LAJMI I FUNDIT:

Pse i harron Shqipëria miqtë e vet?

Pse i harron Shqipëria miqtë e vet?

Gazeta ‘Afrimi’ e cila botohej në Vlorë, në numrin e saj të datës 9 korrik 1924, boton një ‘In Memoriam’ (përkujtim) për kolonelin Aubrey Herbert i cili kishte vdekur disa muaj më parë. Me plot të drejtë gazeta e cilëson Herbertin si mikun më të madh që kanë patur ndonjë herë shqiptarët.

Herbert ka qenë politikan, diplomat, ushtarak dhe punëtor i shërbimit sekret britanik i cili ishte i dashuruar në Shqipërinë.

Gazeta radhit meritat e Herbertit për Shqipërinë. Herbert, si kryetar i ‘Albanian Committee’ kishte bërë shumë për të ndikuar në vendimet e Konferencës së Ambasadorëve dhe Kongresit të Versajit në favor të Shqipërisë.

Pas vdekjes (1923) familja e Herbertit e njohur me emrin Carnavon, një familje sipërore aristokrate britanike e cila në botë më shumë njihej për zbulimin e varrit të Tutankamonit, kishte vazhduar ta ndihmonte Shqipërinë. Nëna e Herbertit kishte ndërtuar një fshat për refugjatët e Kosovës dhe e kishte emëruar Herbert. Ajo kishte organizuar edhe ekonominë e këtij fshati. Fshatarët thurnin veshmbathje të cilat shiteshin në tregun britanik.

Kjo familje kishte bërë shumë të mira tjera, përfshirë ndërtimin e një shkolle dhe ndërtimin dhe pajisjen e një biblioteke me mbi 1000 tituj të ndryshëm. Carnavonët kishin zbatuar edhe një aktivitet kundër malaries. Kontesha Carnavon (Elizabeth), nëna e Herbertit, në shumë institucione dhe familje shqiptare e kishte themeluar edhe traditën e pirjes së çajit të pasditës (afternoon tea). Nëpërmes nënës së Herbertit kishte filluar depërtimi i kulturës angleze në Shqipëri. Prandaj, për të nderuar Carnavonët, në Shqipëri ishin emëruar disa rrugë, bulevarde dhe institucione me emër të familjes dhe të Herbertit e cila edhe ishte dekoruar disa herë nga regjimi i Zogut.

‘Shqipnia miqt e vet s’i harron kurr, por do t’i shënoj me shkrola t’arta në historiën e sajë’ – thotë artikulli i gazetës Afrimi.

Në fakt, ka ndodhur e kundërta që e thotë gazeta.

Kur komunistët e morën pushtetin, u zhdukën të gjitha gjurmët e ndihmës që kishte ofruar Herbert dhe familja e tij. U shkatërrua biblioteka, shkolla, kurse fshatit Herbert iu ndërrua emri (Qerret) sikur që ndodhi me të gjitha emërtimet tjera. Regjimi komunist nuk dëshironte të bënte me dije se Shqipërinë e kishin ndihmuar aristokratët dhe kapitalistët britanikë.

Aubrey Herbert dhe familja Carnavon nuk u përmendën kurrë më. Pra, Shqipëria i harroi miqtë e vet.

Për fat të keq, kjo harresë vazhdon edhe sot, edhe pse më nuk ekziston regjimi komunist.