LAJMI I FUNDIT:

Përurohet fabrika e zdrukthtarisë në Radac të Pejës

Përurohet fabrika e zdrukthtarisë në Radac të Pejës

Në hapjen solemne të fabrikës së re të zdrukthtarisë të premten, u tha se puna e “Green House Project” ka nisur në perëndim, ndërsa po kthehet në Kosovë, aty ku i ka rrënjët.

Pasi që prodhimi është kulmi i çdo ndërmarrësie, “Green House Project” është përkushtuar që përveç eksportit të shtrijë produktet e veta të veçanta edhe brenda territorit të Kosovës.


Pronarët e “Green House Project”, Visar Rexhepaj dhe Nazmi Mehmetaj kanë sjell në Kosovë projektin e tyre për shtëpitë-montazh në bashkëpunim me prodhues nga Zvicra.

Rexhepaj tha se përgjatë rrugës që kanë bërë si biznes kanë gjetur përkrahje institucionale dhe nuk kanë hasur në pengesa doganore.

Ai apeloi që investimet e tilla të rriten në Kosovë pasi që kjo është një mundësi që të gjithë të ndihmojnë Kosovën për një të ardhme më të mirë.

Rexhepaj tha se krahas cilësive dhe kualitetit të lartë ndërtimor që i veçon shtëpitë-montazh është edhe çmimi i volitshëm i tyre ajo çka i bënë ato më të veçanta dhe më të kërkuara.

“Sot është një fillim i ri këtu në objektin e ri për prodhimin e shtëpive me skelet prej druri do të thotë shtëpi-montazh. Shtëpitë-montazh kanë avantazhe të shumta si për nga izolimi termik, si për nga zhurma, si për nga shpejtësia pasi që janë shtëpi që punohen shumë shpejt, janë shtëpi shumë rezistente ndaj lagështisë, janë shumë ekonomike për nga energjia nëse e përdorim energjinë për ngrohje. Është një ekonomi goxha e mirë në krahasim me shtëpitë tradicionale”, tha ai.

Ndërkaq, sa i përket shtrirjes brenda vendit, Rexhepaj tha se në Kosovë nuk është dhe aq e lehtë të depërtojnë në treg me shtëpitë-montazh e për këtë sipas tij, mund të ndikojë edhe mentaliteti i njerëzve, të cilët kërkojnë shtëpi tradicionale të ndërtuara nga betoni.

Kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri, tha se kjo ndërmarrje është shembull i asaj se si duhet të punohet për shtetin. Ai vlerësoi lart mënyrën e punës së “Green House”, pasi që sipas tij është shumë e rëndësishme që produktet që ndërmarrja i shet jashtë vendit, punohen në Kosovë.

“Është një shembull shumë i mirë se si duhet me punuar për vendin dhe si me kontribuar që të rinjtë tanë të rrinë këtu të punojnë e prodhimet tona t’i shesim jashtë vendit. Ne kemi ndarë disa troje me qëllim të prodhimit të prodhimit të zdrukthëtarisë. Besoj se edhe ata do të marrin shembullin e Green House me punuar për tregun e jashtëm dhe me i ndihmuar këtij vendi për t’u zhvilluar”, tha ai.

Mbështetur në punën e derimëtanishme të kësaj ndërmarrjeje kontributi i “Green House Project” nuk po shihet vetëm në punësimin e të rinjëve të Kosovës por edhe në mundësinë që këta të punësuar kanë për të punuar me metoda të reja dhe evropiane të punës duke i lënë pas metodat e vjetra.

Në hapjen solemne të kësaj fabrike ishte i pranishëm edhe Xhavit Haliti, i cili uroi që “Green House Project” të shndërrohet në një industri të madhe prodhimi dhe që produktet e kësaj ndërmarrje të kërkohen dhe të ndërtohen edhe në Kosovë.

“E mira është që është hap një fabrikë që punëson njerëz dhe e mira tjetër e madhe është që kanë sjellë një praktikë, e cila është praktikë me standard evropiane për ndërtimin e shtëpive për shumë arsye, sepse ndërtohen shtëpi të izoluara, shtëpi të përdorshme dhe të shpejta për nevojat e atyre që kanë mundësi me i bë këto. Mendoj që ky investim i përbashkët që është bërë mes prodhuesve të Kosovës dhe Zvicrës do të vazhdojë në këtë formë dhe po besoj që kjo shtëpi, e cila është si ekspozitë do ta quaja, do të jetë jo vetëm për nevoja të perëndimit, por edhe të Kosovës”, u shpreh ai, raporton Kosovapress

Haliti tha se në Kosovë ka mundësi të shumta për zhvillimin e bizneseve të ndryshme. Sipas tij,  këto mundësi janë shumë të volitshme posaçërisht për investitorët e huaj, të cilët këtu gjejnë fuqinë punëtore të lirë, lëndën e parë më të lirë se jashtë, si dhe tatime më të vogla.

Për termo-izolimet e mira dhe përparësitë e shumta që ka ndërtimi i shtëpive model të drurit, u theksua se e bëjnë këtë projekt mjaft konkurrent dhe specifik.

Ndërsa e veçanta e këtyre shtëpive vërehet në qëndrueshmërinë e tyre të madhe ndaj tërmeteve me ç’rast u tha se ato mund të përballojnë pa problem deri në 9 shkallë të Rihterit.

Sadri Murtezaj, kryetar i Bashkësisë Territoriale në Radac, tha se shtëpitë e drurit janë ekologjike dhe se ndërtimi i tyre ka shumë përparësi në krahasim më shtëpitë e zakonshme.

“Këto shtëpi për tërmete janë shumë më të sigurta. Me sa e di unë dhe me sa kam përvojë, këto shtëpi mund të përballojnë deri 9 shkallë të Rihterit ose si i thonë këtu 9 shkallë sizmologjike. Janë më të qëndrueshme se shtëpitë tona që kemi këtu 6 ose 6.5 shkallë të Rihterit”, tha Murtezaj.

Ai mes tjerash sugjeroi që ndërtime të tilla të bëhen posaçërisht në pronat publike  që komunat mund t’i japin për ndërtimin e këtyre shtëpive, pasi që sipas tij këto janë shtëpi që mund të rrënohen me një kosto shumë të ulët dhe në të ardhmen mund të ndërtohet diçka tjetër në vendin e tyre.

Ndryshe, “Green House Project” deri më tani jashtë vendit, me shtëpitë-montazh kanë gjetur shitje posaçërisht në Zvicër.