LAJMI I FUNDIT:

Përdorimi i drejtë i barnave: analgjetikët, antipiretikët dhe antireumatikët

Përdorimi i drejtë i barnave: analgjetikët, antipiretikët dhe antireumatikët

Do të flasim për ndërveprimet të cilat ndodhin gjatë përdorimit të barnave kundër dhimbjes (analgjetikëve), barnave për uljen e temperaturës së rritur trupore (antipiretikëve) dhe antireumatikëve- barnave për mjekimin e sëmundjeve reumatike.

Acidi acetilsalicilik (aspirina) 

Vepron duke bllokuar në mënyrë jospecifike enzimën ciklooksigjenazë, me ç’rast ulet përqendrimi i prostaglandineve në ind. Shfrytëzohet si analgjetik, antipiretik, antiflogjistik (efekt kundër inflamacionit), si edhe për parandalimin e sulmit në tru dhe infarktit të zemrës- në bazë të aftësisë për pengimin e grumbullimit të trombociteve, me fjalë tjera pengimin e formimit të trombit.


Ndërveprimi me ushqimin. Nëse merret gjatë ngrënies, ngadalësohet thithja, dhe kështu dobësohet edhe veprimi i barit. Po ashtu, bllokon edhe enzimën e lukthit- alkool dehidrogjenaza- dhe në rast të marrjes së njëkohshme me alkool, mund të forcojë efektin negativ të alkoolit në kuptimin e dëmtimit të mukozës s lukthit, transmeton Telegrafi.

Këshillë: Për të arritur efektin më të shpejtë, duhet që acidi acetilsalicilik të merret një orë para ngrënies ose dy-tri orë pas ngrënies. Kjo është sidomos e nevojshme te sëmundjet akute. Nuk rekomandohet marrja e këtij bari në lukth të zbrazët, ndërsa personat të cilët kanë probleme me lukth, duhet që (përkundër efektit më të vonshëm) barin ta marrin së bashku me ushqim. Marrja e barit duhet të bëhet me sasi të mjaftueshme të lëngut (gjysmë gote ose një gotë ujë).

Paracetamol-i

Shfrytëzohet si analgjetik dhe antipiretik. Vepron ashtu që bllokon në qendër enzimën ciklooksigjenazë. Efekti analgjetik arrihet duke bllokuar sintezën e prostaglandineve dhe ngritjen e pragut të ndjeshmërisë në dhimbje. Ndërsa efekti antipiretik është pasojë e veprimit në qendrën termorregulluese në hipotalamus.

Ndërveprimi me ushqimin. Marrja e paracetamolit së bashku me ushqimin ose menjëherë pas ngrënies, mund të sjellë deri te veprimi shumë i vonshëm i barit. Prania e fibrave të shumta dietetike në ushqim zvogëlon dukshëm thithjen dhe reagimin e barit. Përdorimi akut i alkoolit zvogëlon zbërthimin e paracetamolit (si pasojë ndodh veprimi i zgjatur), ndërsa përdorimi kronik shpejton zbërthimin e paracetamolit (e për pasojë ka veprimin më të shkurtë). Me anë të përdorimit të alkoolit, po ashtu mund të rritet efekti i dëmshëm, toksik, i paracetamolit në mëlçi.

Këshillë: Përdorimi i paracetamolit rekomandohet një orë para ose dy-tri orë pas ngrënies. Duhet shmangur përdorimin e fibrave dietetike dhe alkoolin. Doza ditore duhet të ndahet në tri-katër doza të veçanta. Kohëzgjatja e përdorimit nuk duhet të tejkalojë një javë.

Diklofenak-u

Përdoret si analgjetik, antiflogjistik dhe antireumatik, ndërsa ngjashëm sikurse barnat e mësipërme, vepron duke bllokuar enzimën ciklooksigjenazë.

Ndërveprimi me ushqimin. Ushqimi shtyn thithjen e diklofenakut, që humb rëndësinë te përdorimet kronike, sepse bio-disponueshmëria e barit mbetet e pandryshuar.

Këshillë: Për shkak të tolerancës më të mirë, rekomandohet që të merret gjatë ngrënies dhe me shumë lëng. Nuk rekomandohet marrja e këtij bari në lukth të zbrazët. Format e barit të cilat kanë mbështjellës rezistues ndaj lëngut të lukthit, si edhe format me veprim të zgjatur, duhet po ashtu të merren me anë të ushqimit.

Derivatet e acidit propionik

Ibuprofeni, ketoprofeni dhe naprokseni përdoren si analgjetikë dhe antireumatikë (lehtësojnë dhimbjen, zvogëlojnë inflamacionin dhe ulin temperaturën trupore), ndërsa veprojnë sikurse diklofenaku.

Ndërveprimi me ushqimin. Nëse merren gjatë ngrënies, absorbimi i ibuprofenit, naproksenit dhe ketoprofenit, zvogëlohet dukshëm. P.sh. te ketoporfeni, përqendrimi maksimal zvogëlohet për 35%, ndërsa thithja shtyhet për rreth 100 minuta. Ibuprofeni, sidomos në doza të mëdha, shton veprimin e alkoolit. Te naprokseni nuk zvogëlohet bio-disponueshmëria, por shtyhet arritja e përqendrimit maksimal në gjak.

Këshillë: Edhe pse gjatë ngrënies, pjesërisht shtyhet thithja e të gjitha derivateve të acidit propionik, për shkak të tolerancës më të mirë nuk rekomandohet marrja e këtyre barnave në lukth të zbrazët. Te personat e ndjeshëm, po ashtu rekomandohet marrja e barit gjatë ngrënies. Këto barna është mirë të merren me një sasi të mjaftueshme të ujit. Naprokseni duhet të merret më së largëti 30 minuta pas ngrënies. /Telegrafi/

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Kur trupi ‘qan’ për ndihmë: Shtatë shenjat që tregojnë sasi të tepërt të hekurit në gjak

Kur trupi ‘qan’ për ndihmë: Shtatë shenjat që tregojnë sasi të tepërt të hekurit në gjak

Shëndetësi
Kalo në kategori