LAJMI I FUNDIT:

Pranvera, kjo stinë revolucionare

Është shumë e natyrshme që pranvera si stina e parë e vitit të ketë më shumë përgjegjësi nga stinët tjera. Ajo është stina e veçantë, simbol i gjallërisë për një fillim viti të mbarë. Për nga natyra bënë ndarjen mes acarit të dimrit dhe ngrohtësisë së verës, mes borës e ngricës dhe luleve e ngrohtësisë.

Kjo stinë e bukur, duket se ka filluar ta zgjerojë aktivitetin e saj. Pos me dallimet natyrore në jetët e njerëzve dhe në punët e tyre, ajo dëshiron të e shtrijë aktivitetin e saj edhe në ndarjen në mes të së bukures dhe shëmtimit, në mes të drejtësisë dhe padrejtësisë, në mes errësirës dhe dritës, në mes të së vërtetës dhe gënjeshtrës.


Por, a ka të drejtë?

Pa dyshim se po dhe askush nuk ka të drejt ta gjykojë për këtë, për arsye se ne jemi të parët që i kemi përzier kompetencat; ne jemi ata që po i fusim hundët vend e pa vend; ne jemi ata që më së paku gjendemi aty ku duhet (përderisa çdo herë jemi aty ku nuk duhet). Andaj edhe ajo mund të jetë mësuar nga kjo e t’i ketë përzier kompetencat e saj. Por, ne nuk kemi të drejtë gjykimi…

Në këtë stinë kaq të bukur kanë ndodhur shumë ngjarje që ndryshuan rrjedhën e shumë vendeve e shumë popujve. Në këtë stinë ndodhën ngjarje që ndryshuan dhe bënë histori, ngjarje që ende janë të freskëta për shumëkënd, ngjarje që kujtohen sa herë që vije kjo stinë…

Nuk do të ndalemi shumë në cekjen e këtyre ngjarjeve, por do të marrim disa prej tyre vetëm si shembull dhe asgjë më shumë. Kjo për arsyen se mësimet e tyre tanimë janë bërë më shumë se mësime, janë bërë jetësimi ynë, frymëmarrja jonë e lirë, ajri i pastër që e thithim në çdo mëngjes të bukur të kësaj stine, siguria dhe vullneti që na jep çdo lule e re…

Prej këtyre ngjarjeve janë ndarja e kufijve në Londër, spastrimet etnike, futja e ushtrisë jugosllave dhe vendosja e administratës së saj në Kosovë pas largimit të forcave gjermane, Masakra e Tivarit, heqja e autonomisë, helmimet masive të nxënësve, protestat e marsit të 1981, masakra e Prekazit, marrëveshja e Rambujesë, formimi i UÇK-së, lufta çlirimtare e Kosovës, ndërhyrja e NATO-s, si dhe shumë masakra gjatë luftës së fundit në Kosovë… Së fundi kemi të ashtuquajturën Pranvera Arabe , që rrëzoi shumë regjime, liroi shumë popuj, solli shumë ndryshime.

Pra, kjo stinë me plot të drejtë mund të quhet “Stina e kuqe” – për nderë të gjakut të shumtë të derdhur në këtë stinë; “Stina Revolucionare” – për arsye të revolucioneve që ndodhen së fundit. Por, athua edhe tek ne kjo stinë tregon natyrshmërinë e saj duke i përshtatur kushtet për ndonjë revolucion? A thua këtë stinë do ta shfrytëzojnë edhe një here fuqitë e mëdha në bashkëpunim me Serbinë për të bërë edhe një ndarje si ajo më 1913?

Janë këto pyetje për të cilat shumë vështirë është të gjesh përgjigje; pyetje këto që ndoshta më mirë është t’ia lëmë kohës të përgjigjet; pyetje këto që përgjigjet nuk ua di askush, pasi kjo stinë është përplot me çudira. Nganjëherë të duket se kjo stinë është poseduesja e vetme e shkopit magjik…

Edhe ngjarjet e fundit që po ndodhin në Maqedoni, në Kosovë, e sidomos ato rreth Mitrovicës janë me të vërtetë ngjarje që do të duhej të shqetësonin çdo kënd, e të mos na linin të flinim, sepse rastistë ndodhin në këtë stinë të “trazirave”.

Por, e jemi të vetëdijshëm për këtë? A jemi zgjuar nga gjumi dimëror ashtu siç zgjohet ariu, apo ndoshta edhe kësaj radhe na është zgjatur gjumi sepse na kanë kapluar ëndrrat?

Kjo stinë mund ta arrije kulmin e çudirave dhe befasive të saj, e që përhapjen e saj më të madhe do ta kishte tek qeveritarët, tek burrështetasit, tek udhëheqësit, tek të gjithë ata që mundohen të dalin jashtë natyrës së tyre njerëzore duke u munduar të shndërrohen në krijesa të reja, krijesa lekëpirëse, paralarëse, të paemëruara por që forma e pasurimit të tyre bie mbi kurrizin e të tjerëve. Këtyre krijesave që kanë një aftësi zhvillimi – hyjnë në qeveri, të nesërmen bëhet miliarderë, e pasnesër gogol për popullin – ndoshta ndonjë pranverë do të arrijë që t’ua ndalë rritjen…

Me fillimin e ngrohjes edhe gjarpri e ndërron lëkuren. Duke dalë nga gëzhoja e vjetër, e ndien një rilindje, një ringjallje të tij, andaj le ta shfrytëzojmë edhe ne këtë stine e të dalim nga gëzhoja jonë e errësirës, korrupsionit, krimit, dallavereve, ndarjeve, përçarjeve, e t’i kthehemi jetës reale. Le të dalim nga gëzhoja e ndikimeve të jashtme e të bëhemi të zotët e vetës, për të jetuar dhe mirëmbajtur veten tonë. Le të dalim prej kësaj gëzhoje ashtu siç del lulja nga toka, ashtu siç gjelbëron pranvera.