LAJMI I FUNDIT:

Patriotizmi si streha e fundit e politikës

Patriotizmi si streha e fundit e politikës

Këtë kolumne mund ta lexoni edhe si satirë, edhe si opinion, edhe si matematikë identitare…

E famshme në përmasa botërore, dhe si e cilësojnë mediat tona, një ndër aktoret më të “nxehta” të industrisë pornografike në SHBA, Alby Rydes, e kishte veshur flamurin kuqezi. Ajo duket të jetë ndodhur para një dileme morale: të dalë lakuriq para bashkëpatriotëve të saj, apo e veshur. Përpara botës nuk e ka dert. Por, lagjja ka të tjera rregulla…


Dorën në zemër, ajo na promovoi si komb edhe në përmasa globale, pra si një popull që dimë ta bëjmë, atë punën, ashtu edhe kështu, madje edhe… por, të lëmë detajet. Kaq kishte mundësi ajo.

Por, kontributi (ndër)kombëtar është i matshëm sot. Nëse i heqim ato të publicitetit negativ, të cilin e krijojnë fanatikët fetarë ose grupet mafioze, ku kemi dhënë shumë dëshmorë, publiciteti i cili krijon imazhin e një populli perëndimor është i matshëm në “Google” dhe brouserët e tjerë më të vegjël. Kur e kërkon emrin e saj, pra të porno yllit me emrin që e tregon edhe origjinën, për të në “Google” merr rreth dy milionë “rezultate”. Ajo, dorën në zemër, është shumë prapa me emrat e tjerë të famshëm, si me Ritën për shembull, e cila ka mbi tetëmbëdhjetë milionë, apo “Bebe” me mbi njëmbëdhjetë milionë, por ndodhet përpara Bleonës me vetëm mbi një milion, Dua Lipas me po ashtu me mbi një milion, “Erës” me mbi 600 mijë, e kështu me radhë…! Pra, është një nga emrat e mëdhenj shqiptarë në botë.

E, kur jemi te publiciteti në rrjet, pas këngëtarëve dhe porno yjeve vijnë sportistët, sidomos futbollistët e Kombëtares, shumë prej të cilëve me mbi një milion dhe vetëm pas tyre vjen me Jeep-a politika jonë kombëtare, ku prin ish-presidentja e Kosovës me mbi 700 mijë dhe larg pas saj vjen Salih Berisha me mbi 400 mijë, Hashim Thaçi me diçka më pak se 400 mijë dhe Edi Rama që i shkel hijen këtij të fundit me disa dhjetëra-mijëra më pak. Këtu nuk janë llogaritur “llajkat” në profilet e tyre në Facebook e as ndjekësit në rrjetet e tjera sociale. Të tjerët nuk i njeh “Google”, ose nuk i bënë hesap. Kontributi i tyre ndërkombëtarë është i vogël.

Pra, një i huaj, kur do të dijë diçka më shumë për ne, pyet në “Google”. Nga ”Google” tashmë marrin shumë informata, jo vetëm mediat, por edhe shërbimet sekrete, dhe kjo na bënë të dyshojmë se edhe politika ndërkombëtare ndaj nesh udhëhiqet pikërisht nga këta numra. Pra, kjo është elita e kombit e cila na përfaqëson, për të mirë dhe të keq nëpër botë, gjithnjë duke theksuar karakterin relativ të së mirës dhe së keqes.

Pra, pa diskriminim, sipas analogjisë, Alba, bazuar në publicitetin ndërkombëtar të saj dhe etjen tonë për publicitet, mund të konsiderohet në njëfarë mënyre edhe krenari kombëtare për aktivitetin e saj civilizues, edukativ, ku kryesisht e “veshur” nudo mëson qytetarinë e globit për bashkëjetesën e së këndshmes dhe të dobishmes, për teknikat e taktikat e invadimeve nga të gjitha anët, pra për pornografinë.

Por, a nuk e bënë edhe politika, pak a shumë po të njëjtën gjë?

Kjo, pornografia , për ata që nuk e dinë, është industri shumë e fuqishme, legale në Evropë, e sidomos në SHBA, e cila qarkullon shumë miliardë dollarë dhe e cila është ëndërr e miliona femrave dhe meshkujve anembanë globit. Kjo i ka përfshirë edhe portalet. Një lajm historik për kombin klikohet më pak se një postim për të pasmet e dikujt. Të gjitha sistemet kabllovike ndër ne tashmë i kanë edhe kanalet për të rritur, si quhet me eufemizëm: arti i shtratit. Yjet e këtij arti dhe biznesi paguhen shumë, shumë më shumë se ajo pjesa jo artistike që zhvillohet nëpër trotuare të metropoleve apo edhe në motelet skaj rrugëve.

Trafikimi është krim, e pornografia biznes. Biznes me pretendime artistike.

Tash, në botën tonë restriktive, të bësh seks është turp. Gjenerata e mesme për ekzistencën e vet ende i fajësojnë lejlekët që i sollën, ndërkohë që fëmijët të cilët po rriten me tablet në dorë tashmë i dinë të gjitha. Një artiste nga porno-industria, në fshatin e saj mund edhe të cilësohet si lavire, por ajo që është e sigurt kur shikohet nga këndi joprovincial është se ajo është biznesmene, artiste dhe… dhe paguan tatim. Pra, ajo është patriote.

Kjo logjikë mbase edhe mundet me na sjell në konfuzion, por kjo nuk është e domosdoshme për një shoqëri e cila pretendon moralin nën kulmin individual, ndërkohë që shikon me kureshtje striptizin publik të politikës dhe artit. Thjesht, punët e shpisë dhe punët e shtetit dallojnë.

Tash mund të bëhen vërejtje se në kohë të papërshtatshme e kishte (zh)veshur flamurin kombëtar, pikërisht atë rreth të cilit po zhvillohen debate serioze , herë-herë me emocione të fuqishme, se a është flamur shtetëror apo kombëtar. Krejt kjo ka mundur të jetë krejtësisht e rastit. Ajo ka mundur të vesh edhe flamurin kaltër e verdhë, me yjet e Evropës, por nuk e bëri kësaj radhe, ndoshta pikërisht për të mos u përfshirë në debatin (ndër)kombëtar Kosovë-Shqipëri.

Rapsodët popullorë, këta në “Youtube”, do ta këndojnë me gjenerata këtë akt trimërie dhe për kontributin e saj. Është promovim i kulturës kombëtare. Kultura seksuale dhe edukata seksuale janë sot diçka që përmenden shpesh dhe ekzistojnë edhe shumë paragjykime rreth kësaj. Po të themi se nuk kemi këso kulture, apo edukate, të gjithë do të pyesin për lejlekun që na solli në Ballkan, madje do të hapen edhe thashetheme. Pra, kur kemi përfaqësuesit tonë, kështu na njeh bota dhe paragjykime kemi më pak.

Nuk e kishte veshur, do të thoni ju, e kishte pikturuar mbi gjoksin e saj?!

Nuk mund të thuhet se nuk kishte respekt: e kishte pikturuar mbi zemrën dhe gjoksin e saj. Shqipëri të kam në zemër, është mesazhi i saj. Do të thoni, mos alarmoni, nuk është asgjë e re kjo, sot të gjithë që nuk duan të shihen lakuriq fshihen prapa simboleve. A nuk e bën politika këtë përditë? A nuk fshihet prapa kombit për të mos dukur pjesët e sajë të turpshme, si buxheti për shembull, tenderët? Sa herë i pyet për fondet publike, privatizimet, e tjera pyetje të cilat rrezikojnë të qesin në pah turpin e politikës, ata mbulohen me flamur. Kur i shajnë në raporte ndërkombëtare për krim të organizuar, të paorganizuar, apo të çoroditur për fare, ata menjëherë e qojnë dorën në flamur dhe në Atdhe.

Mos ma prek Atdheun! Po cili është mesazhi të cilin një politikan i sharë globalisht për krim dhe korrupsion, e dërgon në rrjet, “i mbështjell” me flamur kombëtar? Mos po shfaq pretendime politike, Alba?