LAJMI I FUNDIT:

Përveç borës së madhe, banorët e komunës së Dragashit me rreth 20 orë pa energji elektrike

Përveç borës së madhe, banorët e komunës së Dragashit me rreth 20 orë pa energji elektrike
Foto: Arkiv

Edhe banorët e Komunës së Dragashit, sikurse banorë të shumicës së pjesëve të Kosovës, janë duke u ballafaquar me kushtet ekstreme dimërore.

Në këtë qytezë, gjegjësisht në fshatrat e kësaj komune, janë shënuar të reshura të konsiderueshme bore.


Madje, siç raportojnë lexuesit e Telegrafit, atje bora ka arritur në mbi 50 centimetra, gjë që ka bërë edhe që të ketë vështirësi të mëdha në komunikacion.

Por ky nuk është problemi i vetëm me të cilin janë duke u ballafaquar këta banorë.

Siç merr vesh Telegrafi, ata janë duke u ballafaquar edhe me mungesë të energjisë elektrike, mungesë kjo që ka arritur deri në 20 orë.

Kjo është bërë e ditur edhe nga biznesmeni Burim Piraj, i cili përmes një postimi në Facebook ka ngritur një shqetësim të tillë.

“Edhe pak bëhen 20 orë që komuna e Sharrit është pa energji elektrike. Temperatura momentale e ajrit është -11 gradë celsius e që pritet të jetë edhe më e ulët në orët në vazhdim. Shumë prej rrugëve që lidhin fshatrat e kësaj komune me qendrën janë të pa kalueshme për automjete”.

“Duke e pas parasysh se shumë shtëpi nuk kanë termo izolim sigurisht që do të ngrihen tubat e ujit dhe do të ketë vështirësi të mëdha për furnizim me ujë dhe gjëra të tjera elementare”, ka shkruar ndër tjerash Piraj në Facebook.

Ndërkohë, KEDS ka njoftuar se për shkak të motit të ligë, i përcjellë me reshje bore dhe erëra të forta janë shkaktuar prishje në rrjetin elektrik anekënd vendit.

“Rajoni i Dukagjinit, përkatësisht Peja, Prizreni dhe Gjakova, është më i afektuari edhe sot. Edhe rajoni i Mitrovicës ka një numër të konsiderueshëm të prishjeve”, ishte thënë në njoftimin e KEDS.

Në këtë drejtim ishte shtuar se mbi 500 punëtorë të KEDS/KESCO janë vazhdimisht në terren duke i sanuar prishjet.

“Ata nuk po ndalen, përkundër temperaturave polare. Punëtorët janë në dispozicion gjatë 24 orëve dhe të gatshëm e përkushtuar të përballen me secilën situatë që sjellë shkon në dobi të konsumatorëve”, thuhet në njoftimin e KEDS-it. /Telegrafi/