LAJMI I FUNDIT:

Paratë e Trustit janë rritur për 131 milionë euro

Paratë e Trustit janë rritur për 131 milionë euro

Kryetari i Bordit të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës (FKPK), Ymer Havolli, ka bërë me dije se mjetet që ka në menaxhim për tetëmujorin e këtij viti ky fond janë rritur për 131 milionë euro.

“Deri më 18 gusht 2017 FKPK-ja ka neto në menaxhim rreth 1.55 miliard euro. Deri në këtë datë mjetet në menaxhim janë rritur për rreth 131 milionë euro krahasuar me fundvitin 2016”, ka thënë Havolli.


Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Havolli ka thënë se numri i kontribuuesve aktivë në FKPK është rritur dukshëm karshi vitit të kaluar.
Sipas tij, ky numër ka shënuar rritje mbi 17 mijë llogari më shumë. Mirëpo, sipas tij, faktor i kësaj rritje mund të jetë angazhimi i stafit shtesë për procesin zgjedhor.

“Një vit më parë, pra më 31 korrik 2016, numri i llogarive aktive ka qenë 280 288 llogari aktive. Pra, është e dukshme se këtë vit ka më shumë llogari aktive se një vit më parë (për mbi 17 mijë llogari më shumë). Këto ndryshime vijnë nga regjistrimi i llogarive të reja dhe këtë vit me shumë gjasa ndikimin kryesor në këtë rritje e ka pasur këtë vit angazhimi i stafit shtesë për realizimin e zgjedhjeve të përgjithshme në vend”, ka thënë ai.

Havolli ka theksuar se deri në fund të muajit korrik për llogari të pensionuara janë shpaguar rreth 17 milionë euro. /Telegrafi/