LAJMI I FUNDIT:

Punëtorët e sektorit privat pa sindikata nga frika e humbjes së punës

Punëtorët e sektorit privat pa sindikata nga frika e humbjes së punës

Në Kosovë sektori privat llogaritet punëdhënësi më i madh, njëkohësisht edhe ku nuk respektohen të drejtat e punëtorëve. E për të mbrojtur të drejtat e tyre, nevojitet krijimi i sindikatave, veprim ky që kërkon guxim nga punëtorët përballë menaxherëve të kompanive përkatëse.

Përfaqësues të Sindikatës së punëtorëve dhe vetë punëtorë pranojnë se nga frika e humbjes së vendit të punës, punëtorët heshtin karshi shkeljes së të drejtave të tyre.

Albana, qytetare nga Prishtina, tregon se ka punuar në disa kompani private. Ajo tregon se në një qendër tregtare në periferi të kryeqytetit në mes punëtorëve, vazhdimisht është diskutuar çështja e krijimit të sindikatës, por në praktikë askush nuk ka guxuar të marrë një hap të tillë.

“Në një qendër tregtare në një kompani kemi punuar deri në 20 punëtorë. Gjithmonë është folur në mes punëtorëve, por nuk është bërë, për shkak se secili nga ne është frikësuar se do të humb vendin e punës”, thotë Albana.

Se frika nga humbja e vendit të punës është arsye e moskrijimit të sindikatave në sektorin privat, thonë edhe përfaqësues të Bashkimit të Sindikatës së Pavarur të Kosovës (BSPK).

Alush Sejdiu, nënkryetar në BSPK, thotë se në këtë sindikatë ka pasur disa ankesa anonime, të cilat që për shkak të inicimit të krijimit të sindikatës brenda kompanisë, janë ndëshkuar nga pronari në forma të ndryshme, e madje ka ndodhur edhe humbja e vendit të punës.

“Janë ankuar sepse ka pasur pasoja edhe me largim nga puna, edhe më ndërrim të vendit të punës dhe me të gjitha çështjet që punëdhënësi mund të aplikojë në raste të tilla”, thotë Sejdiu.

Edhe zyrtarë qeveritarë pranojnë se në sektorin privat nuk funksionojnë sindikatat.

Basri Ibrahimi, kryeinspektor i Inspektoratit të Punës që funksionon në kuadër të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, thotë sindikatat në këtë sektor janë të rëndësishme, por që gjatë inspektimit të kompanive nuk kanë hasur në ndonjë sindikatë.

Ibrahimi tregon se në bazë të ligji, formimi i sindikatës është i lejueshëm, por jo i obliguar.

“Është fakt se në asnjë subjekt afarist privat nuk ka organizim sindikal. Organizimi sindikal është vullnetar, nuk është i detyrueshëm. Mirëpo edhe pse është vullnetar, punëdhënësi nuk e ka të drejtën që të ndalojë organizimin sindikal. Dhe, në qoftë se punëdhënësi bën pengesë për organizim sindikal të punëtorëve, atëherë ne e sanksionojmë”, bën të ditur Ibrahimi.

Sipas përfaqësueseve të punëtorëve, në këtë sektor, ku llogaritet se punojnë mbi 220 mijë persona, sindikatat nuk janë themeluar për faktin se pronarët, organizimin sindikal e shohin si rival, e jo si partner bashkëpunimi.

Sindikata, po ashtu, ka fuqi të madhe ligjore për t’i mbrojtur anëtarët e vet me anë të grevave të ligjshme. Sindikata mund të pezullojë punën e ndërmarrjeve, derisa të drejtat e punëtorëve të mos shkelen.

Organizatat sindikale, madje, mund t’i drejtohen gjykatës për veprime ndërhyrëse ose kërcënime ndaj punëtorëve. /rel/