LAJMI I FUNDIT:

Përdorimi i vajit të palmës në prodhimet e ushqimit, kancerogjen

Përdorimi i vajit të palmës në prodhimet e ushqimit, kancerogjen

Produktet e qumështit me yndyrë bimore janë duke e rrezikuar seriozisht industrinë e qumështit në Kosovë.

Përveç industrisë, këto produkte rrezikojnë edhe shëndetin e qytetarëve pasi në treg gjenden produkte të qumështit për konsum, a në realitet janë produkte të cilat përmbajnë yndyrë nga vaji i palmës.


Se përdorimi i vajit të palmës për prodhimin e ushqimeve është kancerogjen e ka vërtetuar dhe një raport i Autoritetit Evropian të Sigurisë Ushqimore (EFSA).

Kryetari i Shoqatës së Qumështarëve të Kosovës (SHQK), Ramadan Memaj ka konfirmuar për Telegrafin se industria e qumështit tash e disa vite po dëmtohet nga produktet me yndyrë bimore.

Pavarësisht se qumështarët e kanë adresuar me dhjetëra herë këtë çështje në institucione, ndërmarrja e hapave për të rritur sigurinë e konsumatorëve ka munguar.

“Jo vetëm që nuk ka pas asnjë lloj veprimi për tu marrë me këtë problem, por përkundrazi ka pasur rritje të prezencës së këtyre produkteve në treg, nga importi e po ashtu edhe nga prodhuesit vendorë”, ka thënë Memaj.

Shqetësimet e qumështarëve sipas tij, janë rritur edhe më shumë pas raportit të Autoritetit Evropian të Sigurisë Ushqimore (EFSA), ku vaji i palmës paraqitet si kancerogjen.

“Aktualisht vaji i palmës ka marrë dimensione tepër shqetësuese, jo vetëm për industrinë e Qumështit në Kosovë por sidomos për shëndetin e qytetareve. Neglizhenca dhe injorimi total i kërkesave dhe shqetësimeve tona mund të jetë me pasoja fatale për shëndetin dhe industrinë e Qumështit në Kosovë”, konsideron Memaj.

Këto produkte të Serbisë, mund të zëvendësohen lehtë me ato vendore (Foto)
Lexo po ashtu Këto produkte të Serbisë, mund të zëvendësohen lehtë me ato vendore (Foto)

Sipas tij, duhen të ndërmerren disa veprime nga institucionet, respektivisht nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës, pasi në treg janë rreth 50 produkte që përmbajnë vaj palme.

“AUV duhet të ndalojë tregtimin e produkteve mashtruese dhe të ndërmerr masa ndaj falsifikuesve dhe rrezikuesve të shëndetit të qytetarëve; të kontrolloj mënyrën e deklarimit të produkteve nga importi dhe vendore të cilat përmbajnë vaj ose yndyrë palme, sepse deklarimet janë duke i vënë në lajthitje konsumatorët. Shoqatat e qumështit kanë evidentuar deri më tani rreth 50 produkte të tilla në treg”, bën të ditur Memaj.

Alarmin e qumështarëve e vërteton edhe drejtuesi i Organizatës “Konsumatori” Selatin Kaçaniku.

Ai ka thënë për Telegrafin se vaji i palmës po gjen përdorim në industrinë e ushqimit, atë të konditorisë, e të kozmetikës.

“Vaji i palmës në temperaturë -18 gradë celsius është në gjendje të ngurtë. Në Kosovë është vërejtur se po përdoret tejmase – me të po imitohet djathi, kaçkavalli, ajka. Me këtë yndyrë fërgohen edhe fluskat e smokit e misrit, çipsi, palagaçat, por përgatiten edhe çokollatat, desertët e ëmbëlsirat të tjera. Përdorët edhe te disa lloje të bukës speciale, si zëvendësim i vajit të ullirit”, ka treguar Kaçaniku.

Sipas tij, për konsumatorët është e vështirë kontrollimi i cilësisë dhe sasisë së konsumimit të vajit të palmës.

“Të papërgatitur janë edhe prodhuesit, përpunuesit dhe tregtarët, pasi vajin e palmës e shtojnë në gjizë, schmand etj.”, tha Selatin Kaçaniku nga Organizata “Konsumatori”.

Në rastet kur përdoret vaji i palmës në produkte sipas tij, duhet të shënohet qartë se ato produkte përmbajnë sasi të caktuara të tij, sikurse është praktikë e vendeve të BE-së.

Ndërkaq në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës së Kosovës (AUV), kanë treguar se produktet ushqimore të cilat përbëjnë yndyrë bimore, kryesisht importohen nga shtetet e BE-së.

“Këto produktet janë të sigurta për konsum dhe nuk emërtohen si produkte të qumështit, por si produktet ushqimore si dhe në deklaracionin e tyre përshkruhet përmbajtja. Këto produktet kanë certifikatë shëndetësore dhe janë të lejuara për konsum”, thotë Jehona Murati nga AUV-ja.

Në këtë agjenci e konfirmojnë raportin e Autoritetit Evropian të Sigurisë Ushqimore (EFSA) se përdorimi vajit të palmës në prodhimin e ushqimeve është kancerogjen.

“Paneli shkencorë ka ardhur në përfundim se këto acide yndyrore kanë veti genotoksike dhe kancerogjene dhe deklarojnë se do të vazhdojnë tutje me vlerësimet e ekspozimit dhe me rekomandimet e institucioneve për masat të cilat duhet t’i marrin në të ardhmen. Prandaj, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë është e sensibilizuar lidhur me angazhimet e këtij institucioni dhe publikimeve të tij, edhe për hulumtimet tjera, për të cilat do t’i merr veprimet e duhura pas rekomandimeve finale të EFSA-s dhe institucioneve tjera të vlerësimit të rrezikut të BE-së krahasimisht edhe me institucionet ekzekutive të shteteve anëtare”, ka thënë Murati.

Ndryshe, Raporti i mbetjeve kimike në ushqim i Autoritetit Evropian të Sigurisë Ushqimore (EFSA), në të cilin janë të përshkruara edhe efektet e përdorimit të vajit të palmës në shëndetin publik, mund të lexohet nga faqja 30 deri në faqen 35 të raportit mund të lexohet KËTU. /Telegrafi/