LAJMI I FUNDIT:

Politika e çmendur dhe populli i hutuar

Politika e çmendur dhe populli i hutuar

Po të ishte ky, një tregim erotik, në vend të një analize të shpejtë të skenës politike dhe partiake të Kosovës, dhe krejt kjo në prag të zgjedhjeve të (jashtë)zakonshme, do të mund të thuhej lirisht se të gjithë ishin në lidhje “dashurie” në mes vete. Nuk ka në skenë partner të panjohur, të “virgjër” politikisht! Parimet nuk i shkeli veç kush nuk mundi.

Nëse e zbresim analizën edhe në rrafshin individual, mund të thuhet se kishte edhe të atillë që pa kurrfarë kompleksi i provuan me radhë, të gjitha partitë, ato të mëdhatë natyrisht, për të ndaluar aty ku u ndien më rehat. Ishin këta njerëzit e parasë, dhe ishin të mirëseardhur kudo që shkonin. Mjaftonte të kërkonin postin, dhe një i tillë edhe po të mos ekzistonte, do të krijohej për të. Kishte edhe nga ata që i ndërruan partitë, dhe pasi në lidhjen e re nuk ishin ata që kishin pritur, ikën prej politike qysh pas mandatit të parë. Kishte edhe nga ata, pa para, dhe pa qëndrime, të cilët ishin mirë në parlament, kudo që të zinin vend. Kishte edhe nga ata që nuk arritën të lëshojnë rrënjë.


Por, krejt kjo dramë , e kishte një fillim. Dikush do të thotë, se ishte një serial i tipit “O sa mirë, bre”, i tipit “U kënaqëm, bre”, më tepër se ndonjë kopje seriali latino-amerikan apo turk. Krejt nga buxheti!

Kishte edhe marrëdhënie ekonomike, karriera, afera, por krejt kjo nuk e preku askënd në fytyrë, madje as afera aq e përfolur “Pronto”, nga e cila e mori edhe emrin klani më i fuqishëm në politikë. Askush nuk u skuq. As prokurorët nuk u skuqën.

Të gjithë pra po shikonin vetëm përpara, e sidomos populli. I kishin thënë se atje diku përpara, në kohë, do të bëheshim edhe ne një vend normal, do të jetonim mirë, do të shëtisnim nëpër botë sikur të gjithë tjerët, dhe askush nuk e kishte përmendur ujdhesën e quajtur Kosovë, të izoluar nga të gjithë. Së paku askush nuk e kishte premtuar si objektivë politike, por vetëm si kërcënim, nëse të tjerët vijnë në pushtet e jo “Ata”.

Po të kishim kohë do të ju rrëfeja edhe atë barsoletën për aktivisten e partisë e cila kishte marrë instruksione të i ruhej “armikut” vetëm përballë, të shihte vetëm përpara, ndërkohë që armiku po e punonte nga ana tjetër. Por, nuk kemi kohë. Jemi shndërruar në ujdhesë. Jemi në prag të zgjedhjeve të (jashtë)zakonshme, dhe vetëm për disa javë do të kemi Parlamentin e ri, e ndoshta edhe qeverinë e re. Do të jetë sikur të gjithë aktorët , të futen në një seri tjetër.

Eh, si ndërroi situata, sa qel e mshel sytë, do të thoni ju. Kjo do të thotë se ishte e mundur edhe të mos ndodhte krejt ajo çka ndodhi, ndërkohë, e që do të mbahet mend për të keq në historinë e re politike të Kosovës. Vetëm disa muaj më parë ndërtesa qeveritare digjej, digjeshin veturat në rrugë, nga aktivistët e tri partive politike, të cilët po kërkonin me ngulm që koalicioni PDK-LDK të ikte nga pushteti, të lëshonte shtetin të cilin sipas tyre e paskan kapur, dhe të hapte rrugë për zgjedhje të lira dhe të ndershme, sepse, sipas tyre, këta e kishin “kapur” shtetin dhe për shkak të kësaj “kapjeje” populli po vuante.

Populli doli në rrugë, protestoi, i quajti PDK-në dhe LDK-në kriminel, hajna, të korruptuar, me një fjalë nuk u lanë asnjë gjë pa u thënë. LDK-ja shahej më tepër si tradhtare e cila kishte shkuar në përqafim të PDK-së pasi kishte thënë: kurrë me PDK, kurrë me SHIK-un. Pak a shumë, të gjithë nga koalicioni i pafat, me emrin VLAN, kishin bërë të njëjtin betim, dhe kishin bërë gjithçka që të pengonin këtë koalicion për të votuar projektet që po u kërkoheshin nga bashkësia ndërkombëtare. Për të gjithë , të këqijtë ishin PDK dhe SHIK-u. Marrëveshja me ta ishte e turpshme, tradhti dhe mund të bëhej vetëm tinëz.

Ndarja ishte aq e fuqishme, sa që me qindra e ndoshta edhe me mijëra familje , vëllezër, miq, të afërm u prishën njëri me tjetrin, nuk flisnin madje dhe nuk shoqëroheshin më, nuk vizitoheshin nëpër shtëpi, apo nuk ia shtronin nëpër lokale me raki apo çaj rusi. Thjesht, për shkak të mosmarrëveshjeve politike u përça edhe populli. Mediat u kënaqën. I frynin zjarrit të luftës, sepse të shkretët nga klikimet e sigurojnë jetesën dhe kjo kërkon mirëkuptimin tonë. Edhe në gjumë po të flisje, të ofronin mikrofonin, dikujt edhe kamerën, për të mos ikur kot asnjë deklaratë.

Tash, koalicioni i përgatitur më gjatë, ndodhi pikërisht në mesnatë. “Armiqtë” e deridjeshëm u përqafuan pikërisht në mesnatë dhe kjo mund të krahasohet veç me gëzimin e madh në pajtimin e gjaqeve, kur ndjenjat e përziera shpërthejnë të gjitha njëkohësisht. AAK dhe NISMA e kishin falur PDK-në e cila i kishte rrahur nëpër protesta, por jo edhe LDK-në e cila kishte shkuar, me qejf, në shtrat me të. Këta po e bëjnë prej zori. Për hir të Kosovës, po sakrifikohen.

Diqysh, në krejt këtë lojë mbeti anash veç, lëvizja e dikurshme “vetëvendosje” e shndërruar së fundmi edhe ajo në parti politike. Mund edhe të ketë mbetur e virgjër, edhe përkundër përpjekjeve për koalicione nga më të pamundurat. Nga kjo martesë, me PDK , pretendon të ketë dalur “e virgjër” edhe LDK-ja, e cila hyri në një koalicion të madh, me bizneset, e ndërroi dukshëm listën e deputetëve, duke e mbushur me emra të rinj, me emra pa afera pas vetes.

Pra, gara tashmë, ka filluar. Politika është çmendur e qytetarët janë krejtësisht të hutuar. Pas zgjedhjeve mund të ketë edhe koalicione të tjera, më të pabesueshme, nëse askush nuk i fiton më shumë se gjysmën e votave. Listat zgjedhore nuk duken shumë shpresëdhënëse. Shteti i kapur, do të shkapet, apo do të kapet edhe më fort?

Shihe veç interesin, popull! Tjerat janë veç përralla! Përralla në shkallë…!