LAJMI I FUNDIT:

Psikologu dhe roli i integrimit të tij në institucionet shkollore

Duke pasur parasysh faktin që jemi një shoqëri e cila është duke përjetuar periudha tranzicioni mjaft të vështira, duke filluar nga fusha politike, sociale e deri tek ajo intelektuale, sot jemi dëshmitarë të shumë ngjarjeve që po i përcjellin këto faza, të cilat si të tilla në të shumtën e rasteve po i japin kahe shoqërisë sonë drejt ngecjes, stagnimit, duke penguar zhvillimin e mëtutjeshëm të shoqërisë sonë.

Pothuajse nuk kalon një ditë e vetme, që në institucionet e tona shkollore (veçanërisht në shkollat e mesme) të mos ndodhin ngjarje negative dhe probleme të njëpasnjëshme, duke implikuar kështu në proceset e të nxënit-edukative. Dëgjojmë shpesh në lidhje me dhunën në shkolla dhe një shtim alarmant i saj, sjellje vandaliste, grushtim dhe akte fizike ndërmjet nxënësve, shpesh edhe nxënës-mësues, dhe është rrëqethëse, kur nxënësi bie në një nivel kur e qëllon mësuesin-personin prej të cilit burim e ka dijen, pastaj dhunime të njëpasnjëshme, goditje me armë të ftohta, mashtrime, rënie të interesimit të nxënësve për procesin mësimor si asnjëherë më parë, trillime dhe gënjeshtra utilitare të njëpasnjëshme, shtim i ‘nevojës’ për kafe dhe anashkalim i librit, leximit, shtim alarmant i përdorimit i substancave narkotike, dhe shumë sjellje tjera negative, të cilat në kontekstet tona sociale, vetëm sa e vështirësojnë jetën e individit, e dëmtojnë rininë dhe shoqërinë tonë dhe si të tillë njëherit janë pengesa më e madhe për zhvillimin e shoqërisë.


Është bërë rutinore që pjesa më e madhe e kohës së mësimdhënësve të kaloj në dhënien e këshillave në lidhje me rritjen e nivelit te interesimit të nxënësve për mësim, duke përdorur metoda për një motivim të tyre mirëpo edhe këto aspekte tejet ambicioze, po kalojnë pa efekte pozitiv. Pikërisht këto ngjarje negative e bëjnë që të jetë urgjencë një intervenim imediat, për integrimin e sa më shumë faktorëve relevant nëpër shkollat tona, veçanërisht kur flasim për shkollat e mesme, me qëllim parandalimin e këtyre dukurive negative, të cilat po e stagnojnë zhvillimin e shoqërisë.

Shoqëria ‘vdes’ kur ‘vdes’ rinia e një vendi

Pa asnjë dyshim që rinia është baza dhe burimi i çdo prosperiteti të një vendi. Prej një rinie të shëndoshë intelektualisht, të mirëedukuar, mbesin shpresat për zhvillimin e tërë shoqërisë, e kundërta është vdekje e saj. Tani, si asnjëherë më parë kemi nevojë për një shoqëri të shëndoshë. Nëse rinia është baza e saj, atëherë pa mëdyshje mund të themi se e posedojmë. Këtë sot e vërtetojnë edhe statistikat e hulumtimeve të ndryshme të bëra në këtë aspekt.

Po përse “s’po ecën”?

Përse jemi ende këtu? Përse stagnuam edhe pas pavarësimit, veçanërisht në fushën e arsimit? Janë të përfshira shumë ‘përse’. Po përse? Nuk ka dyshim që këtu janë të involvuar një sërë faktorësh të cilët do na merrnin kohën në rast prezantimi të tyre, por padyshim që nëse do të arrijmë të krijojmë një bazë fortë edukimi në këtë aspekt, nuk do të mungojë zhvillimi, prosperiteti, pozitiviteti dhe arritjet të cilin kaherë i kemi merituar si shoqëri.

Si dhe ku të arrihen këto? Pa dyshim që luajnë rol një sërë faktorësh mirëpo këtë zhvillim padyshim në rend të parë do e ndihmonte më së miri edukimi dhe një arsimim i mirëfilltë i rinisë sonë. Kjo rini është pjesë integrale e të gjitha proceseve të shoqërisë. Zhvillimi i tyre varët nga edukimi dhe arsimimi i saj dhe s’ka dyshim që këtë më së miri e ofron shkolla. Mirëpo edhe ky institucion shpesh nuk po arrin në ndikimin e duhur në këtë aspekt, kjo sepse duhet pasur parasysh faktin që individi zhvillohet, formohet nën ndikimin e shumë faktorëve të tjerë relevant.

Prandaj, shpesh kur flasim rreth problemeve të tilla nuk duhet çdoherë që fajin ta vëmë tek shkolla. Jo. Problemet e tilla mund të ndodhin, të zhvillohen brenda këtij institucioni, mirëpo kjo nuk nënkupton që janë rrjedhojë dhe shkak i saj.

Mirëpo, pasi që këto probleme po rrjedhin, zhvillohen në kontekst të institucioneve shkollore dhe nëse ky institucion e posedon aftësinë e ndryshimit të rrjedhës së tyre, atëherë është më se e arsyeshme dhe e domosdoshme të gjinden faktorët qe ndikojnë rreth tyre dhe mënyrat për parandalimin ose evitimin e këtyre sjelljeve ‘vandaliste’, të cilat po e pengojnë procesin e të nxënit, po ndikojnë në humbjen e motivit për nxënie edhe tek nxënës/student të dalluar, po e vështirësojnë jetën intelektuale dhe njëherësh po janë pengesë edhe për mësimdhënësit, padashje.

Atëherë kush dhe si mund të ndihmojë në këtë aspekt? Patjetër që janë shumë faktorë, mirëpo duke qenë që ‘po provoj t’i zgjas këmbët sa më ofron mundësi jorgani’, atëherë do e ceki vetëm njërin nga shumë faktorët faktorë, por që rëndësinë e tij e kanë dëshmuar praktikisht tashmë edhe eksperiencat paraprake të individëve të kësaj lëmie. Po flas për psikologun. Përse?

“Dhuna sjell vetëm dhunë”

Gjeneratat e reja janë kundër sistemit i cili është pro përdorimit të formave tradicionale për kontrollimin e sjelljeve (përkundër disave që nën një sistem total diktatorial, komunist ende vazhdojnë të jenë pro), janë kundër edhe vet mësimdhënësit dhe pro mbështetjes së tyre është patjetër edhe ligji.

Format e vjetra (të cilat përgjithësisht ishin të dhunshme) të kontrollit në shkolla (të tilla siç ishte përdorimi i të famshmes “thupër”, pastaj ngrehja e veshit, duke vazhduar me britma, largim nga ora, të goditurit me shuplak, turpërim para shokëve dhe format e tjera totalisht negative për kontrollim të sjelljeve nga ana e mësuesve) asnjëherë nuk ishin efektive në parandalimin, largimin, shmangien dhe eliminimin e sjelljeve negative. Përkundrazi, është dëshmuar që shumë sjellje negative të nxënësve janë nusprodukte të përdorimit të formave të dhunshme nga ana e arsimtarëve për kontrollimin e sjelljeve të tyre.

Ku qëndron rëndësia e inkuadrimit të Psikologut në këto çështje?

Nëse shkon në një shkollë te mesme, ku sot fatmirësisht ekziston psikologu i shkollës dhe pyet në lidhje me suksesin e arritur ne parandalimin e sjelljeve negative dhe në përgjithësi për suksesin e arritur drejt evitimit të tyre (përkundër numrit marramendës të nxënësve i cili fare nuk koincidon me numrin e psikologëve) mund të bindesh që efektiviteti dhe suksesi është i pashmangshëm.

Kjo është mundësuar pikërisht me vendimin e Ministrisë së Arsimit për integrimin e psikologëve nëpër shkollat e mesme në këto vitet e fundit. Kjo ndikoi direkt edhe në evitimin, largimin e qasjes paragjykuese të individit kundrejt psikologut dhe rolit të tij. Tashmë roli i tij shikohet me pozitiv dhe pa asnjë tendencë paragjykimi.

Po përse pra ai nuk posedon ndonjë ‘shkop magjik’, mirëpo primare janë njohuritë e tij, të cilat bëjnë që të shmanget nga përdorimi i formave tradicionale për kontrollimin e sjelljeve, për mbajtjen e një rendi dhe qetësie në shkollë dhe kjo si rezultat i përdorimit të formave, mënyrave, teknikave shumë efikase, të dëshmuara për kontrollimin e sjelljeve që përdor ai.

Mirëpo një gjë e cila vlen të theksohet është fakti që në shkollat tona sot mbretëron një numër mjaft i madh nxënësve që patjetër se do reflektonte negativisht në ndihmën e faktorëve të tillë. Kjo na bën të nënkuptojmë që numri i tepërt i nxënësve shpesh e humb edhe efektivitetin e psikologut/ve, sepse realisht do të duhej të koincidonin dhe të ishte më i arsyeshëm koordinimi i numrit të nxënësve në raport me psikologun.

Pastaj efektiviteti i tij, i këshillave të tij varet edhe nga një kooperim i cili sot në të shumtën e rasteve mungon, ai i prindërve dhe familjareve në përgjithësi me kuadrot e institucioneve shkollore. Është i rëndësishëm sepse ndikimin më të madh në edukimin e një individi e ka para së gjithash rrethi i ngushtë social (në këtë kontekst, ai familjar), prandaj çdo vizitë dhe konsultë e prindërve me personelin e shkollës (veçanërisht psikologun) do të kishte ndikimin më të madh në evitimin e sjelljeve negative tek nxënësit.

Është momenti për një vetëdijesim mbi rolin që ka arsimi në zhvillimin e një vendi, duke provuar kështu që të jemi një shoqëri e cila pret gjenerata të reja, duke përcjellë me sukses të parat dhe padyshim, çdoherë duke e theksuar rolin e asaj që e quajmë “DIJE” në edukimin, formimin, zhvillimin e shoqërisë.

Mbesim me shpresa që para së gjithash të kemi një vetëdijesim të institucioneve për një integrim sa më të madh të psikologëve në shkollat tona, të kemi rritje motivimi, duke filluar nga prindërit e nxënësve për bashkëpunim në këtë kontekst, pastaj, për një stimulim më të madh të nxënësve për mësim dhe aspekte tjera me vlera pozitive rreth fuqive intelektuale, sepse kjo është ndër mënyrat më efikase që para së gjithash ta ‘rrëfejmë’ veten si shoqëri me vlera, që promovon dije, kuadro profesional e intelektualësh dhe kështu pra ‘le të ecim përpara’.

(Autori është Psikolog i diplomuar në Universitetin e Prishtinës)