0Shares

Një predikues i njohur kuvajtian, Tareq al-Suwaidan, është shkarkuar nga puna e tij si drejtor i kanalit televiziv fetar të Arabisë Saudite, për shkak të lidhjeve të tij me Vëllazërinë Myslimane.

Pronari i televizionit, Princi Alwaleed bin Talal, tha se nuk ka vend për anëtarë të Vëllazërisë Myslimane në biznesin e tij. Suwaidan ka qenë një kritik i ashpër i qeverisë së mbështetur nga ushtria në Egjipt.

Mbreti i Arabisë Saudite, Abdullah, ka dhënë mbështetje të fortë ndaj administratës së re egjiptiane. Princi Alwaleed e bëri publik vendimin në Twitter, ku postoi një kopje të letrës së shkarkimit, me arsyetimin se “Suwaidan kishte pranuar se ishte pjesë e lëvizjes terroriste Vëllazëria Myslimane”.

Predikuesi e kishte identifikuar veten e tij si “një nga liderët e Vëllazërisë Myslimane”, gjatë një leksioni në Jemen, sipas agjencisë së lajmeve Reuters. /Telegrafi/

Portali Telegrafi ka kënaqësinë t'u ofrojë forum të lirë për komente dhe diskutim. Fyerjet dhe përdorimi i fjalëve banale, do të pasoj me përjashtim të menjëhershëm nga komentimi. Ju lutem lexoni rregullat këtu.

Shfaq Komentet (0)