0Shares

“New York Times” ka siguruar një kopje të rezervuar të një raporti shkencor, që lëshon alarmin mbi efektet në zhvillim të ndryshimeve klimatike.

“Provat e ndryshimeve klimatike janë të shumta, nga pjesa e sipërme e atmosferës e deri te thellësitë e oqeanit”, shpjegon raporti.

Bëhet fjalë për një relacion të hartuar këtë vit dhe të redaktuar nga shkencëtarë që u përkasin 13 agjencive federale. Dosja është pjesë e vlerësimit kombëtar të klimës, kërkuar nga Kongresi amerikan çdo katër vite.

Në të njëjtën kohë është një shuplakë për teoritë e presidentit Trump dhe administratës së tij, që renditen përkrah skeptikëve. Sipas raportit, në SHBA, pasojat e mbinxehjes globale janë të dukshme dhe rritja e temperaturave e regjistruar 60 vitet e fundit ka ardhur si pasojë e veprimeve të njerëzve.

Nga viti 1880 deri në 2015-n, temperaturat janë rritur me 1.6 gradë, e shkaqet janë të lidhura me sjelljen e njerëzve. Nga viti 1980 situata është përkeqësuar me një rritje dramatike temperaturash, që ka sjellë edhe motin më të nxehtë në 1.500 vitet e fundit.

“Ka prova që tregojnë se aktiviteti njerëzor, veçanërisht emetimet e gazeve që shkaktojnë efektin serë, janë përgjegjësit kryesorë për ndryshimet klimatike të epokës industriale. Nuk ka shpjegime të tjera alternative, nuk bëhet fjalë për cikle natyrore që mund të shpjegojnë këto ndryshime klimatike”.

Por tani, komuniteti shkencor amerikan është në alarm maksimal, kjo edhe për faktin se presidenti Trump, apo funksionarë të administratës së tij, mund të tentojnë të rrëzojnë studimin që duhet ende të miratohet.

Vet presidenti ka refuzuar gjithnjë të shprehet, nëse beson apo jo në përgjegjësinë e njeriut për ndryshimet klimatike dhe Shtëpia e Bardhë ka qenë gjithnjë shumë skeptike kur ka folur për klimën. /Top Channel/

Të Ngjajshme
Shfaq Komentet (0)