-në, neni 6 nuk specifikon armatim të rëndë për Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Qehaja thotë se nuk ka buxhet që FSK-ja të pajiset me armatim të rëndë dhe sipas tij kjo as që mund të pritet.

“Sepse nuk kemi buxhet dhe as që mund të pritet. Për më shumë, nuk kemi qëllime sulmuese siç mund të kenë të tjerët. Qëllimi është që të krijohen kapacitete defensive, që i bie furnizimi me pajisje dhe armatim të kalibrit deri 120mm (varësisht nga modelet)”, deklaroi ai.

Sipas Qehajës, mirëmbajtja e pajisjeve ushtarake është tepër e kushtueshme dhe nuk mund të synohet diçka më shumë për 15 vitet e ardhshme.

“Me RSSS është paraparë blerja e autoblindave të rënda mirëpo jo edhe tankeve, blerja e helikopterëve transportues por jo edhe atyre ofensivë, blerja e mortajave dhe artilerisë së lehtë për nevoja të këmbësorisë. Me fjalë të tjera, priten investime në burime njerëzore e pajisje për krijimin e kapaciteteve grupore këmbësorie”, u shpreh ai.

Projektligji i ri ka paraparë edhe shtimin e komponentës aktive dhe asaj rezervë në FSK. Analisti Qehaja tha se kompletimi i FSK-së nuk mund të pritet para shtatë viteve.

Ai foli edhe për buxhetin që do të ketë FSK-ja për çka tha se çdo vit pritet të shtohen 5 milionë euro.

“Ky është vlerësim në përputhje me rritjen e GDP-së. Kur të arrihen kapacitet e plota pas 10 viteve, buxheti vjetor i FSK-së pritet të jetë afër 90 milionë euro. Duhet pasur parasysh që këtu nuk hyjnë investimet në baza bilaterale siç janë: pagesat për kryerjen e trajnimeve, pajisjet eventuale, mirëmbajtja, etj.”, theksoi analisti Qehaja.

Sipas Qehajës, me Projektligjin e ri po parashihet ndarja e Ministrisë dhe Shtabit të FSK-së.

“Aktualisht MFSK është një ministri e integruar, që i bie se aty bashkë janë Ministria me Shtabin. Me Projektligjin e ri, Ministria do të ndahet nga Shtabi. Në Ministri do të punojnë kryesisht civilët kurse në Shtab do të transferohet niveli drejtues ushtarak”, tha Qehaja për KALLXO.com.

Ai u pyet edhe për nenin 31 mbi betimin e ushtarëve të FSK-së që me Projektligjin e ri do të betohen se do të zbatojnë Kushtetutën dhe do t’i shërbejnë Atdheut, ndërsa me ligjin aktual të FSK-së kjo nuk është e specifikuar.

“Mendoj që ka qenë një çalim me Ligjin e kaluar sepse ndoshta ligji është përgatitë para Kushtetutës. Këto ligje në sferën e sigurisë janë përgatitur ‘në pako’ nga konsulentë ndërkombëtarë në vitet 2007 e 2008 dhe ka pasur lëshime në atë drejtim. Kështu që me gjasë kjo është rregulluar në Projektligjin e ri”, është shprehur Qehaja.

Sipas tij betimi mbi Kushtetutën dhe atdheun edhe nëse ka munguar me Ligjin ekzistues të FSK-së, kjo është mbuluar ose me Ligjin për Shërbim në FSK apo edhe me rregullore.

Projektligji për FSK-në që ka për qëllim forcimin e mandatit të kësaj force i është dorëzuar më 7 mars 2017 nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli. Por, ky propozim ishte kundërshtuar nga NATO dhe ShBA.

Në trend Lajme

Më shumë
Momenti kur vetura “fluturon” në Veternik dhe përplaset në një pompë derivatesh

Momenti kur vetura “fluturon” në Veternik dhe përplaset në një pompë derivatesh

Kronika e Zezë
Kryesuesja në KS të OKB-së përplaset ashpër me Vuçiqin për minutat e fjalimit

Kryesuesja në KS të OKB-së përplaset ashpër me Vuçiqin për minutat e fjalimit

Lajme
Përplasja e SHBA-së me Rusinë në KS të OKB-së: Nuk mund të ndryshoni historinë e intervenimit të NATO-s në Kosovë

Përplasja e SHBA-së me Rusinë në KS të OKB-së: Nuk mund të ndryshoni historinë e intervenimit të NATO-s në Kosovë

Lajme
Vasfije Krasniqi pas mbledhjes së Këshillit të Sigurimit: Serbia humb çdo betejë kur jemi në kushte të barabarta

Vasfije Krasniqi pas mbledhjes së Këshillit të Sigurimit: Serbia humb çdo betejë kur jemi në kushte të barabarta

Lajme
Katër të mbijetuara të luftës nuk u lejuan të futeshin në sallën e KS të OKB-së, Osmani refuzoi pjesëmarrjen derisa lëshoi pe protokolli

Katër të mbijetuara të luftës nuk u lejuan të futeshin në sallën e KS të OKB-së, Osmani refuzoi pjesëmarrjen derisa lëshoi pe protokolli

Lajme
Momenti kur Osmani i thotë Vuçiqit

Momenti kur Osmani i thotë Vuçiqit "Shikoj në sy dhe kërkoju falje katër viktimave të krimeve serbe"

Lajme
Kalo në kategori