LAJMI I FUNDIT:

Pacolli: Qeverisja e AKR-së dhe LDK-së do të jetë qeverisje e zhvillimit ekonomik

Pacolli: Qeverisja e AKR-së dhe LDK-së do të jetë qeverisje e zhvillimit ekonomik

Presidenti i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli në një tubim në Viti foli për pikat programore të AKR-së dhe plan-programin qeverisës që sipas tij, i cili garanton punësim dhe investime të mëdha.

Ai ka thënë se rritja ekonomike që do ta mundësojë koalicioni qeverisës mes AKR-së dhe LDK-së, që nga viti i dytë i mandatit, do të jetë mbi 8 %.


“Qeverisja e AKR-së dhe LDK se do të jetë qeverisje e zhvillimit ekonomik, ne do t’i mbështesim idetë e rinisë dhe do t’i implementojmë ato. Këtë dinamizëm të rinisë nuk do ta zbehim, por do ta forcojmë”, ka thënë numri një i AKR-së.

Pacolli foli edhe për indiferencën e institucioneve ndaj higjienës së përgjithshme publike dhe keqtrajtimit të natyrës dhe ambientit në Kosovë.

“Lumenjtë dalin nga shtrati, ndoten dhe pastaj rrugës depërtojnë nëpër toka pjellore dhe helmojnë çdo gjë”.

Ai ka thënë se është për tu frikësuar se në çfarë norme është rritur përqindja e njerëzve të infektuar me sëmundje ngjitëse, ndërsa të gjitha këto sipas tij, vijnë si pasojë e moskujdesit për ambientin ku jetojmë.

“Ne bashkë me ju qytetarë, do ta kthejmë Kosovën në binarë dhe do t’ia japim shtytjen e duhur që i duhet për të ecur me hapin e kohës. Ne kemi dëshmuar që mund ti ndryshojmë gjërat dhe këtë do ta bëjmë”, ka thënë ndër të tjera lideri i Aleancës Kosova e Re.

Ai më pas i ka ftuar në skenë kandidatët e Aleancës Kosova e Re për deputetë në Parlamentin e Republikës së Kosovës, për të cilët është zotuar se do të jenë zëri i qytetarëve në Kuvendin e Kosovës dhe se do t’i përfaqësojnë ata me dinjitet. /Telegrafi/