LAJMI I FUNDIT:

Patate të mbushura me proshutë pule dhe djathë të mykur (Foto)

Patate të mbushura me proshutë pule dhe djathë të mykur (Foto)

Kjo recetë është një garniturë shumë e mirë për pjata të ndryshme kryesore dhe është shumë e lehtë për t’u gatuar.

Do t’ju duhet të bëni kujdes në gatimin e kësaj recete në mënyrë që patatet të mos zihen më shumë se ç’duhet paraprakisht, pasi duhet të ruajnë formën gjatë pjekjes. Në mënyrë që të ruani lëkurën zgjidhni patate të reja.

Shoqërohen shumë mirë me sallata të ndryshme dhe sigurisht mënyra më e mirë për t’i ngrënë janë të sapodala nga furra.

Përbërësit:

▪ 6 patate mesatare
▪ Hudhër
▪ Vaj ulliri
▪ Piper i zi
▪ Kripë (shumë pak, me majat e gishtave)
▪ 100 gram djathë i mykur
▪ 100 gram proshutë pule

Përgatitja:

Lani si fillim patatet dhe i vërini të ziejnë me lëkurë në zjarr mesatar. Kujdesuni që patatet të zihen por jo plotësisht, pra të dalin pak të forta nga zierja.

Pasi t’i nxirrni nga uji, çajini pak për së gjati dhe me një lugë çaji nxirrni 2-3 lugë tul të brendshëm.

1

Ndizni furrën në temperaturë 190 gradë celsius.

2

Prini proshutën e pulës në kubikë dhe në një tas mesatar shtoni të gjithë përbërësit : proshutën e prerë, hudhrën e grirë imët, kripën, piperin, vajin e ullirit, djathin e mykur dhe tulin e patates.

Me një pirun përziejeni të gjithë masën duke e shtypur vende-vende.

3

Mbushini patatet me këtë masë dhe piqini në furrën e nxehtë deri sa të marrin një ngjyrë kafe të artë.