LAJMI I FUNDIT:

Problemi ynë është kriza e demokracisë, jo hacker-ët

Problemi ynë është kriza e demokracisë, jo hacker-ët

Evgeny Morozov

Vala e fundit e sulmeve kibernetike (e quajtur WannaCry, nga emri i softuerit të përdorur) që goditi spitale, hekurudha dhe rrjetet shumëkombëshe nëpër botë – me kërkesën për shpërblim dhe kërcënimin për t’i bërë të gjitha dosjet në kompjuter të pahapshme – nuk mund të konsiderohet vetëm si zotësi e një grupi kriminelësh, që papritmas janë bërë hacker-a.


Këta njerëz kanë përfituar nga mjetet dhe pikat e dobëta, të zhvilluara fillimisht nga agjencitë e inteligjencës amerikane, për sulmet dhe aksionet e tyre të spiunazhit dhe ne nuk mund të injorojmë më faktin se natyra gjithnjë e më neo-feudale e sigurisë informatike (ku një grup kriminelësh të kërkon para, duke kërcënuar se do të bëjë që të zhdukesh) rrjedh nga kriza e idealeve të kapitalizmit demokratik, shtypur prej peshës së mbikëqyrjes së përhershme. Legjitimiteti politik i kapitalizmit demokratik, ai model i çuditshëm që na shpuri deri në “fundin e historisë” dhe që sot paraqitet si mburojë vetëm kundër ekstremizmit të djathtë, është i bazuar në një ndarje të qartë të përgjegjësive, midis qeverisë dhe kompanive të mëdha. Qeveria bën kontrollorin e kompanive, për të mbrojtur konsumatorët nga efektet herë pas here të dëmshme të një aktiviteti sipërmarrës, që përndryshe konsiderohet dobiprurës.

Sistemi ynë konsiderohet demokratik sepse popujt i zgjedhin qeveritë e tyre dhe gjithmonë mund t’i rrëzojnë ato, dhe është gjithashtu edhe kapitalist, për shkak se kompanitë janë të detyruara nga ligjet e konkurrencës, të cilat shpërblejnë efiçencën, inovacionin dhe rritjen e vazhdueshme. Kjo logjikë shkatërron gjithçka që është e palëvizshme dhe e përhershme dhe mund të prodhojë efekte të padëshirueshme, nga të cilat qeveritë tona duhet të na mbrojnë. Konsensusi social i qendrës së majtë dhe qendrës së djathtë bazohet pikërisht mbi këto kushte.

Çështjet e lidhura me luftën dhe sigurinë (dhe imperativat ekzistenciale që u imponohen pjesës më të madhe të shoqërive demokratike) kanë krijuar gjithmonë probleme të pazgjidhshme për sistemin tonë, siç kuptohet nga alarmet periodike për bashkëpunim ndërmjet ushtrisë dhe kompanive, të nisura nga shumë politikanë që janë pranë daljes në pension.

Demokracia pezullohet, në momentin kur qeveritë kontrollojnë fluksin e informacionit, bëjnë sekrete komunikimet e brendshme dhe zgjerojnë pa limite aktivitetet e tyre të mbikëqyrjes. Njerëzit që i kundërvihen kësaj strukture pushteti, vënë në shënjestër aktivitetet anti-demokratike, dhe pa kontrollet e të ashtuquajturit “shteti i thellë”, ai sistem në të cilin funksionarët publikë veprojnë prapa kuintave, për të influencuar jetën publike, pa kurrfarë respekti për klasën politike të zgjedhur në mënyrë demokratike.

Qëllimi i aktivistëve që luftojnë këtë prirje, të angazhuar në mënyrë të veçantë në fushatat për mbrojtjen e privatësisë, është të dobësojnë shtetin e thellë, përmes reformave dhe ligjeve në favor të transparencës më të madhe. Problemi i vërtetë, sipas këtyre aktivistëve, është i lidhur me keqfunksionimin e demokracisë, dhe mund të injorojmë lehtësisht pjesën “kapitaliste” të kapitalizmit demokratik: ne kemi nevojë për mjete më të mira ligjore, për të kufizuar pushtetin e agjencive të inteligjencës.

Për fat të keq, megjithatë, bota e 2017-ës nuk mund të futet me forcë në këtë skemë. Merrni për shembull sigurinë e informacionit. Disa “shtete të papërgjegjshme” kryejnë sulme kundër serverëve të armiqve të tyre në Evropën Perëndimore dhe Amerikën e Veriut. Në të njëjtën kohë, grupe hacker-ësh jo të lidhura me qeveritë, godasin të njëjtat objektiva, për arsye nacionaliste apo ekonomike.

Asnjë nga këto nuk mund të ndryshojë me të vërtetë mitin mbi të cilin ngrihet kapitalizmi demokratik: qeveritë kanë detyrën që të kufizojnë aktivitetet e dëmshme të kompanive dhe ky rrezik bën thirrje për më shumë ndërhyrje të shtetit.

Çfarë e vë në vështirësi këtë mit është rritja e vetëdijes, e nxitur së fundmi nga zbulimet e Wikileaks-it mbi mjetet e spiunazhit të CIA-s, se pikat e dobëta të rrjeteve tona të komunikimit janë të krijuara nga vetë qeveritë, duke parë që agjencitë e inteligjencës fusin hundët në televizorët tanë smart, dhe vjedhin materiale në brendësi të sistemeve tona operative. Për disa, ata që shkelin privatësinë tonë kanë qëllime fisnike, si identifikimi i terroristëve, gjurmimi i kriminelëve të kërkuar, planifikimi i sulmeve dhe komploteve kundër qyteteve tona. Por, pavarësisht nga qëllimet, ne nuk duhet të harrojmë efektet e mëdha politike, të prodhuara nga ky lloj aktiviteti.

Zgjerimi dhe ruajtja e kapaciteteve mbikëqyrëse të qeverive demokratike, është i bazuar në një pasiguri strukturore të përhershme të rrjeteve tona të komunikimit. Kjo pasiguri, megjithatë, është shfrytëzuar edhe nga të tjerët, siç janë shtetet e papërgjegjshme dhe hacker-at.

Kur pasiguria është strukturore, përgjigja e drejtë nuk është më shumë kontrolle, por më shumë garanci. Kjo shpjegon pse kompanitë e sigurimit informatike fitojnë gjithnjë e më shumë. Sot edhe sektorë të tillë si prodhimi (gjithnjë e më të ndërlidhur) kanë nevojë për t’u mbrojtur nga pasojat e sulmeve kibernetike.

Në thelb ai i sigurimeve informatike (si çdo formë tjetër e sigurimit) është një zonë e populluar nga njerëz me të ardhura të larta, që pretendojnë një pagesë të rregullt nga klientë, të cilët kanë nevojë për shërbimet e tyre. Risia është se risku i krijuar nga kjo klasë e re ekziston mbi të gjitha për shkak të qeverisë. Në këtë pikë, logjika e kapitalizmit demokratik nuk është më e vlefshme: qeveritë jo vetëm që nuk ndalojnë aktivitetet e dëmshme të kompanive, por janë të parat që i kryejnë ato. Ato që zbusin pasojat e këtyre veprimeve janë po të njëjtat kompani, me aktivitete të cilat nga ana tjetër, janë pak a shumë të dëmshme.

Efekti i dytë politik i këtij aparati mbikëqyrjeje gjithnjë në zgjerim të vazhdueshëm, është disavantazhin që krijon për bizneset e vogla dhe pa qëllime fitimprurëse, për të mos përmendur individët.

E mbani mend vizionin e vjetër utopik të një bote digjitale, ku të gjithë do të menaxhonin serverët e veta të e-mailit, dhe me kalimin e kohës do të mësonin të menaxhonin versionin e tyre të shtëpisë së ndërlidhur? Sot pretendojmë autonomi më të madhe për rrezikun tonë: duke pasur parasysh nivelin e kompleksitetit të sulmeve kibernetike – që kanë për qëllim të vjedhin të dhënat dhe përmbytin faqet e internetit të vëna në shënjestër me trafik të rremë – është e qartë se të vetmet që janë të afta për të mbrojtur përdoruesit e zakonshëm, qoftë individë apo kompani, janë bërë kompanitë e mëdha të teknologjisë si Google, Apple dhe Microsoft.

Kjo gjithashtu shkel premisat themelore të kapitalizmit demokratik: qytetarët inkurajohen të kërkojnë mbrojtje tek kompanitë e mëdha, jo qeveritare, të cilat në të shumtën e rasteve, përbëjnë edhe arsyen përse kjo mbrojtje është e nevojshme. Dhe kur për t’u përballur me sulmet kibernetike dhe spam-et nevojiten forma të përparuara të inteligjencës artificiale, hapësira për kompanitë më të vogla zvogëlohet. I gjithë tregu mbetet në duart e pak kompanive shumëkombëshe, të cilat shfrytëzojnë pasigurinë strukturore të krijuar nga qeveritë, për të forcuar edhe më shumë monopolin e tyre.

Kapitalizmi demokratik është bërë tashmë një kapitalizëm i monopolit demokratik, sidomos në versionin e tij digjital. Ideja se ligjet e konkurrencës kapitaliste mund të ushtrojnë presion mbi gjigandët e teknologjisë është mjaft e çuditshme. Nuk ekziston një garazh mjaftueshëm i madh sa për të mbajtur një kompani të krijuar rishtas, në gjendje që të konkurrojë me Google-n, e cila mund të mbështetet në një sasi të madhe të të dhënave personale dhe mjeteve të inteligjencës artificiale.

Efekti i tretë i këtij kompromisi të ri post-demokratik është që, duke e paraqitur pasigurinë kompjuterike si një fenomen natyror dhe jo si një problem të krijuar nga njerëzit, diskreditohet roli i ligjit (dhe politika në përgjithësi) në zbutjen e konflikteve mes qytetarëve dhe kompanive të mëdha. Mendoni se si i përballojmë llojet e tjera të fatkeqësive. Do të ishte gabim, për shembull, t’i besonim vetëm ligjit dhe politikës, për të na mbrojtur nga përmbytjet dhe tërmetet. Në këto raste të sigurohesh nuk është një ide e keqe, por kjo nuk na pengon që të kërkojmë standarde më të larta të ndërtimeve.

Bota e sigurisë kompjuterike nuk ndjek këtë logjikë. Paramendoni nëse qeveria do të dërgonte rregullisht një grup sabotuesish të trajnuar dhe paguar mirë për të dobësuar mbrojtëset ndaj përmbytjeve dhe tërmeteve, duke na detyruar të shkonim tek sektori privat për sigurinë, në formën e instrumenteve për mbrojtjen apo sigurimet. Në këtë situatë jemi tani. Dallimi i vetëm është se fatkeqësitë informatike krijohen pothuaj gjithmonë nga njeriu, e si pasojë janë të shmangshme.

Me fjalë, qeveritë mund të pranojnë se përballë këtyre rreziqeve, prioriteti ynë është forcimi i ligjeve mbi privatësinë, por ne të gjithë e dimë se do të përfundojmë duke dërguar më shumë sabotatorë (me mjete edhe më të fuqishme), për të dobësuar mbrojtjen tonë. Në këto kushte, kush vallë mund të ketë më besim tek ligji dhe tek politika, në vend se të pranojë mbrojtjen e ofruar nga tregu, sado defektoze dhe e kushtueshme të jetë ajo?

Për fat të keq, siguria informatike është vetëm nga rastet e shumta kur legjitimiteti i kapitalizmit demokratik (dhe partive socialdemokratike që e mbrojnë tradicionalisht) nuk është më e vlefshme, edhe pse fortesat e saj vazhdojnë të jenë të panjohura. Nuk është për t’u habitur, nëse partitë socialdemokrate tradicionale po bien, siç e treguan edhe një herë zgjedhjet në Francë dhe në Vendet e Ulëta. Vazhdojmë të predikojmë një sistem që predikon të mirën dhe gërvisht të keqen. /Në shqip nga: bota.al/

Në trend

Më shumë
Çfarë janë retë artificiale dhe a shkaktuan përmbytjet e mëdha në Dubai?

Çfarë janë retë artificiale dhe a shkaktuan përmbytjet e mëdha në Dubai?

Azia
Zyrtare: Serie A do të ketë pesë skuadra në Ligën e Kampionëve për sezonin 2024/25

Zyrtare: Serie A do të ketë pesë skuadra në Ligën e Kampionëve për sezonin 2024/25

Liga e Kampionëve
Gazeta ukrainase: Pse vendimi i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për Kosovën është humbje historike për Serbinë

Gazeta ukrainase: Pse vendimi i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për Kosovën është humbje historike për Serbinë

Lajme
“Vetëm një skuadër në Evropë është më e mirë se Bayern Munich” – legjenda e bavarezëve flet për Tuchel dhe ecurinë e klubit

“Vetëm një skuadër në Evropë është më e mirë se Bayern Munich” – legjenda e bavarezëve flet për Tuchel dhe ecurinë e klubit

Liga e Kampionëve
Parandalohet vrasja e Volodymyr Zelenskyt - arrestohet shtetasi polak që bashkëpunonte me rusët

Parandalohet vrasja e Volodymyr Zelenskyt - arrestohet shtetasi polak që bashkëpunonte me rusët

Evropa
Policia serbe e dërgon në paraburgim mërgimtarin nga Gjakova që e arrestoi në kufi

Policia serbe e dërgon në paraburgim mërgimtarin nga Gjakova që e arrestoi në kufi

Siguri
Kalo në kategori