LAJMI I FUNDIT:

Paragjykime dhe histori familjare

Paragjykime dhe histori familjare

Stanislav Strasburger

“Ju keni një emër gjerman dhe shkruani në polonisht”, më pyesin shpesh, “dhe merreni me vende të huaja. Por, si e ndjeni veten në fakt: si polak, apo si gjerman …? Na thoni të drejtën, në ç’gjuhë ëndërroni ju?”


Me të tilla pyetje nuk konfrontohem vetëm unë. Amin Maalouf, shkrimtari i njohur frankofon me prejardhje libaneze, të tilla pyetje e frymëzuan që para 20 vjetësh të shkruajë një libër për këtë. Në librin e tij “Identitete vrastare”, ai me të drejtë tërheq vëmendjen që në një formulim si “si çfarë e ndjeni veten në fakt?” fshihet një hamendësim i kamufluar se ka një të vërtetë të thellë për vetveten tonë, e cila është përcaktuar qysh me lindjen. Personalja, familjarja dhe preferencat shoqërore e influencat, që karakterizojnë rrjedhën e jetës sonë, janë, sipas këtij hamendësimi, sekondare.

Koncepte, për të cilat beson se janë të qarta dhe për të cilat nuk duhet pyetur, janë shumë shpesh mjaft tradhëtuese. Ndër to bën pjesë “Identiteti” – p.sh. në kuptimin kombëtar, religjoz, seksual. Ku bazohet kjo nevojë që njerëzve t’u përcaktosh një identitet të qartë? Por, le ta pranojmë hapur: a nuk biem edhe vet vazhdimisht në mendime të tilla, që qartësia e identitetit të jep një si mburojë dhe qetësi të brendshme?

Në këndvështrimin e shkencave shoqërore “identiteti” është trashëgimi e Evropës së kohës së re. Është një trashëgimi mbytëse, e larë me gjakun e shumë njerëzve. Sepse kjo është trashëgimia e reformacionit, e kundër-reformacionit, e kolonializmit dhe e imperializmit, madje e iluminizmit, që në formën e tij romantike dhe pozitiviste – ka bashkëformuar konceptin e përkatësisë kombëtare dhe të shteteve nacionale. Por, jo vetëm kjo, edhe p.sh. “identiteti” seksual, që nga secili kërkon orientimin e qartë, homo, hetero apo të ndonjë lloji tjetër, është produkt i asaj kohe.

E thënë në mënyrë të thjeshtuar: kjo trashëgimi e kohës së re bazohet në një botëkuptim të caktuar. Bota është një luftë e përjetshme mes së vjetrës dhe së resë. Megjithatë – kjo është qenia dialektike e këtij mendimi – rëndom ka një fitues, që qëndron përballë humbësit. Në këtë logjikë bota është një konfrontim i vazdhueshëm.

Një imazh i tillë ecën paralelisht me kërkimin e mundimshëm të së vërtetës. Njeriu beson që bota e në të edhe sjellja njerëzore mund të përshkruhet ashtu siç ajo “është” ose “nuk është”. Etika, që bazohet tek kjo e vërtetë, pranon vetëm dallime të qarta: “Të mirët” janë përballë të “të këqijve” dhe bota ndahet në “ne” dhe “të huajt”.

Botëkuptimet dualiste shpesh janë baza e dhunës, që në kontinentin tonë drejtohet ndaj të gjithë atyre, që ne i konsiderojmë si “të huaj”. Për aq kohë sa e vetmja e “vërtetë” është në anën tonë, “të tjerët” mund të jenë vetëm “të këqijtë”, pra në rrethana të caktuara ata madje “mundet” edhe t’i vrasësh.

Në debatin për “identitetet” dhe nevojën për përkufizimin e qartë të tyre duhet të përfshihet edhe trajtimi i çështjes së kësaj trashëgimie. Edhe pse kjo është e dhimbshme dhe mund të zgjasë, kjo është e pashmangshme.

Njëkohësisht ekziston edhe perspektiva familjare. Edhe Maalouf shprehimisht tërheq vëmendjen për këtë. Ai fton që të tërhiqemi, ta shmangim të gjithë këtë tollovi politike e mediale dhe të merremi me hulumtimin personal të identitetit. Rezultati do të jetë befasues.

Unë madje mendoj se secili në kontinentin evropain do të gjejë një far e fis, që ka folur një gjuhë tjetër nga ai vet, ose që ka ardhur nga një rajon tjetër nga ai vet. Edhe përkatësia e religjonit dhe preferenca seksuale janë të ndryshme tek paraardhësit. Mbetet vetëm një pyetje: Sa guxim kam unë që të zbuloj të fshehtat familjare?

Sot, kërkimi i paraardhësve është në kulmin e tij. Faqet e internetit të ndihmojnë të gjesh të afërm të harruar dhe të zbulosh nga e para të kaluarën. Kërkohet nëpër arkiva, pemët gjenealogjike skicohen e publikohen regjistrat familjarë.

Edhe preferencat personale dhe influencat luajnë një rol të rëndësishëm në hulumtimin e identitetit, sipas Maalouf. Përgjatë jetës çdo njeri zhvillon lidhje. Krahas vendit të prejardhjes, gjuhës dhe familjes këto lidhje mund të jenë klubi lokal i futbollit, gjellët, që i ke ngrënë me kënaqësi tek gjyshja dhe shija e tyre, që e kërkon më kot pas vdekjes së saj, partitë apo klikat jozyrtare, peizazhet apo fqinjët.

Eshtë e tepërt të thuash, se të tilla lidhje ndryshojnë me kohë dhe këmbejnë pozicionet mes tyre. bashkë ato krijojnë një topografi personale të identitetit. Kjo topografi nuk shteron kurrë – as nuk mund të bëhet ndonjëherë e plotë dhe as nuk mund të jetë identike për dy njerëz të ndryshëm.

Përvoja e ndryshimit të tyre është në kundërthënie me konceptin e ngurtë të “identitetit” dhe me trashëgiminë përkatëse. Madje mund të thuash, se ky koncept është opresiv kundrejt historisë sonë familjare. Një arsye tjetër kjo për ta vënë në pikëpyetje këtë trashëgimi.

Polonia e sotme është një shembull i mirë për atë, se sa e madhe mund të jetë humnera mes një diskursi identiteti që dominon në opinion dhe rrëfimeve familjare me shumë zëra.

Fjala “refugjat” është e ngarkuar aq shumë (për të mos thënë është keqpërdorur), sa që askush nuk mendon për fatin njerëzor, kur e dëgjon këtë fjalë. Në vend të kësaj menjëherë në kokë aktivizohet sinjali: kërcënim, luftë.

Topografia personale e identitetit me fjalën “refugjat” madje shpesh nuk përdoret më. Por, edhe në Poloni është në modë kërkimi i paraardhësve. Nëse historitë familjare (të arratisë) do të ishin në fokusin e diskursit publik, banorët e Polonisë – jam i bindur për këtë – do të shprehnin me zë të lartë solidaritetin e tyre për refugjatët.

Qendrat politike të pushtetit dhe mediet luajnë një rol qendror. Cili prej dy diskurseve do të vihet në plan të parë prej tyre? Në çdo shoqëri evropiane duhet të bëhet kujdes, që askush të mos përjashtohet prej asaj që krijohet qysh me dhimbjet e lindjes, që unë preferoj ta quaj, bashkësia e EUtopisë së kontinetit tonë. E po ashtu edhe përtej kufijve të këtij kontinenti.