LAJMI I FUNDIT:

Po importojnë vaj palme, e shesin për qumësht

Po importojnë vaj palme, e shesin për qumësht
-->

Produktet me bazë yndyre bimore, që kryesisht janë nga vaji dhe yndyra e palmës me origjinë nga vende si Malajzia dhe Indonezia, ka shumë vite që importohen në Kosovë me emra të ndryshëm dhe paketime të ndryshme.
Shoqata e Qumështorëve të Kosovës, ka evidentuar me tepër se 35 lloje të këtyre produkteve të cilat në tregun tonë shiten si “Djathë i Bardhë“ dhe “Djathë për pica”, por edhe si “Qumësht“. Thjesht, kjo i bie që në vend të qumështit na shitet vaj palme, por i paraqitur si qumësht.

Kryetari i Shoqatës së Qumështorëve të Kosovës, Ramadan Memaj, tha se këto shqetësime i kanë ngritur edhe te organet relevante, por ato deri tani kanë hasur në vesh të shurdhër.

“Ne i kemi paraqitur këto shqetësime te zyrtarët relevantë, por nuk kemi parë të ndërmerret ndonjë masë dhe shpesh na thuhet që Kosova është një ekonomi e hapur e tregut. Ne nuk e kundërshtojmë një ekonomi të hapur, por kërkojmë që ajo ekonomi të funksionojë në baza të barabarta dhe fer. Nuk mund të shesësh vaj palme dhe ta quash qumësht. Kjo po vazhdon të na dëmtojë neve si industri, por po e dëmton edhe konsumatorin kosovar, i cili vazhdon të mendojë se po blen prodhime të qumështit por në realitet ajo po blen vaj palme nga Malajzia”, theksoi Memaj.

Deri më tash fermerët dhe kompanitë që merren me prodhimin e produkteve të qumështit disa herë kanë ngritur zërin dhe kanë protestuar edhe në rrugë në kërkim të vëmendjes institucionale për problemet me të cilat ballafaqohen, por duket se ato kanë rënë në vesh të shurdhët.

Roli dhe rëndësia e prodhuesve vendorë, e cila padyshim është i pakontestueshëm për zhvillimin e ekonomisë së një vendi, në Kosovë bëhet kryesisht vetëm në mënyrë deklarative dhe jo me aksione konkrete nga institucionet relevante qeveritare. Sektori i qumështit është ndoshta shembulli më i mirë.

Driton Shkololli, drejtor i prodhimit në, “Vita” e sheh sfidën që ka kjo industri më tepër të natyrës ligjore dhe strategjike.

“Edhe pse ne kemi ofruar shumë argumente të pa kundërshtueshme, ato ende nuk mjaftuan për të ndërgjegjësuar institucionet vendore, përgjegjëse për këtë sektor, për të ndryshuar mënyrën e qasjes ndaj këtij”, tha Shkololli. /Telegrafi/