LAJMI I FUNDIT:

Politikat e dështuara të pasluftës në Luginë!

Politikat e dështuara të pasluftës në Luginë!

Prej përfundimit të konfliktit të armatosur në Luginë, e së këndejmi, që nga arritja e famshme e Marrëveshjes së Konçulit, e cila, si shumë marrëveshje tjera ngeli vetëm teori në letër, shqiptarët kanë qeverisur me pushtetet lokale në Preshevë e Bujanoc, pjesërisht bile edhe në Medvegjë, duke mos harruar edhe përfaqësimin e tyre në nivele qendrore politike serbe, e organizime të ndryshme institucionale.

Para kësaj periudhe, shqiptarët qenë të diskriminuar edhe politikisht, fal edhe sistemeve politike që qenë të instaluara në vend e rajon. Por, që nga mbarimi i luftës në Luginë, ata që morën barrën institucionale e politike në duar, pa asnjë diskutim se duhet dhënë përgjegjësi. Ata vazhdimisht akuzojnë Serbinë, për diskriminim, ndërsa janë pjesë e integruar mirë e pushteteve të tyre politike e institucionale, duke pranuar njëkohësisht edhe privilegje të shumta financiare e jo edhe nacionale.

Nëse këtyre udhëheqësve institucionalë iu deshën më se 16 vite për ta kuptuar se Serbia nuk është e interesuar për ta zgjidhur problemin e shqiptarëve në Serbi, e kryesisht atyre në Luginë, edhe sa vite i duhen për ta kuptuar se popullata e këtij rajoni po shpërngulet në heshtje e në masë, nga politikat e tyre prapanike e personale?

Nëse këto pushtete të deritanishme lokale, në Bujanoc e Preshevë, do të kishin punuar vërtetë për një qeverisje të mirë të shqiptarëve, në Luginë, pas përfundimit të luftës, ose tash së vonshmi, shqiptarët e shpërngulur nga kjo anë, që jetojnë kryesisht në Kosovë, të diskriminuar e dezintegruar tej mase, do të kishin tentuar të paktën të kthehen në vendlindje. E kjo padyshim paraqet një parametër të konsiderueshëm, të dështimit të politikave shqiptare në Luginë.

Nëse represioni i atëhershëm serb, qe fajtor për shpërnguljen e Malësisë së Bujanocit, asaj të Karadakut e të Medvegjës, e shqiptarëve në përgjithësi të këtyre tri komunave, para dhe gjatë luftës së fundit, spektri politik shqiptar i Luginës, është fajtor për mos krijimin e kushteve elementare për kthimin e këtyre njerëzve në shtëpitë e veta dhe për shpërnguljen e tanishme të kësaj treve, sidomos nga të rinjtë shqiptarë, që s’gjejnë dot shpresën që i lidhë me vendlindjen e tyre.

Për ata banorë të shpërngulur nga kjo anë, e që nuk janë të paktë, jo se nuk janë krijuar kushte për t’u kthyer nëpër shtëpitë e veta të shkatërruar tashmë, por nga këto politika vetëm se janë shtuar shanset që edhe kjo popullatë shqiptare që ka mbetur të jetojë në këtë anë, të shpërngulet në heshtje. Deri më tani, familjet që janë kthyer në Luginë, janë shumë të pakta. Numërohen madje edhe me gishtat e dy duarve.

Kjo skenë politike e shqiptarëve në Luginë, që historia e re i gjykon sa frikacakë aq edhe injorantë, kaherë janë bashkuar për interesa të ngushta personale e klanore, e gjithmonë janë ndarë kur janë shtruar problemet nacionale e jetike, që kanë preokupuar shqiptarët e kësaj ane me vite. Ata, duke instaluar idetë e mburrjeve për të organizuar pritje madhështore, iftare publike, tubime e fushata të bujshme elektorale, e njëkohësisht duke iu nënshtruar politikave shtetërore serbe, ngushtuan dhe nuk përkrahën idenë e protestave qytetare.

Protestat, janë mjete demokratike, të pasqyrimit të pakënaqësive apo padrejtësive qytetare. E keqja është se kjo skenë politike u mundësoi shqiptarëve, nën Serbi, t’i vuajnë të dyja e mos ta artikulojnë asnjërën!

Nga ky kontekst, popullata shqiptare e Luginës, nëpërmjet organizimeve të ndryshme sociale, e ka për detyrë të kërkojë përgjegjësi nga kjo klasë politike, nëse tenton ta mbajë gjallë gjenomin nacional të shqiptarëve në këtë anë. Përndryshe, edhe këto dy komuna me popullsi të konsiderueshme shqiptare, Bujanoci e Presheva do të ecin rrugës së motrës së tyre të tretë, Medvegjës!