LAJMI I FUNDIT:

Produktet e dyshimta vërshojnë Kosovën

Produktet e dyshimta vërshojnë Kosovën

Shoqata për Mbrojtjen e Konsumatorit alarmon se shumë produkte ushqimore që importohen, por edhe disa nga to që prodhohen në vendin tonë, paraqesin rrezik serioz për jetën e qytetareve të Kosovës. Sipas tyre, dhjetëra produkte të prodhuara në vend, por edhe qindra të importuara janë tejet të dyshimta dhe të dëmshme për shëndetin e konsumatorit në vend.

Selatin Kaçaniku, nga Shoqata për Mbrojtjen e Konsumatorit, thotë se Kosova është vërshuar nga produkte të dyshimta që në masë të madhe rrezikojnë jetën e qytetareve të Kosovës. Ai thotë se shoqata që drejton ai në vazhdimësi ka quar zërin kundër këtyre produkteve, por sipas tij kërkesa e tyre ka hasur në vësh të shurdhër të institucioneve të larta të shtetit.
Kaçaniku thotë se në momentin kur janë publikuar të dhënat për një produkt të dyshimtë, ato janë kontestuar nga Institucionet. Por, sipas tij, më vonë ato të dhëna kanë rezultuar të jenë ashtu siç janë prezantuar nga shoqata që ai drejton. “Ne para pak kohësh patëm alarmuar për gjashtë lloje të lëngjeve të importuara që paraqesin rrezik për jetën e qytetareve të Kosovës. Por, ne në Kosovë kemi edhe shumë lëngje tona që prodhohen pa asnjë kriter. Ato kanë ujë, sheqer dhe ngjyrë dhe nuk kanë të bëjnë asgjë me lëngun”, tha ai.

Kaçaniku thotë se përpos kësaj në treg ka edhe jogurt të dyshimtë. Ai tha se në fillim jogurti i dyshimtë ka qenë vetëm ai që është importuar. Por, sipas tij tash së fundit rrezik paraqesin edhe disa lloje të jogurtit të prodhuar në vend.
Ai tha se në fillim Industria e qumështit në Kosovë ka qenë e shkëlqyer, pasi që ka prodhuar jogurt biotradicional, por sipas tij atë jogurt nuk mund na gjen në treg.

Kaçaniku thotë se shumë produkte sidomos ato që importohen deklarimi në ambalazh nuk përputhet me përmbajtjen e produktit. Ai thotë se një gjë të tillë e kanë hasur të produkte e “plazma keks”, por edhe në qumësht. Nëse një qumësht ka më shumë se 3 për qind përmbajtje të qumështit pluhur ai duhet të deklarohet në ambalazh, por sipas tij një gjë e tillë nuk ka ndodhur deri më tash, shkruan Zëri.

Në anën tjetër, Agim Shahini nga Aleanca Kosovare e Bizneseve thotë se produktet që prodhohen në Kosovë sidomos pijet janë konform rregullave dhe standardeve ndërkombëtare. “Prodhuesit e pijeve në vendin tonë janë të pajisura me licenca dhe standarde ndërkombëtare të prodhimit dhe të njëjtat pa fije problemi eksportohen në shtete të zhvilluara të BE-së”, tha ai.

Por, në anën tjetër zyrtarë të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë kanë thënë se numri i ankesave për produkte të dyshimta në treg vazhdon të jetë shumë minimal. Arta Istrefi, këshilltare për media e ministres së Tregtisë Mimoza Kusari- Lila tha se numri i ankesave nuk është i kënaqshëm, përkundër kampanjave të vazhdueshme për ngritjen e vetëdijes për mbrojtjen e konsumatorit.

“Deri më tani kemi afërsisht 90 ankesa (nga janari deri më tani), ku shumica e ankesave kanë të bëjnë me rregullatorin e Ujësjellësit, KEK-un, skadim të afateve të produkteve të ndryshme, faturim i padrejtë apo mos-përfillje të garancionet. Rastet të cilat kanë qenë të lidhura me Inspektoratin e Tregut janë zgjidhur 100% në favor të konsumatorit”, ka thënë ajo. /Telegrafi/