LAJMI I FUNDIT:

PDK akuzon partitë tjera për bllokim, thotë se nuk do të marrë pjesë në seancën e nesërme! (Video)

PDK akuzon partitë tjera për bllokim, thotë se nuk do të marrë pjesë në seancën e nesërme! (Video)

Në një konferencë për media të Partisë Demokratike të Kosovës, zëdhënësi Blerand Stavileci akuzon partitë tjera, koalicionin LDK-AKR-NISMA dhe Lëvizjen Vetëvendosje, për bllokim të formimit të institucioneve.

Stavileci thotë se ata po kërcënojnë deputetët për të votuar, ndërsa për kryesuesin e seancës së Kuvendit të Kosovës, Adem Mikullovci, thotë se ka abuzuar me këtë detyrë.


“Përpjekjet e partive humbëse për të bllokuar do të dështojnë dhe nuk do të lejojmë tjetërsimin e vullnetit të qytetarëve”, ka thënë ai, duke i quajture të tjerët uzurpatorë, transmeton Telegrafi.

“Nuk do ta lejojmë këtë dhe nuk i nënshtrohemi diktatit politik. Ne i sigurojmë qytetarët e votuesit se do ta respektojmë vullnetin e tyre duke i formuar institucionet e Kosovës. PDK do të jetë garancë e vlerave euroatlantike të shtetit të Kosovës”, ka thënë ai.

Stavielci tha se PDK-ja nuk do të marrë pjesë në seancën e nesërme pasi që, sipas tij, “kryesuesi e ka mbyllur seancën në mënyrë arbitrare”. /Telegrafi/

Më poshtë mund ta lexoni të plotë deklaratën zyrtare të PDK-së:

PDK: Mos bëni presione, s’lejojmë të cenohet kushtetutshmëria dhe vullneti qytetar

Partia Demokratike e Kosovës dënon presionet publike dhe private mbi deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, si përpjekje për dirigjimin e votave të tyre.

Partia Demokratike e Kosovës apelon te subjektet politike parlamentare, që të mos i shantazhojnë të zgjedhurit e popullit, por t’i lënë të lirë, sepse si përfaqësues të qytetarëve, deputetët i nënshtrohen vetëm vullnetit dhe ndërgjegjes së tyre.

Institucionet e Republikës së Kosovës do të formohen mbi vullnetin e shprehur të qytetarëve dhe jo mbi inatet personale të grupeve politike, që me qasjen e tyre destruktive po e bllokojnë të ardhmen e Kosovës.

Gjithashtu, Partia Demokratike e Kosovës shpreh shqetësimin e saj për abuzimet e vazhdueshme, që sot kryesuesi i seancës konstituive i ka bërë gjatë udhëheqjes së saj, duke treguar njëanshmëri dhe duke i ofenduar jo vetëm fituesit e zgjedhjeve, por edhe institucionin e Kuvendit të Kosovës.

Përpjekjet e subjekteve politike humbëse të zgjedhjeve për të bllokuar krijimin e institucioneve shtetërore do të dështojnë dhe në asnjë mënyrë nuk do të lejojmë tjetërsimin e vullnetit të qytetarëve të Kosovës, të shprehur në zgjedhjet e 11 qershorit.

Mentaliteti uzurpues dhe manipulues i partisë Vetëvendosje dhe koalicionit të LDK-së është shqetësues jo vetëm për situatën aktuale, as vetëm për një pozicion politik sic mund të jetë pozita e kryeministrit apo kryeparlamentarit, por për kushtetutshmërinë dhe vullnetin e cenuar qytetar, duke krijuar kështu precedentë që nuk i japin zgjidhje problemit, por e legjitimojnë metodën e tyre uzurpatore për shtetin dhe institucionet.

Partia Demokratike e Kosovës është e vendosur që të mos e lejojë këtë dhe të mos i nënshtrohet asnjë diktati politik.

Ne, sikurse që jemi dëshmuar deri më tash në themelimin, mbrojtjen dhe respektimin e institucioneve shtetërore, i sigurojmë qytetarët dhe votuesit e PDK-së, se do ta respektojmë vullnetin e tyre, duke i formuar shumë shpejtë institucionet e Kosovës.

Partia Demokratike e Kosovës do të vazhdojë të jetë garancë e vlerave euroatlantike të shtetit të Kosovës” (sic.)