LAJMI I FUNDIT:

Pse më sulmoni?

Pse më sulmoni?

Fill pas botimit të shkrimit tim “Edi Rama narçizizmi malinj dhe shoqëria shqiptare”, si për ta ilustruar çka shkruaja, filluan sulmet denigruese kundër meje në stilin e manipulatorit pervers. Titujt bombastikë qenë se Lubonja paska “shitur”, “denoncuar”, “spiunuar” të atin dhe se duhen hapur dosjet e këtyre lubonjëve se pse këta kanë dashur të fusin në burg edhe Kadarenë.

Ishte një gjellë e gatuar një herë në kuzhinat e universitetit privat UET, por duke mos pasur ndonjë më të mirë e ringrohën dhe ua dhanë shqiptarëve në restorantet e tyre, ku vetëm era e së vërtetës nuk ndihet. Për t’i dhënë edhe ca më shumë shije, nxorën nga prapaskena ku qëndronte edhe kuzhinierin e parë, Kadarenë vetë, me një letër që përforconte akuzën se unë paskam dëshmuar se ky paska ndikuar Todi Lubonjën dhe se nuk ma falte këtë denoncim politik.

E kam dhënë një herë përgjigjen ndaj këtyre akuzave në nëntorin e kaluar, ku citoj edhe Giani Rodarin “Në vendin e gënjeshtrës e vërteta është një sëmundje”, por mendoj se lufta për ta mbajtur gjallë të vërtetën nuk duhet reshtur pasi përndryshe kultura e manipulatorëve perversë, do të vazhdojë ta dehumanizojë këtë shoqëri edhe më keq se ç’e ka dehumanizuar – siç e provon edhe ky sulm kaq i ulët.

LIDHUR ME PROCESIN HETIMOR DHE GJYQËSOR

Manipulimi me dokumentin që kanë nxjerrë është në tre plane; së pari, ai nuk niset të kërkojë të vërtetën e Fatos Lubonjës në raport me të atin dhe Kadarenë në atë proces, por të denigrojnë Fatos Lubonjën, së dyti, me faktin se dokumentin e kanë nxjerrë nga konteksti dhe së treti, edhe vetë tekstin e kanë deformuar dhe interpretuar sipas interesave të tyre.

Përsëris, e vërteta është se unë jam arrestuar në të njëjtën kohë (Korrik 1974) së bashku me babain, xhaxhain dhe burrin e hallës, pasi Sigurimi, nëpërmjet agjentëve të tij dhe teknikave operative të përgjimit, arriti të zbulojë të fshehura në shtëpinë e xhaxhait në Tiranë disa armë të babait së bashku me shkrime të tij e të mijat që përbënin “agjitacion propagandë armiqësore”. Pra, që këtu bie sedërgjia sikur unë, nuk paskam gjetur kënd tjetër në këtë jetë për të denoncuar që të marr favore, por njeriun më të dashur, tim atë (dhe Kadarenë).

Ne kemi qenë së bashku, për shtatë muaj nëpër qeli të ndryshme në një proces të tmerrshëm hetimor, të drejtuar nga famëkeqët Nevzat Haznedari e Koço Josifi pa asnjë të drejtë njerëzore si avokati, takimet me familjen e të tjera si këto. Ndonëse shkrimet i kishte fshehur im atë, mora përsipër se e kisha bërë unë dhe kështu mbeti. Por, ndërkaq, pas arrestimit tonë, gjatë kontrollit në shtëpinë time në Tiranë, kishin gjetur një letër me shkrimin e tij që ma kishte dërguar nga Lezha, ku ishte i dëbuar asokohe, që u bë drama e gjithë hetuesisë sime. Pjesa e parë e saj ishte një reagimi i tij ndaj lajmit që i kisha çuar unë nga Tirana nëpërmjet vëllait pas sëmundjes së infarktit që diktatori kishte kaluar në dhjetor 1973. Im atë përdorte nofkën ”dajarja”, të cilën e përdornim kur flisnim për të në shtëpi, duke e etiketuar si “imbecil paranojak”, “narçizist mizerabël” që i është “prishur me kohë ekuilibri i trupit dhe mendjes” etj. Mjafton të lexoje përmbajtjen e kësaj letre për të kuptuar se në ç’gjendje u ndodha.

I pyetur se për cilin bëhej fjalë, u thashë një herë një emër e pastaj një tjetër që nuk korresponduan asnjëri me personin që u kishte dhënë im atë. Ndërkaq, sa në sajë të teknikave operative të përgjimit që ata kishin vendosur në shtëpi, si dhe nga spiuni, të cilit i isha hapur në birucë, ata e dinin se për cilin bëhej fjalë. Pasi më thanë se im atë e kishte pranuar dhe ishte varur pa gjyq, jo pushkatuar, dhe se edhe të gjithë njerëzit e familjes ishin brenda dhe e pohonin, e pranova se bëhej fjalë për Enver Hoxhën. Përveç kësaj prove shkatërruese, ata kishin materiale nga dosja e përpunimit që më kishte hapur

Sigurimi qysh para një viti, me bashkëpunëtorë dhe përgjime, nga dëshmitarë që i thirrën me hir dhe pahir të flisnin për aktivitetin tonë “armiqësor”, si dhe analizat e tre ekspertëve: ai i romanit, ai i ditarëve dhe ai i poezive. Ndër këto më të rëndat ishin deponimet e Mihallaq Luarasit, që ishte arrestuar e dënuar afro një vit më parë. Mes të tjerash, ai kishte thënë edhe se im atë i kishte dhënë faqe të romanit tim, që m’u gjet i fshehur, i shkruar sipas “rrymave të romanit të ri francez që Todi i lavdëronte”. Madje kishte treguar edhe diçka nga përmbajtja edhe se si ishte vazhdimi sipas çka i kishte thënë im atë. Kjo provonte se im atë kishte dijeni edhe për shkrimet e mia.

Përballë këtyre provave që m’u dukën të pakundërshtueshme me moshën dhe pjekurinë që kisha në atë kohë (23 vjeç), nën kërcënimet se po të mos pohoja gjithçka dija, do të më fusnin në dhomën e torturës, u rezistova presioneve rreth akuzës për terror që donin të na shtonin lidhur me armët e gjetura, por pranova, duke u hequr sikur po u thosha gjithçka, disa nga akuzat. Por, u përpoqa t’i justifikoj çfarë kisha thënë e shkruar, dhe veçanërisht, pse im atë kishte shkruar një letër të atillë, jo me urrejtjen e thellë principiale që kishim për atë regjim dhe atë diktator, por me pakënaqësira personale të miat e të tim eti ndaj vendimeve të paekuilibruara apo disinformimit të Enver Hoxhës. Gjithsesi dokumentet nuk pasqyrojnë saktë fjalët e mia, por një versionin ku këtyre u shtoheshin interpretimet rënduese të hetuesve, gjë që ka qenë në stilin e hetuesisë së asaj kohe.

Më pas, arrita të kuptoj se im atë ishte gjallë, pasi i dëgjova zërin teksa e çonin në banjë dhe nuhata se mund të kishte thënë se letra bënte fjalë për dajën tim, ngase më pyetën një ditë nëse daja kishte qenë i sëmurë. Arrita të shkëmbeja me të edhe një pusulle që ma bëri të qartë se ai s’i kishte pranuar akuzat. Atëherë ndërrova version duke u thënë se ishim keqkuptuar për dajaren. Për të mos më lënë të konkordoj me të, nuk më bënë as akt ballafaqimi që parashikohej nga procedurat, madje atë e ndanë nga ne të tre dhe i bënë proces më vete, ku unë kam thënë versionin e keqkuptimit për dajaren.

Me përvojën, pjekurinë dhe forcën psikologjike që fitova më vonë, sigurisht nuk do të kisha rënë në ato gracka ku kanë rënë shumë të arrestuar, madje duke pranuar edhe gjëra të paqena që i kanë çuar në pushkatim. Këtë e provon hetuesia e dytë ku kam refuzuar të firmos çdo dokument që nga urdhri i arrestit, si edhe gjithë qëndrimi im në burg, që u bë shkak të ridënohesha e të lirohem nga burgu vetëm me grupin e fundit të të burgosurve politikë më 17 mars 1991.

FRAGMENT NGA LETRA E TODIT:

“Fatos, kur muarëm vesh se dajarja ishte sëmurë na erdhi shumë keq. Por, nuk na shkonte ndërmend që ky imbecil paranojak të ketë rënë në dashuri. Po atij s’i mbahen dot as nofullat. Ai nuk mundet të puthet as me vdekjen. Atij s’i mbahen as pantallonat. Dashuri, ai manjak që nuk di ç’është dashuria. Një narçizist mizerabël dhe asgjë tjetër.

Prandaj t’i thuash nga ana ime o të heqë dorë nga maskarallëqet ose ndryshe në esfel të shkojë dhe një sahat e më parë.

Kur të vish këtu, do të bisedojmë më gjatë. Sill me vete dhe psikanalizën që të shikojmë se në ç’kategori duhet të futet më me saktësi: epileptik, sifilitik, apo çfarë; në cilën kategori të imbecilëve.

Dajres duhet t’i jetë prishur me kohë ekuilibri i trupit dhe mendjes…”!

MANIPULIMET E KADARESË & CO

Siç e kam thënë edhe në shkrimet e nëntorit, në dosjen time hetimore, të cilën sapo e kam shfletuar faqe për faqe, nuk ka asnjë rresht pyetjeje dhe asnjë rresht përgjigjeje për Kadarenë. Emri i tij pra nuk ekziston në deponimet e mia në hetuesi. Dokumenti nga kanë nxjerrë frazat që i kanë manipuluar është një përmbledhje e deponimeve në gjyqin tim, të xhaxhait dhe burrit të hallës, që janë futur në dosjen e tim eti, të cilin, siç thashë, e gjykuan veçmas, pak kohë pas nesh. I pyetur nga prokurori se ç’mendonte Todi Lubonja për letërsinë në vendin tonë, siç tregon teksti i shkruar me dorë nga sekretarja, përgjigjja ime ka qenë se “ka pëlqyer shkrimtarët Ismail Kadare, Dritëro Agolli. Për të tjerët thoshte që këta nuk shkruajnë mirë, nuk kanë kurajë pse vuajnë nga skematizmi. Ky ka qenë mendimi i tij për letërsinë tonë”. Pas kësaj vazhdon fjalia “për ditarin babai im nuk ka dijeni”.

Emrat e Kadaresë dhe të Agollit i kam përmendur në mbrojtje të tim eti, siç kam thënë edhe se për ditarin nuk kishte dijeni. Sepse, këta dy autorë konsideroheshin asokohe, si dy buajt që tërhiqnin qerren e letërsisë sonë të realizmit socialist – siç shprehej Mehmet Shehu për ta. Agolli asokohe u bë kryetar i Lidhjes dhe gëzonte besimin maksimal të partisë; Kadarenë e kishte lëvduar Enver Hoxha vetë për “Dimrin e madh”. Veçanërisht përmendja e Agollit e provon këtë që them, sepse im atë, në të vërtetë, për letërsinë e Agollit në atë kohë nuk kishte konsideratë.

Në daktilografimin e shkrimit me dorë, hetuesit, në stilin e tyre manipulues, kanë hequr emrin e Agollit dhe kanë zëvendësuar “skematizmin” e “të tjerëve” me “të tjerët kanë frikë”. Emrin e Agollit hetuesit e kanë hequr, jo pse e ndanin atë nga Kadareja si shkrimtar të pushtetit, por për ta përputhur me dëshminë e Luarasit, i cili kishte deponuar se im atë nuk e vlerësonte letërsinë e Agollit. Por, edhe nga deponimet e Luarasit, në vendet ku përmendet Kadareja, nuk flitet për një shkrimtar të lidhur me “idetë armiqësore” të Todi Lubonjës, të cilin Sigurimi donte ta mbërthente, por si shkrimtar “për të cilin (Todi) tregonte miqësi e simpati”, që në rrafshin letrar e pëlqente, por gjithsesi e konsideronte shkrimtar të pushtetit me kufizimet e asaj letërsie.

E pra, ku qëndron këtu denoncimi im kundër Kadaresë? Medemek se e pëlqente Todi Lubonja. Po këtë e dinin të gjithë, siç dinin se kishin edhe miqësi, siç dinin se Kadarenë e pëlqente edhe Enver Hoxha etj. Por, sot, pasi ka ndërtuar mitin e kundërshtarit të regjimit me manipulim fraza mund të bëhet edhe denoncim armiku. Kështu, veglat e Kadaresë, në versionin e para disa muajve, e manipuluan frazën time dhe i hapën gazetat me titujt sikur paskësha deponuar se Todi Lubonja thoshte se “vetëm Kadare shkruan të vërtetën”. Në asnjë nga dy versionet e dosjes nuk gjendet fjala “e vërteta”. Kurse në interpretimin e fundit, manipulimi bëhet edhe më i trashë.

Në bashkëpërkim me ish-kryehetuesin Qemal Lame, Kadareja e interpreton frazën time sikur të kem thënë se është Kadareja (medemek më i rrezikshmi i armiqve të regjimit asokohe) që e paska “ndikuar” Todi Lubonjën, i cili më ka ndikuar mua?! E vërteta është se në një autokritikë të asaj kohe Kadareja thoshte se për gabimet e tij kanë ndikuar lajkat që i bënte armiku Todi Lubonja. Dhe, po të donte vërtet Sigurimi ta mbërthente, siç pretendon ky, kjo frazë mund ta rëndonte më shumë sesa fraza ime se e simpatizonte Todi Lubonja.

Siç e kam thënë edhe në përgjigjet e mëhershme, unë kam ditur gjëra që mund ta komprometonin Kadarenë. P.sh. se im atë e kishte mik që hynte e dilte në shtëpinë tonë e se ai kishte dijeni për shkrimet që m’u kapën, madje se ndoca nga poezitë që janë në dosje ia kisha dhënë për t’i lexuar. Por, as më kanë pyetur dhe as më ka shkuar ndërmend t’i them. Megjithatë, në vend se të më falënderojë sadopak, ai më akuzon si denoncues i tij. Madje, deklaron edhe “nuk e fal Lubonjën” për denoncimin që më ka bërë. Çfarë manipulimi i shëmtuar! Më kujton historinë se si dhurimin e dorëshkrimit të romanit “Dimri i madh” diktatorit e paraqiti sikur t’ia kishin marrë me dhunë. Kuptohet se hallin në rastin tim e ka te kritikat që i kam bërë frymës nacionalkomuniste të veprës së tij si shprehje letrare e ideologjisë së regjimit, ku s’mungojnë edhe racizmi dhe homofobia; te manipulimi i historisë, jetës dhe veprës së tij (si p.sh. historinë e poemës Pashallarëve të kuq, që e shiti si vepër kundër regjimit), si dhe te denoncimi që i kam bërë modelit të intelektualit që ai përfaqëson.

Në vend se t’u përgjigjej këtyre kritikave me fakte dhe argumente, – mendoj se edhe me ndjesë aty ku ka ndryshuar mendim, – zbret në këtë nivel të ulët që, veç tjerash, e demaskon edhe si shkrimtar. Sepse këtë tragjedi të familjes sonë, me babë e bir të burgosur e me krejt familjen me fëmijë të porsalindur të internuar, përveçse me intrigë të shëmtuar, e trajton sipas stilit të sendërgjive të tij socrealiste kur denigronte armiqtë e pushtetit të asaj kohe, në shërbim të servirjes së një të vërtete të rreme, që sot i duhet pushtetit të ri.

Në vazhdën e këtyre sulmeve ndaj meje dha së fundi një intervistë, ku më quajti “shpifës ordiner”, pasi paskësha thënë, duke përmendur Zylyftar Ramizin, se ka qenë spiun i Sigurimit me pseudonimin “gjenerali”. Në fakt, unë di mjaft gjëra, edhe pseudonime di jo pak. Madje, di edhe të disa prej veglave që po përdoren për të më sulmuar, por nuk jam marrë ndonjëherë me to. Kam qenë e mbetem i mendimit se e keqja e atij regjimi nuk janë këta, veçanërisht kur bëhet fjalë për viktima të rekrutuar në shtrëngim, – siç kanë qenë edhe dy personat që u bënë shkak i gjetjes së materialeve që na futën ne në burg, – por janë ata që i rekrutuan dhe i përdorën. Nëse ndokush i bën sulmet kundër meje i kondicionuar nga vetja me pseudonim që ka brenda vetes i bëj thirrje të çlirohet e të mos thellohet në të keqe. Të gabosh është njerëzore, të vazhdosh të gabosh është djallëzore – thotë një fjalë e urtë.

Për sa i përket pseudonimit “gjenerali”, ndonëse i goditur në mënyrën më të ulët, nuk kam thënë as ato që di, as ashtu siç pretendon Kadareja, por se libri i botuar për të provuar ndjekjen e Kadaresë nga Sigurimi, që merret me dokumente nëpër shtyp e gjyqe, është manipulativ dhe selektiv sepse nuk ka përmbledhur edhe shumë dokumente që flasin për të kundërtën, ndër të cilat edhe thënien e Zylyftar Ramizit. Kam përmendur mes tjerash edhe historinë që ka shkruar Nasho Jorgaqi se si Kadareja ka shkuar tek ish-ministri i Brendshëm, Hekuran Isai, për t’iu ankuar se s’kishin punuar aq e sa duhet për të zbuluar agjentët e sovjetikëve në radhët e kolegëve të tij dhe shpërblimin që mori për këtë: një makinë të re nga ato që kishte sjellë Ministria e Brendshme. Ky po, mban erë denoncim të pastër, për të cilin s’di t’i ketë dhënë ndonjë përgjigje Jorgaqit. Ndërsa që libri është selektiv e provon edhe fakti se në dokumentet hetimore që e përmendin emrin e Kadaresë nuk kanë futur deponimim i Mihallaq Luarasit, edhe pse e kishin në të njëjtën dosje.

Pse nuk e kanë bërë? Sepse, edhe Luarasin e ka përdorur, siç ka bërë me Lamen e të tjerë ish-bashkëpunëtorë të Sigurimit, për të goditur, pas vdekjes, Todi Lubonjën nëpërmjet botimit të një libri të sponsorizuar nga botuesi i tij.

PROBLEMI I KËTIJ SULMI

Përtej personales, problemi kryesor i këtij sulmi ndaj meje është se ai tregon se po vazhdojmë t’i qasemi së kaluarës komuniste me të njëjtën kulturë të atij regjimi, të manipulimit e të simulimit. Në vend të përpjekjes për të kuptuar të vërtetën e asaj kohe, kondicionin njerëzor të asaj kohe, përgjegjësitë që kemi të gjithë për atë kohë, protagonistë të vjetër e të rinj të kësaj kulture, me në krye shkrimtarin më të njohur të vendit, rreken ta manipulojnë atë sipas stilit socrealist me heronj pozitivë dhe negativë, me armiq dhe njerëz të partisë, në emër interesash të ulëta pushteti. Nga pikëpamja kulturore kjo qasje na largon nga koncepti i përgjegjësisë që duhet të ndiejmë të gjithë për atë kohë e që duhet të na mësojë të ndërgjegjësohemi edhe për përgjegjësinë që kemi për çka që ndodh sot.

Shembullin më të keq për këtë e jep shkrimtari më i përkëdhelur i atij regjimi, i cili largon nga vetja çdo përgjegjësi, edhe pse i ka veprat në shërbim të tij me okë dhe përpiqet të fabrikojë një vete tjetër, ku paraqitet si hero i asaj kohe, madje i persekutuar nga të tjerët. Se deri në çfarë pike dehumanizuese e çon kjo kulturë e projektimit të së keqes te të tjerët dhe e manipulimit e tregon fakti se nuk ngurron të hyjnë me çizmet e përdhunuesve në plagët e të përdhunuarve, ndërkohë që s’thotë një fjalë që në krye të pushtetit politik e ekonomik të sotëm janë ish-persekutorë të asaj kohe.

Qemal Lame ka qenë prokuror deri në vitin 1982, pastaj kryetar i hetuesisë deri në vitin 1992. Ky njeri ka çuar në vdekje njerëz të pafajshëm me akuza të fabrikuara. Të birin e madh të Mehmet Shehut këta e detyruan të pranojë se ka bërë radio transmetuese për t’u lidhur me agjenturat e huaja, duke e çuar në vetëvrasje. Në një vend me moral njerëzor do të duhej të kishte dhënë llogari, sepse ka shkelur edhe ligjin e asaj kohe, duke fabrikuar akuza të rreme. Minimalisht duhet të kishte kërkuar ndjesë dhe të kishte shpjeguar situatat që e shtynë në këto krime. Me moral njerëzor Kadare do të duhej ta akuzonte pse e ka futur Llambi Ziçishtin në kushte që të pranojë akuza që as i kanë shkuar ndër mendje, duke përmendur edhe emrin e tij. Por nuk thotë asnjë fjalë për këto, por thjesht e përdor Lamen për të shpifur kundër Lubonjës.

Veglat e Kadaresë, po të kishin një kulturë tjetër, duhet të kujtoheshin se ky bashkëpunim i tij me Lamen është i vjetër, sepse Lame dhe njerëzit e tij qenë ata që çuan në psikiatri dhe pastaj internuan (duke e lënë përfundimisht invalid) një djalë të ri vetëm pse familja nuk ishte e denjë për shkrimtarit e oborrit. Po të kishin pak humanizëm, duke ditur historinë e goditjes e burgosjes e internimit 17-vjeçar të familjes sime, do të duhej të kishin kërkuar nga Kadareja minimumi që të heshtte duke parë, në përgjigjen e parë që kam dhënë për këtë çështje, se disa muaj para arrestimit tonë ai shkruante në “Zëri i Popullit” në kushte lirie se Todi Lubonja ishte një “kundërshtar i tërbuar i karakterit kombëtar në artet tona”, “djathtist”, “kozmopolit”, “urrejtës i folklorit”, “antishqiptar”. Sepse dihet se për të eliminuar e burgosur armiqtë, partia lëshonte edhe fushatat e denigrimit të tyre në opinionin publik. Por, edhe të shpjegonte se si qe e mundur që njerëzit detyroheshin në atë kohë të sulmonin kështu miqtë e tyre, sepse kjo qe një gjë që ndodhte rëndom. Kurse ata, jo vetëm nuk bëjnë këtë, por vazhdojnë të manipulojnë e të krijojnë një situatë morale me të mirë e të këqij të kthyer kokëposhtë.

Shkrimtarin që në kohën kur Lubonjat dergjeshin burgjeve, u ngrit lart e më lart deri nënkryetar i Frontit Demokratik, të cilit pushteti i kishte vënë në dispozicion përkthyes për t’i botuar veprat e i ndërtonte apartament special, i cili mburrej se atë që u kishte bërë ai armiqve me veprën e tij nuk ia kishte bërë shkrimtar tjetër, që revoltohej pse Le Mondei shkruajti kundër Enver Hoxhës pas vdekjes së tij, që deri në vitin e fundit që ra pushteti u ka bërë proceset politike e letrare shkrimtarëve si Fishta, Konica, Koliqi e paraqesin sikur na paskërka qenë kryekundërshtari i atij regjimi. Dhe për të bërë këtë nuk ndalen as përpara manipulimit të tragjedive të njerëzve që diç kanë bërë vërtet kundër atij regjimi, të burgosurve politikë si Lubonja, të cilët, madje, i kthejnë në protagonistë të së keqes në atë kohë, duke u kërkuar madje që të heshtin njëherë e mirë pas kësaj.

Është në logjikën e kësaj kulture dominante të pushtetit të sotëm që vegla kryesore e këtij manipulimi është Henri Çili, sinonimi i regjimin të ri të grabitjes së shqiptarëve nga një grusht njerëzish. Vetëm në Shqipëri ndodh që universiteti të ketë gazeta të përditshme që bëjnë politikë dhe që godasin edhe kundërshtarët e pushtetit, deri edhe gazetarë e intelektualë, siç është universiteti privat i këtij personi. Vetëm në Shqipëri ndodh që universitetet në vend se të jenë qendra proteste e emancipimi të shoqërisë, vatra të mendimi të lirë, janë fabrikues gënjeshtrash, qendra korruptimi të intelektualëve, të blerjes së heshtje së tyre dhe, në rast të kundërt, të shantazhimit e denigrimit.

Nga shkrimtari që aspiron të marrë çmimin Nobel do të pritej që të thoshte një fjalë të vetme për masakrën që po përjeton kultura dhe arsimi në Shqipëri nga këta universitete dhe të bashkohej me Lubonjën, që ka denoncuar vazhdimisht veprimtarinë antiarsim të këtyre personazheve. Por ky, përkundrazi, bashkohet me Çilin, pranon favore e oferta që Lubonja ia ka refuzuar dhe bashkëpunon me pushtetin e tij sepse ky i pastron ferrat si Lubonja, që medemek e pengojnë që ky të marrë çmimin e madh.

Si t’i lidhim këta dy bashkëpunime të Kadaresë me njerëz si Qemal Lame dhe Henri Çili kundër meje? Me faktin se shkrimtari i oborrit të regjimit të parë të Lames vazhdon të njëjtën mënyrë sjelljeje me pushtetin edhe në oborrin e regjimit të dytë të Çilit. Sepse edhe regjimi i dytë punon me të njëjtën kulturë si ajo e të parit, atë të korruptimit të intelektualëve, të përdorimit të tyre në shkëmbim të favoreve, të manipulimit të njerëzve dhe të së vërtetës nëpërmjet tyre, të mbajtjes së njerëzve në injorancë, si dhe atë të hapjes procese të shantazhimit e mbylljes së gojës ndaj kujtdo që i del kundër.

Sulmi ndaj meje është një provë se ky regjim nuk don t’i hapë dosjet, por t’i manipulojë ato, nuk don të reformojë drejtësinë, por ta manipulojë atë për t’i mbajtur njerëzit të shatazhuar e nënshtruar. Kushdo që ka ende shpresë se mund të jetohet pa frikë dhe me dinjitet në këtë vend, nuk duhet të trembet nga këta manipulatorë perversë, ndërgjegjja e të cilëve ngarkohet përditë me mëkate sipas asaj thënies “krimi ndjell krimin”. Përndryshe, ajo që shohin në kodër shpejt do t’u kthehet në votër.