LAJMI I FUNDIT:

“Pa hajna nuk ka shtet”!

-->

Ka njerëz normal, e ka edhe njerëz që punojnë në institucione. Pak a shumë kështu po thotë një nga ministrat e qeverisë më të mirë në botë. Se ne ashtu e kemi: o më të mirën, o hiq! E duke qenë se shqipja nuk është gjuha e tij amtare, ministri edhe mund të keqkuptohet. Por, për bindjen time ai ia ka qëlluar. Ai, natyrisht, i di punët nga brenda. E di se çka flet! Ai punon në institucione.

Kjo nuk është ajo reklama e njohur për kosmodiskun. Se, Qeveria nuk ka dhembje shpine! Së paku jo tani për tani! Por, te kjo dilema e ministrit duhet gjithqysh me u përcaktu! O me institucionet o me popull! O me karriget, o me sheshet! O je normal, o nuk je !

Nga sheshet ushtojnë sloganet se “me hajna nuk ka shtet”. Por, as pa ta, vështirë! Pasi nuk e ndërtuam shtetin para dy shekujsh, kur i ndërtuan të tjerët, tash duhet me ble! Me e ba pazar! Shteti, si për veti! Me porosi! Montimi është falas!

Definitivisht punë e ngatërruar! Populli duhet me mbledhë mend. Duhet me u përcaktu. A është për shtet a për vete? Për shtet duhet të jetë, se popullin e kemi pasë gjithë!

Përndryshe, ne tashmë i kemi institucionet tona! Ato janë kopje e atyre nga vendet më të përparuara të botës. Edhe ligjet janë bërë me copy-paste. Janë krejt normale, pra! Ata jep yrnek, e ne qëndis! Nganjëherë, na i kanë sjellë të gatshme. Montimi i shtetit ishte falas! Pse mos me marrë! Por, pastaj, ne nuk po përputhemi me standarde! Po kërkojmë integritet, suverenitet, dinjitet…! Ato nuk janë të përfshira në pako!

Nganjëherë populli nuk po përshtatet lehtë, ndërkohë që zyrtarët institucional janë përshtatë si është më së miri. Ata përshtaten lehtë! E dëgjojnë tiktakun e… xhepit! Qysh ua do xhepi!

E, politika është interes. Qytetarët dalin në zgjedhje dhe votojnë. Dikush një herë e shumica nga disa herë, sepse edhe interesat i kanë shumëfish më të mëdha! Dikush këmbë e dikush me autobusë e bëjnë turnin e demokracisë nëpër Kosovë! Instalojnë qeveritë lokale, sipas yrnekut qendror!

Kështu qytetarët i zgjedhin përfaqësuesit e vet, të cilët pastaj i këqyrin interesat e veta. Nëse ua do interesi, kalojnë prej partie në parti. Kush jep më shumë! Por, prapë aty diku mbeten! Rrethi është i mbyllur! Në institucione nuk mundesh me hy pa lidhje… gjaku! Ose xhepi! Se, lidhja e gjakut është më e forta! E, ajo e xhepit është shumëdimensionale! Të tjerat janë të korruptueshme.

Por, të kthehemi te institucionet! Te ato qendroret. Te zemra e (pu)shtetit! Për aq sa shteti dhe pushteti kanë zemër! Nëpër sheshe jehojnë altoparlantët të cilat na njoftojnë se filan fëmija ndodhet në komë! Dhe, luten për ndihmë. Ne kemi institucione të shëndetësisë, por nuk kemi buxhet. Buxhet kemi veç për autostrada. Ose për shpenzime të qeverisë! Ndërkohë që kur del në shesh i dëgjon krejt storjet e dhimbshme të këtij vendi. Duke filluar prej qeverie…!

Njerëzit normal kështu komunikojnë me institucionet të cilat nuk janë bërë për ta. Ka njerëz në institucione, e ka edhe njerëz normal! Tingëllon dhembshëm!

E shfletova gazetën dhe po mendoja për të! Për qeverinë! Një gazetë e jona po e përfliste diçka për Ministrinë e Brendshme. Atë ku luftohet krimi, e veçanërisht krimi i organizuar. Qytetarët mendojnë se në MPB krimin e organizuar duhet ta trajtojnë si armik të brendshëm. Për me e luftu fillimisht në radhë të veta, e pastaj varg e vi nëpër institucione. Po, ku dinë qytetarët. Ata janë normal. Kështu po thotë ministri, se me na shti në aparate, tutna, as normal nuk dalim! Por, krejt është çështje standardesh!

në MPB në çaste sinqeriteti po e pranojnë se nuk po arrijnë të zënë vetveten me “pelë për dore”! Nuk po munden me gjet fakte për me E paditë vetveten për korrupsion dhe krim të organizuar. Se, dëshmitarët janë sëmurë, ose s’janë normal! Nuk u besohet atyre. As provave. Cilat prova? Edhe po i gjete mos i sjell te ne, të thonë ata! Po e dini pse?! Se, po na zhduken. Pajtohem ministër! Këta janë… paranormal.

Për shembull, njëri i cili këto ditë e lëshoi me “vetëdëshirë” një institucion të famshëm, të njohur në përmasa ndërkombëtare për metodat e sofistikuara me të cilat pasuria e popullit bëhet e oligarkëve, ishte i lumtur që shpëtoi gjallë! I tutej vetes se mos po bënte vetëvrasje! Me apo pa ndihmën institucionale! “Shyqyr që po vijmë me të pa për dorëheqje e s’kemi ardhë me i pa prindërit e tu, profesor”! Kështu i paskan thënë miqtë të cilët as me mend nuk arrijnë me e marrë përse ai kishte pranuar të merrte atë përgjegjësi. OK, ai kishte doktoraturë nga jashtë, përvojë akademike, biznese familjare, por këto nuk janë asgjë. Pa përvojë në institucionet tona je i mangët! Atë nuk e kishte!

Përvoja në institucionet tona ka vlerë ndërkombëtare. Ne e zbuluam zarfin si instrument politik! Ne i zbuluam SMS-at si mekanizma politik! Ne e zbuluam si mundemi me ja falë vetes kompanitë publike, duke i blerë përmes kompanive të huaja pa aksionarë! Oligarkët e lindjes nuk kishin imagjinatë!

Tanët, po!

Ju kujtohet Kryeministri jonë, magjistari i cili na magjepsi ne, e i cili i magjepsi edhe koreanët jugorë? Ai po i mësonte koreanojugorët se si shpërlahet truri?! Kryesisht për shpëlarjen! Pastaj e mori Honoris Causa!

“Me hajna nuk ka shtet”, po thotë rinia nëpër sheshe! Qeveria nuk po pajtohet me ta!

Ndoshta ata mendojnë se "pa hajna nuk ka shtet"! Në fund të fundit, kështu është normale! Qeveria të mendojë ndryshe nga opozita dhe shoqëria civile. Megjithëse krejt kjo mund të jetë e vërtetë, por edhe spekulim.

Kush e dinë çka mendon Qeveria! Se… Qeveria nuk ka… zëdhënës!