LAJMI I FUNDIT:

Pamjet me dron: Xhamia e Namazgjasë në Tiranë – a është kjo xhamia më e madhe në Ballkan? (Video)

Pamjet me dron: Xhamia e Namazgjasë në Tiranë – a është kjo xhamia më e madhe në Ballkan? (Video)

Ndërkohë që besimtarët myslimanë në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë, ende përballen me vështirësi në kryerjen e lutjeve të tyre, për shkak të numrit të vogël të xhamive dhe hapësirave të pakta të tyre, ndërtimi i një prej faltoreve më të madhe në Ballkan, Xhamisë së Namasgjasë, po vazhdon pandërprerë, raporton Anadolu Agency (AA).

Ndërtimi si karabina i kësaj vepre madhështore e cila do të jetë pritëse për mijëra besimtarë myslimanë, ka përfunduar, ndërsa punimet e tjera vazhdojnë me shpejtësi.


Pas shumë vitesh tentativa, gurthemeli i parë i saj më në fund u hodh më 13 maj të vitit 2015, ku në ceremoni ishte i pranishëm edhe Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, i cili gjatë një fjalimi tha se kjo do të jete dhurata më e vyer e Turqisë për popullin shqiptar.

Duke folur për AA, drejtuesi i punimeve të kësaj xhamie, Hüseyin Şentürk, tregon për avancimin e punimeve duke thënë se ndërtimi karabina i kësaj faltoreje sapo ka përfunduar dhe se kanë nisur nga puna me fazën tjetër të punimeve, atë të punëve të detajuara.

Punimet vazhdojnë sipas parashikimeve

Duke vënë në dukje se ata janë vazhdimisht nën mbikëqyrje të punimeve mbi letër dhe në terren, Şentürk, në vijim shton: “Ndërtimi i xhamisë po vazhdon me shpejtësi ashtu sikurse ishte planifikuar. Shpresojmë që në fund të vitit 2018 të hapim xhaminë për besimtarët. Normalisht jemi duke bërë llogaritë nëse do të mundemi ta mbarojmë pak më parë. Kemi pas shtetin e Turqisë dhe si rrjedhojë nuk kemi patur as edhe një problem financiar apo të ngjashëm me këtë dhe kur gjendja është e tillë nuk mbetet asnjë problem për ndërtimin e saj. Ndërtimi karabina ka përfunduar, ndërsa tenderët për punimet e tjera të hollësishme janë mbyllur. Ndërtimi po vazhdon sipas parashikimeve. Kemi bërë gjithashtu edhe tenderin për veshjen me gurë të xhamisë”.

Ai thotë se të gjitha kompanitë nënkontraktuese janë vendase dhe më pas shton: “Tani jemi duke hyrë në një fazë të re punimesh. Disa punë të veçanta janë mbulesa me plumb e kupolave dhe për ti bërë këto do të sjellim ekipe nga Turqia. Ndërsa dritaret e kësaj xhamie do të prodhohen në punishten e kompanisë tonë Komaş”.

Drejtuesi i punimeve thotë se dy katet e fundit janë drejt përfundimit, kate këto të cilat do të përdoren për parkimin e automjeteve, ndërsa puna në katin 0, kat i cili do të jetë për përdorim të shumëllojshëm, është duke vazhduar.

Ai thotë se i vetmi ndërtim i cili nuk ka nisur është ai i godinës së muzeut për shkak se në të aktualisht ka një problem të vogël me pronësinë, ndërsa vë në dukje se sapo të zgjidhet problemi menjëherë do të fillojnë punimet.

“Vetëm në ambientet e mbyllura të xhamisë mund të falen 5 mijë persona, ndërsa në të gjitha hapësirat në këtë faltore do të mund të falen 10 mijë njerëz”.

Në kompleksin e Xhamisë së Namazgjasë do të ketë hapësira për zyra, bibliotekë dhe sallë konferencash.

Ndërkohë në këtë xhami do të mund të kryejnë ritet e tyre fetare mijëra besimtarë. Pranë xhamisë do të ndërtohet edhe një muze i cili quhet ndryshe edhe si “Muzeu i Bashkëjetesës”.

Tirana e shpallur kryeqytet në vitin 1920, deri në vitin 1967, vit ky në të cilin feja u shpall e ndaluar në Shqipëri nga sistemi komunist, numëronte rreth 40 xhami, ndërsa popullsia e saj ishte afro 100 mijë.

Ndërkohë sot kryeqyteti i Shqipërisë ka më shumë se 1 milionë banorë dhe ka vetëm 18 xhami të vogla, duke përfshirë edhe periferitë, të cilat nuk përmbushin aspak nevojat e besimtarëve myslimanë.

Namazet e xhumave falen në rrugët dhe oborret e xhamive, ndërsa ato të bajrameve falen në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. /AA/