LAJMI I FUNDIT:

Pse demokracia shqiptare ka qenë dhe është kaq e vështirë

Pse demokracia shqiptare ka qenë dhe është kaq e vështirë

Alfred Moisiu

Populli shqiptar, si dashamirës i demokracisë, në momentet më kulmore të historisë së tij, e ka kërkuar, dhe është përpjekur ta vendosë atë. Kur u shpall pavarësia e Shqipërisë, intelektualët e kohës tentuan të ndërtonin një shtet demokratik të kohës, por për fat të keq dështuan. Gjithçka që u arrit përfundoi në një regjim mbretëror, i cili pavarësisht nga arritjet e njohura, nuk mundi të sigurojë ndërtimin e një pushteti demokratik që t’i përkiste popullit. Po kështu edhe pas Luftës Nacionalçlirimtare, kur populli u hodh në luftë jo vetëm për çlirimin e vendit, por edhe me qëllim që pas saj të ndërtohej një Shqipëri Demokratike, ashtu sikurse ishte premtuar, me një kushtetutë sa më demokratike dhe një pushtet të popullit. Përsëri për fatin e keq të shqiptarëve, pas asaj lufte, megjithëse pati një fillim të mbarë dhe mjaft arritje progresive për kohën, vendi u katandis në një diktaturë, që ka qenë ndër më të egrat në Europë. Dhe më befasuese është kjo që ka ndodhur këto 26 vite, që po jetojmë në një demokraci të cunguar. Me të drejtë lind pyetja: Çfarë ka ndodhur në këto vite të këtij tranzicioni të stërgjatur?

Me nostalgji kujtoj ato fillime të viteve ’90, kur të gjithë thërrisnim: “Liri Demokraci, E Duam Shqipërinë si Europa” e të tjera parulla të kohës, të cilat ishin për ne shumë joshëse. Të gjithë ishim jo vetëm të interesuar, por dhe shumë të bindur se demokracia e dëshiruar do të ndodhte menjëherë ose shumë shpejt. Për fat të keq nuk ndodhi kështu.

Po përpiqem që më poshtë të paraqes çfarë ka ndodhur dhe pse?!

E para- Askush nuk mendoi në ato fillime se rruga e nisur do të ishte kaq e gjatë sa po ndodh në fakt. Askujt nga ne nuk i shkoi mendja se e para, që duhej të ndryshonte, ishte mentaliteti. Dhe më kryesori, mentaliteti i atyre që morën përsipër të na udhëhiqnin drejt ndryshimeve të reja. Harruam se politikanët që e morën përsipër këtë aksion të rëndësishëm, ishin prodhim i një shoqërie diktatoriale, të mësuar dhe të brumosur me mënyrat e drejtimit të së kaluarës. Ndaj patjetër që ndryshimi i këtij mentaliteti kërkonte kohën e vet. Pra reminishencat e së kaluarës nuk paskan qenë aq të lehta për t’u zhdukur dhe për t’u ndryshuar, siç kishim ne dëshirë. Ndodhi që në vend të një shoqërie vërtet demokratike, lindi një shoqëri tranzitore, e molepsur me shumë të këqija, të trashëguara por dhe të reja, nga më të këqijat e botës së sotme. Pikërisht kjo nuk na ka lejuar dhe nuk na lejon të shkojmë përpara, si dhe sa duhet. Është aktuale dhe në ditët e sotme një thënie e Erich From, i cili konstaton se “Marrëzia e njeriut në pushtet e çon vendin në shkatërrim”.

E dyta- Procesi zgjedhor, fillimisht ishte mirë. Zgjedhjet e vitit 1992, kanë qenë pa probleme që mund t’i cenonin ato, por çuditërisht më vonë u deformuan. Më pas, shumë shpejt ata që ishin në krye, u mësuan me disa fenomene të panjohura më parë, siç vazhdojnë të jenë edhe sot e kësaj dite, si: manipulimi i listave, votimi i disahershëm i militantëve të organizuar, politizimi i skajshëm i komisioneve zgjedhore, shitblerja e votës, përdorimi i fondeve të padeklaruara dhe të jashtëligjshme, përdorimi i kundërligjshëm i pjesëve të aparatit shtetëror në interes të palës që kishte pushtetin e të tjera, të cilat nga viti në vit erdhën duke u shtuar deri sa mbërritëm në përfundimin se në vendin tonë u vështirësua arritja e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

E treta- U krijua koncepti i gabuar, mund të themi kriminal, i marrjes me politikë për t’u pasuruar dhe jo për qëllimin e mirë për të ndryshuar mënyrën e të menduarit dhe veprimit. Kjo solli si pasojë kërkimin dhe gjetjen e mënyrave të paligjshme për ta ruajtur dhe shtuar pasurinë. Njëkohësisht u gjetën rrugë për t’iu shmangur përgjegjësive ligjore me të gjitha mënyrat e mundshme, duke shfrytëzuar ndërkohë të gjitha shtigjet për t’u dukur se çdo gjë është në përputhje të plotë me kushtetutën dhe ligjet në fuqi. Si pasojë u rrit dëshira për të qëndruar në pushtet përjetësisht ose sa më gjatë të ishte e mundur. Kështu, si pasojë u rrit kërkesa për gjetjen e mënyrave të ndryshme për devijimin e votës popullore.

E katërta- Të etur për të plotësuar gjithçka që donin, patjetër u duhej përshtatur edhe përzgjedhja dhe korruptimi i organeve të drejtësisë, në mënyrë që ato të paralizoheshin dhe të mos kryenin detyrën e tyre për goditjen e deformimeve politike, shkeljeve ligjore e kushtetuese, dhe abuzimeve financiare e veprimeve korruptive.

E pesta- U synua me të gjitha mënyrat që të fashitej sa më shumë ndikimi i ndarjes së pushteteve, duke u përpjekur që në krye të institucioneve të pavarura të vendoseshin njerëz jo vetëm politikë, por edhe të devotshëm për t’i shërbyer partisë së tyre në mënyrë të bindur.

E gjashta- Media, e cila duhet të shërbente si rojtare dhe promovuese e demokracisë e të godiste pa mëshirë shkeljet e ndryshme, u shndërrua në mbrojtëse e pushtetit të radhës dhe kaloi pothuajse krejtësisht në duart e biznesit politik, duke krijuar kështu një front unik të padepërtueshëm.

E shtata- Elementët e korruptuar dhe të kriminalizuar të vendit, të ndihmuar nga politika për arsye të marrjes dhe të ruajtjes së pushtetit, arritën të hyjnë edhe në radhët e Kuvendit të Shqipërisë.

E teta- Lë për të dëshiruar zhvillimi ekonomik, që është arsyeja kryesore e prapambetjes së zhvillimit dhe të varfërisë së popullit tonë. Shumica e shqiptarëve duke qenë të varfër, rëndësi kryesore i kushtojnë mbijetesës, mandej problemeve të demokracisë së vërtetë. Një gjendje e tillë e bëri shumë të lehtë shitblerjen e votës në një sasi tepër të dëmshme për rezultatet.

E nënta- Ndërkombëtarët, të cilët duhet të ndihmonin që kjo rrugë të kalohej më shpejt dhe më me pak dëme e deformime, sipas mendimit tim kanë dështuar. Ata më shumë rëndësi i kushtuan mbështetjes të forcës politike që i përgjigjej ngjyrës së tyre, se sa mënyrës së tyre të drejtimit dhe rezultateve të zhvillimit të demokracisë. Tani mbase edhe e kanë kuptuar këtë, jo të gjithë, por nuk është e lehtë për të çrrënjosur frutet që u mbollën.

E dhjeta- Jemi i vetmi vend i rajonit ku disa nga politikanët kryesorë janë të njëjtët që nga viti 1990.

Megjithatë, pavarësisht konstatimeve detyra jonë është që ta ndryshojmë këtë gjendje. Rruga që duhet ndjekur, për të pasur një shtet të vërtetë demokratik dhe një demokraci të drejtpërdrejtë, teorikisht të gjithë e dinë mirë, por interesat e ngushtë partiakë dhe të klaneve në pushtet kanë bërë që deri tani kjo të deformohet me ndërgjegje të plotë nga politikanët kryesorë. Ndaj është detyra jonë, e gjithë shoqërisë civile, e gjithë shqiptarëve të ndershëm, që ta përmbysin këtë praktikë antidemokratike dhe antikombëtare. Por këtë e kanë të vështirë ta bëjnë politikanët, që e kanë të ciknosur rrugën e tyre të deritanishme.

Aktualisht mendoj se na duhet që në radhë të parë, sa më shpejt të ndryshojmë mënyrën e përzgjedhjes të ligjvënësve tanë dhe drejtuesve kryesorë politikë.

Gjykoj se aktualisht, më e domosdoshme dhe kryesore është që me çdo kusht të aplikohet dhe të vihet në zbatim sa më parë dhe pa deformime Reforma në Drejtësi. Të ndjekim me shumë vëmendje dhe të kërkojmë me forcë, e po qe nevoja edhe me manifestime masive të shoqërisë civile, zbatimin e vetingut për personat e caktuar në ligj dhe zbatimin pikë për pikë të kërkesave kushtetuese dhe ligjore të Reformës në Drejtësi. Mos harrojmë se ata që janë të painteresuar ose janë kundër kësaj reforme do të vazhdojnë të gjejnë pretekste të ndryshme për ta shtyrë dhe deformuar reformën.

Jam i mendimit se kriteri i vetingut në të ardhmen duhet të zbatohet pa ngurrim e me patjetër edhe te politikanët kryesorë dhe familjarët e tyre, duke i ndëshkuar për atë që kanë abuzuar me pushtetin dhe ekonominë, si dhe ndaj të gjithë atyre që janë ose do të zgjidhen në postet e rëndësishme të drejtimit shtetëror.

Të hiqet dorë përfundimisht nga përpjekjet e politikës për të deformuar procesin zgjedhor, duke arritur më në fund që të kemi jo vetëm zgjedhje të lira, por edhe realisht të ndershme.

Po kështu do të shtoja:

– Të forcohet së tepërmi roli i Shoqërisë Civile. Ajo duhet të përmirësojë punën e saj në mënyrë rrënjësore, duke mos rendur vetëm pas sigurimit të projekteve, por të përqendrohet në arritjen maksimale të objektivave të saj, duke qenë gjithmonë fleksibël në raport me ndryshimin e situatave. Ndërsa politika dhe veçanërisht organet e pushtetit të ndryshojnë qëndrimin ndaj saj, duke e trajtuar si partnere të rëndësishme në drejtimin e vendit;

– Të kërkohet më shumë llogari ndaj personave të zgjedhur, si dhe ndaj pushtetit, duke organizuar llogaridhënie të detyruar para zgjedhësve. Të hiqet dorë nga takimi me popullin vetëm kur është fushata elektorale. Kjo të bëhet normë e sanksionuar ligjërisht;

– Të kërkojmë që vota jonë të shkojë detyrimisht atje ku e jep elektorati;

– Më të vëmendshëm duhet të jemi ndaj rinisë, është e ardhmja e kombit. Vërtet partitë kanë krijuar Forumet e tyre Rinore, por ato më shumë interesohen që të përgatisin militantë se sa njerëz të formuar si duhet për të çuar vendin përpara. Shembujt tregojnë se në shumicën e rasteve nga të rinj të edukuar në shkolla të mira të perëndimit, duke u futur në politikën partiake shpejt kthehen në kopje të këqija të shefave të tyre. Pra, kemi deri tani një përvojë jo shumë të mirë nga këto angazhime. Se sa rëndësi ka kjo çështje po sjell këtu një thënie të filozofit të madh grek Aristotelit: “Ligjvënësi duhet të drejtojë vëmendjen e tij mbi të gjitha për edukimin e të rinjve; sepse neglizhimi i arsimit çon në cenimin e kushtetutës. Qytetari duhet të formohet për t’iu përshtatur formës së qeverisjes nën të cilën ai jeton. Çdo qeveri ka një karakter të veçantë fillimisht të formuar dhe e cila vazhdon të ruajë atë. Karakteri i demokracisë krijon demokracinë, dhe karakteri i oligarkisë krijon oligarki”. Këto porosi janë dhënë rreth katër shekuj para Krishtit, mendoni se si duhet të trajtohen sot.

– Partitë politike t’i kushtojnë rëndësi ndërrimit të drejtuesve kryesorë, pasi kjo është me shumë rëndësi. T’iu jepet fund ndryshimeve statutore të partive, kur drejtuesit e tyre pasi kanë shijuar parëllëkun, fillojnë të ndryshojnë statutet, që vetë i kanë bërë si parimorë, kur iu duhej të ishin. Por ndryshimi duhet të jetë i vërtetë, jo formal. Winston Churchill ka thënë se “Të përmirësosh do të thotë të ndryshosh, të jesh i përsosur do të thotë të ndryshosh më shpesh”.

Duhet luftuar një tendencë e rrezikshme që po lind te të rinjtë tanë; të futemi në politikë që të sigurojmë një vend pune dhe mundësinë për t’u pasuruar sa më parë. Marrja me politikë në radhë të parë është sakrificë, ajo kërkon përkushtim dhe devotshmëri, kërkon që të vësh interesin e përgjithshëm mbi atë personal. Marrja me politikë është e njëllojtë si për ata që vullnetarisht shkojnë në luftë për fatet e atdheut. Kush kërkon të pasurohet le të futet në biznes.

Me çdo kusht të sigurohet ndarja reale e pushteteve, ndryshe është vështirë të mendohet se jemi duke ndërtuar një demokraci të vërtetë. Ky është themeli më i rëndësishëm i demokracisë. Patjetër duhet që në vendet drejtuese të organeve të pavarura të zgjidhen njerëz të ndershëm dhe të përkushtuar që të sigurojmë ecjen përpara të Shqipërisë. T’i themi përfundimisht jo parimit komunist “Partia mbi të gjitha”. Por “Shqipëria mbi të gjitha”, ky duhet të jetë lajtmotivi i ardhshëm i politikës shqiptare.

E pra të nderuar miq, për këto probleme mund të flitet shumë, sepse jo vetëm që kemi përvojën tonë shumë të hidhur, por edhe jeta na ka mësuar shumë. Se si mund të dilet nga kjo situatë dihet, ne duhet të ecim të palëkundur në rrugën tonë, duke thyer pa mëshirë çdo rezistencë të ustallarëve të politikës tonë, me besim të madh te vullneti dhe energjia e shqiptarëve. Unë kam mendimin se ne do t’ia dalim t’i mundim forcat e së keqes për të ndërtuar një Shqipëri të pastër dhe demokratike. Së pari, këtë do ta bëjmë vetë ne shqiptarët, doemos të mbështetur edhe nga miqtë tanë. Me shumë dëshirë në fund dua të përmend një thënie të Abraham Linkoln: “Unë jam i vendosur të jem aq i qartë saqë asnjë njeri i ndershëm nuk mund të më keqkuptojë mua, dhe asnjë njeri i pandershëm nuk mund të më keqinterpretojë mua”.