LAJMI I FUNDIT:

A po vjen fundi i valës së populizmit?

A po vjen fundi i valës së populizmit?

Philippe Legrain

Pas vitit të shkuar, kur Mbretëria e Bashkuar votoi për largimin nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara zgjodhën Donald Trumpin si president, nacionalizmi ksenofob filloi të dukej i parezistueshëm. Megjithatë, Franca tani është bërë fuqia më e madhe që i doli kundër trendit, duke zgjedhur si president liberalin pro-imigracion dhe pro-evropian, Emmanuel Macron. A ka pushuar realisht vala e populizmit të krahut të djathtë në Perëndim, siç pretendojnë disa?


Fitorja e jashtëzakonshme e Macronit sigurisht meriton të festohet. Një qendror i pavarur pati zgjedhjen e tij të parë dhe sfidoi kandidatët e partive tradicionale në raundin e parë dy javë më parë dhe fitoi rreth dy të tretat e votave përballë Marine Le Pen të Frontit Kombëtar dhe ekstremit të djathtë. Si i vetmi kandidat që pati një qëndrim të ashpër kundër presidentit rus Vladimir Putin, ai u përball në minutën e fundit me një rrjedhje të emaileve të hakuara (dhe rreme), si dhe me përpjekje të tjera për ta përbaltur atë.

Macron i arriti të gjitha këto duke ofruar një mesazh shprese te një vend i zemëruar dhe në depresion. Ai e prezantoi veten si një i jashtëm dinamik, i aftë të sillte ndryshimin në një sistem politik të zënë në ngërç. Mosha e tij e re – ai është vetëm 39 vjeç – e thekson imazhin e rigjallërimit. Ashtu si me kryeministrin kanadez Justin Trudeau, pamja simpatike dhe sharmi gjithashtu ndihmojnë.

Por, përmbushja e premtimit për ndryshim nuk do të jetë e lehtë. Si Britania dhe SHBA-ja, Franca mbetet thellësisht e përçarë mes atyre që favorizojnë një shoqëri të hapur, liberale dhe atyre që kërkojnë politikë dhe kufij të mbyllur, mes mbështetësve të integrimit rvropian dhe global dhe kundërshtarëve që mbrojnë nacionalizmin dhe protektionizmin.

Fitorja e thellë e Macronit mbi Le Penit është gënjeshtare në pamje, pasi errëson fragmentimin dhe polarizimin e thellë të shoqërisë franceze. Në raundin e parë, vetëm gjysma e elektoratit votoi gjerësisht për kandidatë pro-BE, ndërsa gjysma tjetër mbështeti kandidatë që ishin ose të ekstremit të majtë ose të djathtë, të cilët e përçmojnë BE-në në gjendjen aktuale. Megjithëse Macron doli në krye, ai siguroi vetëm për qind4% të votave – vetëm tre për qind më shumë se Le Pen dhe pati pjesën më të ulët kryesuese që nga Jacques Chirac në 2002.

Ashtu si Chiracu – i cili u përball me të atin e Le Pen, Jean-Marie, në raundin e dytë në 2002 – Macroni e fitoi garën jo se ndryshoi mendimin e shumë votuesve francezë për të, por sepse ata nuk mund të votonin Frontin Kombëtar. Dhe megjithëse Le Pen doli më keq nga sa pritej, masa 34 për qind nga ana e saj në raundin e dytë ishte rreth dyfishi i asaj që babai i saj mori në vitin 2002.

Në sistemin gjysmë-presidencial të Francës, Macron mund të sjellë ndryshimin që ai premtoi vetëm me një shumicë mbështetëse në Asamblenë Kombëtare. Megjithatë nuk është aspak e sigurt nëse do ta ketë këtë nga votuesit francezë në zgjedhjet legjislative të muajit të ardhshëm: një sondazh sugjeroi se 61% nuk duan që Macron të ketë shumicë.

Disa parashikime e vënë En Marche-n!, lëvizjen politike që Macron themeloi një vit më parë dhe që do të hyjë në garë me një emër të ri La Republique En Marche!, të shfaqet si grupi më i madh parlamentar, por sugjerojnë se nuk do të ketë shumicë. Disa nënkuptojnë se republikanët, që ndihen të lidhur me qeverisjen pas pesë vitesh të një sundimi jopopullor socialist, do të dalin në krye. Ata madje mund të fitojnë një shumicë, duke e detyruar Macronin të caktojë një kryeministër dhe qeveri konservatore.

Mundësitë e Macronit gjithashtu varen nga politikanë të zhgënjyer (ose oportunist) socialistë dhe republikanë zgjedhin En Marche!, pa përmendur aftësinë e Macronit për të arritur marrëveshje me partitë dhe kandidatët. Nëse asnjë në një zonë elektorale nuk fiton një shumicë në raundin e parë, dy të parët, plus çdo kandidat që ka marrë më shumë se 12.5 për qind të votave, shkojnë në garën finale. Paktet zgjedhore janë kështu jetësore për të siguruar tërheqjen dhe mbështetjen e kandidatëve më pak popullorë të cilët mund të marrin vota nga kandidatët e En Marche!, gjysma e të cilëve do të jenë të rinj në politikë.

Dhe, fitimi i një shumice funksionale është vetëm hapi i parë. Nëse ka sukses, Macron do të duhet të bëjë tronditjet politike dhe ekonomike që ka premtuar, në një vend që i ka rezistuar reformës për dekada.

Shumë votues francezë janë të lodhur nga një klasë politike që kujdeset për veten dhe lë pas dore shqetësimet e tyre. Macroni do ta bëjë sistemin politik më të hapur dhe llogaridhënës, ku financimi i partive politike të bëhet më transparent. Ai do t’i ndalojë politikanët të punësojnë të afërmit, të mbledhin pozicione me pagesë dhe të marrin pensione bujare. Dhe ai do të ulë numrin e parlamentarëve me një të tretën.

Nga fronti ekonomik, Macroni duhet të lubrifikojë tregjet kryesore dhe të lehtësojë taksat dhe barrën rregullatore për ndërmarrësit e rrezikut, ndërsa ndihmon njerëzit të përballojnë trendët si globalizimi dhe automatizimi. Mbi të gjitha, ai duhet të pakësojë papunësinë, veçanërisht te të rinjtë, rreth një e katërta e të cilëve janë pa punë.

E gjitha kjo kërkon që Macron të tejkalojë interesat e ngulitura. Edhe qytetarët e zakonshëm, pavarësisht se e pohojnë se sistemi është jofunksional, shpesh i rezistojnë ndryshimit, nga frika e humbjes së asaj që kanë.

Por, ndoshta sfida më e madhe që ka përballë Macron do të jetë të bindë kancelarin e ardhshëm gjerman, që do të zgjidhet në shtator të punojë me të për të reformuar eurozonën. Një qasje më freksibël dhe më miqësore me zhvillimin do të kërkojë që Gjermania të zgjidhë tepricën aktuale me 8.6 për qind të PBB. Këtu, presioni nga Trump mund të jetë një ndihmë.

Macron gjithashtu do të ndërtojë një eurozonë më të integruar, më efektive dhe më demokratike, me buxhetin e saj, ministrin e financave dhe një parlament. Nëse Gjermania e ka seriozisht me funksionimin e monedhës së përbashkët, duhet të angazhohet të punojë afër me Macron. Nëse nuk e bën këtë – ose nëse Macron dështon të reformojë Francën – demokracia liberale mund të përfundojë edhe më keq.

Ashtu si Macroni, Matteo Renzi ishte 39 vjeç kur u bë kryeministri i Italisë në 2014 me premtimin për të trondiste gjërat. Por, Renzi dështoi të ndryshonte shumëçka, duke u bërë shpejt jopopullor dhe dha dorëheqjen pasi humbi një referendum dhjetorin e shkuar, duke i lënë populistët anti-euro në një pozicion të përshtatshëm për të fituar zgjedhjet e ardhshme. Le të shpresojmë që Macron do të dalë shumë më mirë. /Project Syndicate/reporter.al/