LAJMI I FUNDIT:

Pse gjithë kjo nostalgji për Enverin?

Pse gjithë kjo nostalgji për Enverin?

Keti Bazhdari

Ne fakt, kësaj pyetje s’është e lehte t’i përgjigjesh me një opinion, qoftë ky sondazh apo intervistë e thjeshtë. Mendoj se ky fenomen ngre shumë çështje që kërkojnë trajtim specifik, për të arritur një konkluzion shterues në lidhje me të. Një nga më të rëndësishmet për mua është;


Sa të gatshëm janë shqiptarët sot, të jetojnë dhe të përballen me përgjegjësitë individuale dhe shoqërore që të imponon shteti i së drejtës?

Shqiptarët për nga formimi psikologjik shquhen për personalitet sanguin, shumë impulsivë, që lumturohen shpejt e po aq shpejt mërziten, që jepen në dashuri e urrejtje pa hesap dhe që një shkak, shpesh i papërfillshëm, mund të jetë arsye që një ndjenje të kthehet nga pozitive në negative apo e kundërta, me një intensitet të papërshkrueshëm dhe në fare pak kohë. Shqiptarët kanë tendencën të të besojnë përnjëherësh kur u leverdis e po aq përnjëherësh të zhgënjehen kur nuk shohin perfitim të shpejtë.

Përgjithësisht refuzojnë të thellohen, por preferojnë të zgjedhin me nuhatje rrugën më të shkurtër, duke u shqetësuar nganjëherë pak ose hic për skrupujt. Shqiptarët disponojnë një folklor betimesh ku i këndohet besës si në asnjë vend të botës, por që historinë e kemi të ngritur kryesisht mbi tradhëti e pazare qofshin këto në dëm apo favor të vendit dhe integritetit të individëve. I gjithi ky elasticitet me ndjenjën dhe plasticitet me arsyen, bën që truri të zhvillojë më shumë anën e instiktive dhe ta flerë deri diku atë racionale. Ne shqiptarët shquhemi që dalim të parët këtu e atje, sepse një instikt i zhvilluar kur kombinohet me inteligjencë të lindur, ka aftësi të rrisë edhe më shumë produktet logjike dhe artistike, pasi e komandon trurin e individit dhe në mënyrë të pandërgjegjshme e vë në kushtet e luftës për ekzistencë, pra qe o do vdesësh o do japësh maksimumin dhe e furnizon më shumë, më shumë me adrenalinë, duke e potenciuar deri në llampë të kuqe.

Shpeshherë kjo ngatërrohet me vullnetin(në fakt vullneti është një shtysë racionale, konstante dhe e vazhdueshme, që nuk i referohet protagonizmit final se sa procesit në vetvete dhe po ta studiojmë ecurinë e këtyre talenteve, me përjashtim të një numri të vogël, pjesa dërrmuese e tyre ndryshe e nisin e ndryshe e bitisin, pikërisht për mungesë të këtij vullneti). Por pavarësisht se ky lloj presioni instiktiv jep rezultatet e veta të mira përsa i përket konkurseve, problemi lind tek turbullimi që shkakton në jetën e përditshme shoqërore. Të gjithë ankohemi, një formë a një tjetër, për nivelin e lartë të stresit individual, njëkohë që japim produkt minimal si shoqëri. Shumicën e shqiptarëve i dëgjon duke anatemuar aftësitë e njëri tjetrit për cdo punë. Kjo i bën të jenë kopjues, të bindur se vetë do jenë më të suksesshëm.

Edhe atij që se ka të veten këtë lloj thirrje, ia imponon shoqëria. Duke jetuar në rrethana të tilla instiktet tona vetëm sa dalin në pah, por ata janë mprehur nga e kaluara jonë qindravjecare nën pushtime, me pozicionin tonë historik në kushtet e mbijetesës, i cili ka krijuar një format edukimi që kalon nga brezi në brez përmes familjes, shkollës, shoqërisë; praktikisht kur jeton në një ambjent lufte duhet të ruhesh nga cdo kush dhe cdo gjë, që është aty për të të bërë keq. Prandaj gra e burra, kush të jetë i zoti të shpëtojë dhe të gjithë mendojnë sot për sot. Mjafton një sinjal i vogël që të zgjohet përbindëshi tek gjithsecili. Nëse dikur ky instikt na ka ndihmuar të ruhemi nga pushtuesi dhe të ruajmë një komb, një gjuhë dhe deri diku një identitet të përbashkët, sot në kushtet e lirisë po na vret pasi është i drejtuar ndaj njëri tjetrit. Po të na shohësh nga jashtë duket sikur shqiptarët i mban bashkë halli se s’kanë nga ia mbajnë. Në shoqëri ka një protagonizëm të pa frê, që ia ngacmon instiktet e freskëta njerëzve, njëlloj si pushtuesi. Me hapjen fushë të lirë që ju bë Shqipërisë, në vitet 90 me njerëz që dilnin nga regjimi më totalitar i Europës e që s’kishin si të ishin kreativ, mprehja e këtyre instikteve për tu përshtatur edhe njëherë, ose duke grabitur ose duke kopjuar, ishte e pashmangshme.

Kuptohet të kopjuarit do i referohej shembujve që promovonte shoqëria si të suksesshëm, pikërisht më të zezëve, sepse vetëm ata patën luksin të rezultonin të suksesshëm në një terren pa rregulla loje si pasojë e mosdijes, e mungesës së vullnetit të mirë të atyre që udhëhoqën kalimin nga komunizmi në shtet të së drejtës si dhe për paftësinë tonë si qytetarë për të kuptuar, respektuar dhe kërkuar të drejtën. Vetëm e drejta s’mund të bazohet në instikte, që do të thotë ose duhet të unifikojmë një mendim të qartë e të ftohtë për të si shoqëri, që e drejta qëndron në thelb të krijimit të shoqërisë, shtetit, institucioneve dhe dicka që është e drejtë, është e drejtë pavarësisht se na shkon mirë apo keq ne individualisht dhe kjo shkruhet në ligj dhe sanksionohet nga një sistem i tërë drejtësie funksional, ose të mos lodhemi me dokrra duke kërkuar të drejtën vetëm kur na leverdis ne, se s’do rezultojmë asgjë më shumë se këtë pacavure shoqërie që kemi sot, ku gruaja që vret për vetëmbrojtje rri 25vjet në burg dhe krimineli që ka vrarë 25vetë lirohet për sjellje të mirë.

Në këtë ditë halli, është logjike që individi tekpullë, i pafuqishëm të ndryshojë gjë apo i lodhur nga ritmi i të përditshmes si në një anije mes dallgëve, të shfaqet i gatshëm të heqë dorë nga disa të drejta të pa respektuara këto 25vjet dhe të imagjinojë njëlloj qetësie që ai e lidh me diktaturën, emrin e Enver Hoxhës apo të kujtdo që do ishte në vendin e tij. Se vë në diskutim që këtu luan një rol tejet pegjorativ, harresa dhe trajtimi i cunguar i memories historike, por mbi të gjitha unë e gjykoj si një nevojë që vjen nga thellësia e individit për t’i dhënë fund këtij protagonizmi sfilitës, pavarësisht se prapë nuk zgjedh ta fillojë nga vetja, pra që të dorëzohet dhe të fillojë ai i pari të mendojnë ndryshe. Jo, do që meqë s’ia doli vetë, një forcë madhore t’i detyrojë të jenë dhe të gjithë tjerët njëlloj. Po të ishte se shqiptarët e kanë për vdekje me dhunën, padrejtësitë në përditshmërinë tonë, do bashkoheshin me njëri tjetrin qoftë edhe një ditë, në një protestë pa interes. Në fakt jo, ata e kanë pikërisht me njëri tjetrin dhe diktatura ua përmbush këtë epsh.

Po të ishte për thelbin e komunizmit, në ka një gjë që urrejnë në masë shqiptarët nga ai sistem dhe që paradoksalisht do dilte në kundërshtim me gjithë simpatitë e tjera, në cdo sondazh, është pjesëmarrja në aksione për elektrifikim, arsim e bonifikim dhe që për mua kanë qenë më të mirat. Shumica e të anketuarve në sondazhin i OSCE nuk duan komunizmin me gjithë naivitetin e vet si doktrinë, duan diktaturën që ua merr atyre që kanë dhe kthen varfërinë si formë barazie për të gjithë. Kur s’kam unë të mos kesh as ti. Kuptohet kjo s’përbën asgjë të padëgjuar përvecse vazhdimin e një forme të menduari primitiv me instikte, në një grumbull njerëzish që e kanë të vështirë të ndalen gjithë përnjeherësh dhe të logjikojnë ftohtë mbi shtetin e së drejtës. Po të donin realisht shqiptarët shtet të së drejtës do ta bënin. Do ngriheshin në mjes dhe s’do hidhnin mbeturinat ku të mundnin, rrugën e përbashkët do e shikonin me dashuri, po ashtu dhe komshiun. Do shkonin në zyrë dhe s’do e trajtonin bashkëqytetarin e shkretë si leckë, qytetari vetë s’do kërkonte të hynte pa rradhë dhe të paguante nën dorë. Nëse do i bëhej një padrejtësi do i drejtohej gjykatës e do e zgjidhte. Gjykatësi s’do e shikonte të drejtë ta rripte për së gjalli qytetarin, e të padrejtë kur t’ia rripte mjeku nënën, e kështu me rradhë. Shoqëria përbëhet nga individë, që luajnë një rol dhe kanë ca rregulla që i besojnë e i respektojnë dhe mbi të gjitha një sistem drejtësie që bën “syrin e Zotit” në mbarëvajtjen e cdo gjëje. Kur ky besim e respekt mungon vetvetiu dhe “syri i Zotit” rri mbyllur, patjetër që cdo djall që do i dalë për zot, do jetë ai i volitshmi.

Sa për diktatorin, unë nuk gjej asgjë më të qartë se kjo:

Milan Kundera: “Kushdo që mendon se regjimet komuniste të Europës Qendrore ishin vepër ekskluzivisht e kriminelëve, nuk kupton një të vërtetë thelbësore: regjimet kriminale nuk u krijuan nga kriminelë por nga entuziastë, të bindur se kishin zbuluar të vetmen rrugë për në parajsë. Ata e mbrojtën me aq vendosmëri atë rrugë, sa u detyruan të vrisnin shumë njerëz për t’ia arritur qëllimit. Më pas u bë e qartë se nuk ekzistonte asnjë parajsë dhe se entuziastët ishin veçse vrasës.”