LAJMI I FUNDIT:

A po dështon projekti për kontejnerët nëntokësorë në kryeqytet?

A po dështon projekti për kontejnerët nëntokësorë në kryeqytet?

Kontejnerët nëntokësor, edhe pse janë në funksion qe dy vite në Komunën e Prishtinës, duket që nuk po kryejnë punë ashtu siç ishte menduar. Kjo pasi afër tyre janë vendosur kontejnerë të tjerë mbitokësorë, të cilët po pengojnë banorët.

Problemi i kontejnerëve nëntokësor në kryeqytet ishte që kur u mendua një projekt i tillë. Fillimisht në fushatën e vitit 2013 qeverisja e atëhershme komunale hapi disa gropa nëpër qytet për kontejnerë nëntokësore.

I pari i Prishtinës, Isa Mustafa, i cili edhe i ka filluar punimet, patë thënë se brenda tre muajve është paraparë që kontejnerët të hapen në 12 pika, në rrugët kryesore të kryeqytetit. Kurse, shuma e cila është nevojitur për realizimin e projektit ka qenë në vlerë prej 235 mijë euro, por komuna nuk kishte as kamionë për zbrazjen e tyre.

Megjithatë, tek në vitin 2015 u bë funksionalizimi i kontejnerëve, kjo për shkak se deri në këtë kohë nuk ka pasur kamionë për mbledhjen e mbeturinave.

Tash dy bëjnë dy vite që nga funksionimi, por ende afër tyre janë kontejnerë mbitokësor, të cilët janë bërë pengesë për qytetarët.

Pronari i lokalit “Istambull”, në rrugën “Agim Ramadani”, Jasin i komunitetit turk, ka thënë se këtu nuk mund të bëjnë biznes.

“Po janë një problem vërtetë i madh sepse ne e kemi hapur dyqanin por nuk mund të bëjmë biznes, sepse era është e keqe. Konsumatorët thonë se kjo erë është shumë e keqe, komshinjëve gjithashtu nuk iu pëlqen, është më mirë ta heqin prej këtij vendi apo të mos e lënë gjatë gjithë kohës të stërmbushur sepse është shumë keq, është më mirë sikur ta hiqnin tërësisht nga këtu”, tha ai.

Kurse, Mevlyde Mjeku, banore në këtë rrugë thotë se i pengojnë, por nuk kanë ku të ankohen.

“Po na pengojnë shumë. Janë anku, por kot ankohesh. Nuk ke ku ankohesh”, tha ajo.

Rasti i tillë i kontejnerëve është edhe në rrugën ”Luan Haradinaj”, ku afër kontejnerëve nëntokësor janë ata mbitokësor.

“Po na pengojnë kontejnerët. Po mendojmë që duhet mu largu, sepse shumica kanë fëmijë të vegjël. Mund të marrin ndonjë sëmundje”, tha ajo.

KosovaPress ka provuar ta kontaktojë kompaninë ”Pastrimi” lidhur me këtë shqetësim të qytetarëve, por një gjë e tillë ka qenë e pamundur./KP/