LAJMI I FUNDIT:

Puthja e flamurit nga Reshat Arbana!?

Në vend të reagimit në shkrimin e Nexhmedin Spahiut “Kush e vodhi isa boletinin?”, botuar tek Telegrafi më 30 nëntor 2012, në rubrikën e opinioneve. Metamorfozat, idetë irracionale deri në shpërputhje intriguese, qoftë edhe si analogji, për një film, monument të kinematografisë shqiptare.

Të shpeshtën e herëve i lexoj shkrimet e Nexhmedin Spahiut. Më pëlqen vijëzimi dhe parapërgatitja prej një enciklopedisti të ideve dhe përpjekjet e tij për shpërfaqjen e temave e nëntemave nga më të ndryshme. Si një publicist me përvojë, ai di dhe ia arrin që të sjellë për lexuesit shkrime me një pragmatizëm të nevojshëm, te mahnitshëm dhe të kapshëm për rrethanat. Ja kam lakmi. Në të vërtetë janë situatat që ndodhin, si shkas për të vënë në shënjestër dukuritë negative dhe që janë përmbajtje e shkrimeve dhe opinioneve të Nexhmedin Spahiut.


Të pakta janë shkrimet që i lexoj dy herë. As shkrimin “Kush e vodhi Isa Boletinin?”! Por, dua të ndalem në “pjesën e parë” të shkrimit ku flitet për filmin “Nëntori i dytë”. Filmin e restauruar digjital dhe përshtatjen e subtitruar në anglisht, si projekt i Kinemasë Shqiptare nga kompania amerikane Colorlab Corp. Washington DC (SHBA), që kushtoi rreth 60 mijë euro, e pash në hapje te Festivalit te 13- të Filmit Shqiptar, që u mbajt në fillim të nëntorit në Tiranë. Një film i mrekullueshëm. Filmi ishte rinuar. Moment i veçantë. Një restaurim i “afërt” që të bën të ndjesh. Krahasimi mbetet i mangët. Filmi kishte gjak, kishte shpirt. Ishte rinuar dhe reflektonte ngjyrime më të afërta. Por, ja që në atë “skenën e diskutueshme” as në “variantin amerikan” nuk ish hequr fraza klithëse “rroftë Enver Hoxha”, diku në minutazhin e një ore e 11 minuta!

Nexhmedin Spahiu vë kësaj here kritika tek filmbërësit e filmit, sidomos te skenaristët dhe e ndërlidh punën dhe prodhimin artistik të tyre në shërbim të Enver Hoxhës! T’ia përkujtoj Nexhmedin Spahiut (edhe pse ai e di më parë dhe më mirë se unë) se katër nga ata dhjetëra e qindra krijues të filmit, katër më kryesorët nuk janë të gjallë: regjisori Viktor Gjika, njëri nga skenaristët Dhimitër S. Shuteriqi, aktori në rolin kryesor Sandër Prosi (ah, më fal Nexhmedin se ty duhet shkruhet emri siç është Aleksandër Prosi) dhe kompozuesi i muzikës (që ti sigurisht nuk ke vërejtje) Kujtim Laro. Por, mbi të gjitha nuk është gjallë as Enver Hoxha, ai për të cilin ju paska përkushtuar në nënimazh filmi!

Sa i përket analogjive mes strukturës së kërkimeve të filmit dhe mitit të Enver Hoxhës le ta lexojë Nexhmedini dhe një herë shkrimin e vet (pjesën “Miti në shërbim të Enver Hoxhës”). Pas 28 nëntorit, në mbrëmje të 29 nëntorit në kinema “ABC” në Prishtinë, u shfaq filmi dokumentar “100 Vjet me Himnin e Flamurit”. Fatkeqësisht, shikues vetëm 7-8 veta. Përmes një mediumi kërkova që filmi duhet të shikohet sidomos nga nxënësit e shkollave në mënyrë të organizuar, siç ndodhte herë pas here në disa shfaqje të filmave dokumentar në Festivalin e Filmit në Tiranë. Dhe, pas shikimit të filmit, me shkas, për ndonjë shkrim do të pyesja ndonjë nxënës se cila është ajo veprimtarja amerikane që e këndon Himnin e shqiptarëve pa sy në këtë film.

Të nesërmen, në një bashkëbisedim për një intervistë “private” (që në një të ardhme më të premtueshme do ta botoj si libër), regjisori i filmit Petrit Ruka në pyetjen në lidhje me skenarin e një vepre letrare tha se një vepër mund të bëhet në 100 a në 1000 filma dhe asnjëherë nuk është i shterueshëm sepse minutazhi, kohëzgjatja është çështje parësore në një film.

Filmi “Nëntori i dytë” nuk shteron as për së afërmi gjithë atë kohë të lavdishme, por konsideroj se është vepër monumentale që ngërthen përmbajtjen dhe rrugëtimin që me 28 nëntor 1912 përjetësohet në histori. Ndërsa, në shiritin e celuloidit si një vepër filmike epike e përmasave të papërsëritshme.

Premiera e filmit u bë njëherazi në Vlorë e në Tiranë më 27 nëntor 1982, në shenjë shënimi të Festimeve të 70 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Nga kritika e sotme (jo e atëhershme) për filmin “Nëntori i dytë” shkruhet: “… regjisori Viktor Gjika e ka mbajtur filmin në të gjitha elementet përbërëse artistike, në një ton sublim solemniteti të qetë. Ky solemnitet nis me pritjen solemne të ngjarjes epokale që po vjen, me udhëtimin e gjatë e solemn, me figurën solemne të Ismail Qemalit (Sandër Prosi), me solemnitetin e ceremonisë dhe mitingut të Shpalljes së Pavarësisë. Ky tonalitet i mbajtur nga regjisori nuk qe një interpretim krijues subjektiv, por i ri i kohës, kurse çasti historik që përbën ngjarjen e vërtetë në subjekt është më rëndësi e peshë të jashtëzakonshme…” (Abdurrahim Myftiu). “Me një realizëm poetik ai i mbetët besnik traditave më të mira të kinemasë botërore”, edhe kjo thuhet sot për filmin e krijuar 30 vite më parë.

Në kujtimet e tij Viktor Gjika (botuar pas vdekjes) thotë se skenari u miratua pa vërejtje esenciale nga Këshilli Artistik i Kinostudios. Pas shfaqjes së filmit janë xhiruar disa skena nga nisja e Ismail- Qemal bej Vlorës nga Stambolli. Pala turke i kishte siguruar të gjitha mundësitë për xhirime.

“Dukej sikur Sandri – Ismail Qemali – kishte pushtuar Stambollin dhe turqit i tregonin atij lëvizjet historike të kryera prej 70 vjet më parë…”, rrëfen regjisori Viktor Gjika.

Siç dihet ato skena kurrë nuk u futen në film. Sikurse as episodi “Beteja e Isa Boletinit në ura me tre harqe”. Për Ty z. Nexhmedin sigurisht se ke arsyetimin dhe do t’i sulmosh edhe këto fakte! Se Enver Hoxha s’ka vepruar në Stamboll dhe duhet hequr, se episodi i betejës së Isa Boletinit ka të bëjë me heroizmin e shqiptarëve të Kosovës dhe se nuk duhet vënë në pah, e të tjera, e të tjera.

Pavarësia e Shqipërisë është shpallur një herë dhe bashkë me të ngrihet flamuri. Dhe, siç thua edhe ti dhe jemi dakord me ty se të pranishëm ishin Rexhep Mitrovica e Dervish Mitrovica, pastaj nga Peja Bedri Pejani e Salih Gjuka. Në një skenë filmike thuhet se po ngrisim flamurin pa Isa Boletinin, sepse kemi këtu përfaqësuesit e Kosovës. Sa mirë ndërtohet episodi i mosmarrjes, pjesë te Isa Boletini, dhe kërkesa e tij që të ngritët dhe të Shpallet Pavarësia. Njëri nga kryesuesit lajmëron se “Elbasani lajmëron se Isa Boletini sapo kaloj Shkumbinin. Burri i Kosovës kërkon ta bëjmë menjëherë Shqipërinë e të mos presim!”, ndërsa Ismail-Qemal bej Vlora shprehet: “… dhe ne po e bëjmë. Ja ku e kemi Isa Boletinin, edhe Kosovën!” (dhe Aleksandër Prosi vë në pah me dorë Shpend Dragobinë të interpretuar nga Mario Ashiku).

Sipas teje z. Nexhmedin, jo për ironi, por duke lexuar pjesën e parë të shkrimit “Kush e vodhi Isa Boletinin?” duhet bërë copë-copë atë flamur dhe shpërndarë, sidomos përfaqësuesve nga Kosova, ose me ardhjen e Isa Boletinit duhet mbledhur edhe një herë përfaqësuesit dhe firmëtarët e aktit të ngritjes së flamurit (një skenë brilante filmike si gjetje artistike) dhe mos ta lejojmë Isa Boletinin ta puth flamurin, sepse fetishizohet simboli i kombit nga një malokë, siç konsiderohej nga Ismail-Qemal bej Vlora, siç po rrëfehet me gjuhën e imazhit filmik nga Viktor Gjika dhe siç po nëpërkëmbët nga “miti i Enver Hoxhës” vet personaliteti i Isa Boletinit, për ta ngrit flamurin tash për së dyti dhe me Isën! Dhe, ironia më e madhe, si s’u bë tani një film i ri për 28 Nëntorin?! Të bëhet një film për shpalljen e pavarësisë në Vlorë?! Këtu nuk e kuptoj gjendjen tënde dhe sulmin aq irritues që i bëni filmit “Nëntori i dytë”! Me çdo kusht donë ta eliminosh një vepër të krijuesve të papërsëritshëm siç ishin Viktor Gjika, Dhimitër S. Shuteriqi, Sandër Prosi e Kujtim Laro (po i përmendë këta që s’janë të gjallë) që sipas teje në imazh fshihet Enver Hoxha dhe kërkon të bëhet një film tjetër “ku aktori kryesor në mos arrinte ta transmetonte karakterin e Ismail-Qemal bej Vlorës, të paktën do ta transmetonte karakterin e Sali Berishës”.

Për ty “të paktën ky do të ishte një përparim”. Dhe, skena e fundit të mos puthet flamuri, por të ngritët nga Isa Boletini! Flamuri ngritët vetëm një herë dhe puthet miliona herë! Mijëra shqiptarë, jo vetëm nga Kosova kur hynë në Shqipërinë shtetërore nuk ngritën flamuj, por puthen tokën e At(ë)Dheut të tyre, puthën flamurin, simbolin e kombit të tyre.

Sipas teje, jo sipas nxënësit, çfarë është dashtë të të thotë ky i fundit?! Se nxënësit është dashtë t’i shpjegohet se rolin e Isa Boletinit interpreton Reshat Arbana, se Isa Boletini nuk e ka puth flamurin në të vërtetë, po ka thirr të gjithë të pranishmit, përfaqësuesit nga Kosova dhe në një kënd të Vlorës ka ngritur flamurin “tjetër” shqiptar (apo të dizenjuar rrugës një tjetër)!? Ky është ai gabimi regjisorial dhe i skenaristëve Dhimitër S. Shuteriqi e Kiço Blushi. Apo në variantin më të keq, ka sharë të gjithë ata pjesëmarrës që pa praninë e tij ngritën flamurin në Vlorë! Shpjegim tjetër nuk di se mund të këtë në lidhje me burrërinë e puthjes së flamurit, apo fetishizimin e simbolit kombëtar përmes puthjes!

Para vdekjes së regjisorit Viktor Gjika, me të kam bërë një intervistë të gjatë. Një gjë më mbeti merak se pse nuk deshi të flas për atë frazën, klithjen “e mbetur në film” nga ndonjë figurant i papërgjegjshëm, por i vetëdijshëm! Dhe, në mes të dilemës se një pyetje për krijuesit e filmit në lidhje me mizanksenën e fundit të filmit monumental “Nëntori i dytë” shkrova këtë përshtypje pas leximit të shkrimit “Kush e vodhi Isa Boletinin?”, jo për ndonjë replikë, as për të zhvlerësuar, përkundrazi, por edhe për kujdesin që duhet të kemi ndaj veprave të papërsëritshme, që na kanë formësuar në njohjet dhe dijen, dhe atë përmes gjuhës së filmit. Dhe, më shumë se kaq, një kontribut në mundësinë se arti është gjuhë e “të kundërtave” që në të shpeshtën e herëve deformohet me qëllim!

Në historiografinë e kinematografisë shqiptare nuk di ndonjë vepër filmike që është bërë me më përkushtim sesa “Nëntori e dytë”. Dhe, e di që asnjë vepër filmike nuk e arrin përsosmërinë e përkryer artistike. Dhe ideore gjithsesi. Ky film ka arritur të mbledh gjithë dijen e kineastëve që të përjetësohet në shirit filmik, rrjedha dhe akti i ngritjes së Flamurit, shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.

Një të dhënë tjetër, si një analogji shpërputhëse me shkrimin tuaj, me “sulmin” që ia bënë ideatorëve dhe krijuesve të filmit “Nëntori i dytë”:

Aktori i mirënjohur Kadri Roshi, interpretuesi i dhjetëra antologjive në teatër dhe në film, kishte ikur në botën tjetër me një brengë apo merak, se si nuk e interpretoj dot personalitetin e Ali Pashë Tepelenës. E kishte si ëndërr dhe i mbeti ëndërr. Dhe, sa do të doja që aktori i gjallë Reshat Arbana ta pyesnim se cila është ëndrra juaj në fundin e filmit “Nëntori i dytë”?! Do të donte ta hiqte atë skenë? Jo për ironinë, po t’mos identifikohesh me fetishizmat e skenaristëve dhe regjisorit në “uljen” e personalitetit të Isa Boletinit me puthjen e Flamurit, xhiruar në vitin 1982 (vetëm 3 vjet para vdekjes së Enver Hoxhës) siç kanë bërë me skulpturën e Isa Boletinit 30 vjet më pas në Mitrovicë?! Apo mos eshtrat dhe hija e Isa Boletinit enden (jo si një analogji fetishizmi simbolik) po sikurse personazhi kryesor (në interpretim te Abdurrahim Shalës) në filmin “Njeriu prej dheu”.

Tashmë “Skënderbeu”, bashkëprodhimi shqiptaro- sovjetik, i vitit 1953, është restauruar dhe dubluar me parametra bashkëkohorë dhe në gjuhën letrare, ndryshe nga origjinali në variantin gegë me zërin e 60 aktorëve më të njohur të kinematografisë shqiptare. Në kuadër të Ditëve të Kulturës Shqiptare në Rusi, si dhe në kuadër të 100-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë në Moskë, ditë më parë u shfaqen disa nga projektet më përfaqësuese të filmit shqiptar. Në mesin e tyre ishte edhe filmi “Skënderbeu” (varianti i vitit 1953) i cili ishte kthyer në Moskë pas 59 vjetësh, që sipas disa mediave nostalgjikë e të rinj janë shprehur shumë të kënaqur që kanë mundur ta ndjekin atë. Nga dita e martë kemi rastin ta shohim variantin e ri si premierë në kinema “ABC” në Prishtinë, që sipas regjisorit të njohur Piro Milkani, është bërë në mënyrën më të mirë, më artistike të mundshme. Dhe, përderisa ai film është bërë në mesvitete ‘50-ta të shekullit të kaluar, ti z. Nexhmedin do arrish t’ia deshifrosh se kush, apo cili politikan fshihet pas aktorit kryesor rus, në rolin e Skënderbeut?! Tashmë jo ndonjë Enver Hoxhë, po ndonjë Josif Visarionovic Stalin që vdiq mu atë vit kur është xhiruar filmi “Skënderbeu”, apo Nikita Hrushev. Ti mund ta dish!

P. S.
Sa i përket skulpturës së Isë Boletinit, të ngrirë në bronz, po ta rilexoja Zigmund Frojdin, psikoanalizat e tij për artin e Mikelanxhelos do të ishte edhe më ndryshe, apo edhe me përputhëse me shkrimin tuaj.