LAJMI I FUNDIT:

Pronat komunale shfrytëzohen jashtëligjshëm

Pronat komunale shfrytëzohen jashtëligjshëm

Këshilli i Drejtorëve i Komunës së Mitrovicës ka konstatuar se individë të ndryshëm, të cilët i shfrytëzojnë hapësirat përbrenda qendrës së kulturës “Rexhep Mitrovica” dhe përreth saj, kanë krijuar obligime të mëdha financiare ndaj Komunës dhe nuk i përmbushin ato, ndërsa ka konstatuar se kontratat me ta janë lidhur paligjshëm.

Individë të ndryshëm të cilët i shfrytëzojnë hapësirat e Komunës përbrenda ndërtesës së qendrës së kulturës “Rexhep Mitrovica” dhe të hapësirave të tjera komunale përreth Qendrës i kanë krijuar dëme të mëdha Komunës së Mitrovicës dhe kanë krijuar borxhe të mëdha, të cilat nuk i paguajnë. Kontratat me këta individë janë lidhur në mënyrë të paligjshme dhe tani duhet bërë përpjekje që gjendja të sanohet.

Kështu ka vlerësuar Këshilli i Drejtorëve i Komunës së Mitrovicës në mbledhjen e së hënën, në të cilën është diskutuar vetëm për këtë çështje, shkruan Gazeta “Zëri”.

Faruk Mujka, nënkryetar i Mitrovicës, ka thënë se problemi me hapësirat që janë në shfrytëzim rëndon qëmoti në komunën e Mitrovicës dhe se tani duhen bërë përpjekje që gjendja të sanohet, për aq sa është e mundur.

Sipas tij, individë të ndryshëm kanë krijuar borxhe të mëdha, të cilat nuk ia paguajnë Komunës, shkruan “Zëri”.

“Ka shumë individë që i shfrytëzojnë hapësirat dhe pronat e Komunës përreth dhe përbrenda qendrës së kulturës ‘Rexhep Mitrovica’. Ata kanë krijuar obligime të mëdha financiare ndaj Komunës që nuk i përmbushin. Ata që kanë udhëhequr përpara me Komunën kanë lidhur kontrata të paligjshme, me të cilat i është shkaktuar dëm i madh pronës komunale, respektivisht komunës. Janë ish-zyrtarët dhe drejtuesit komunalë të Mitrovicës ata të cilët kanë nënshkruar kontratat joligjore dhe me to përveçqë kanë dëmtuar Komunën duke paraparë kompensim tejet të ulët për pronën apo hapësirat që i kanë shfrytëzuar, kishin paraparë edhe mundësinë që pronarëve të këtyre bizneseve t’u pranohen edhe investimet që kanë bërë në këto hapësira”, ka konstatuar Këshilli i Drejtorëve të Mitrovicës. /Telegrafi/