LAJMI I FUNDIT:

Pastrohet katër deponi të mbeturinave në Istogu

Pastrohet katër deponi të mbeturinave në Istogu

Lëvizja Mjedisore “Let’s Do It Kosova” po vazhdon edhe më tej organizimin e suksesshëm të aksioneve për eliminimin e deponive ilegale të mbeturinave dhe vetëdijësimin e qytetarëve për rëndësinë e një ambienti të pastër.

Në kuadër të Fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën”, vullnetarët e “Let’s Do It Kosova”, kanë pastruar sot katër deponi ilegale të mbeturinave në Komunën e Istogut, nga të cilat janë larguar 23 kamionë me mbeturina.


Tri nga lokacionet e pastruara kanë qenë në qytetin e Istogut, ndërsa njëra në fshatin Gurrakoc.

Aksioni është realizuar në bashkëpunim me ndërmarrjen “Ambienti” e cila përveç punëtorëve, ka ofruar edhe makinerinë e saj për largimin e mbeturinave nga deponitë ilegale.

Po ashtu, vlen të përmendet se vullnetarët e “Let’s Do It Kosova” në kuadër të fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën” kanë realizuar disa aksione radhazi në qytetin e bukur të Istogut.

Ne ju njoftojmë, se aksionet në kuadër të fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën” do të vazhdojnë edhe në javët në vazhdim, për çka edhe do t’ju informojmë me kohë.
“Let’s Do It Kosova” ju bën thirrje edhe qytetarëve që të bëhen pjesë e aksioneve tona dhe të organizohen për largimin e mbeturinave nga lagjet ku ata jetojnë, në mënyrë që të gjithë së bashku të luftojmë këtë dukuri negative, e cila po dëmton edhe imazhin e vendit.

Në kuadër të Fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën”, po ashtu ka bërë edhe evidentimin e deponive ilegale të mbeturinave jo vetëm në Komunën e Istogut, ku janë realizuar sot aksionet, por në tërë Kosovën. /Telegrafi/