LAJMI I FUNDIT:

Pa drejtën për referendum, nuk je shtet sovran e as demokratik

Në vendet të cilat janë të njohura me zhvillim të lartë të demokracisë, e drejta për referendum konsiderohet si metoda më efikase që populli t’i realizojë qëllimet dhe projektet e tyre – qoftë ato madhore, por edhe ato minore.

Popullit të Kosovës asnjëherë nuk ju dha mundësia që ta shfrytëzojë këtë drejtë demokratike, por ju ndalua kjo e drejtë me Kushtetutë e cila Kushtetutë po ashtu nuk ka rrjedhë nga vullneti i popullit, por krejtësisht e imponuar nga faktori ndërkombëtar.


Që nga paslufta në Kosovë, ndodhën shumë ngjarje , vendime dhe marrëveshje historike, por fatkeqësisht në dëm të shqiptarëve që janë populli shumicë në raport me minoritetet tjera. Populli shumicë u përjashtua nga e drejta për të vendosur rreth fatit të vetë politik.

Kosova u administrua dhe administrohet nga misione ndërkombëtare antidemokratike, siç ka qenë UNMIK-u dhe tash EULEX-i (UNMIK-u ende vazhdon së vepruari në veri).

Këto misione kanë qëndrim neutral ndaj statusit së Kosovës edhe pas shpalljes së pavarësisë më 17 shkurt 2008. Por, fakt është se shpallja si e tillë përmban disa elemente të pavarësisë, por Kosova nuk është e pavarur plotësisht, sovrane hiq dhe pa demokraci.

Ne jetojmë në një diktaturë të hekurt. Këtë diktaturë e ushtron BE përmes qeverisë së Kosovës, me kryeministër Hashim Thaçin tash së fundmi, duke përjashtuar të drejtën e popullit për referendum që të zgjedh problemet madhore.

Ndalimi i kësaj të drejte është veprim shumë i rrezikshëm, sepse popullit shumicë po i mohohet e drejta për të vendosur për fatin e vet. Dhe anasjelltas, po prodhohen politikanë të cilët po krijojnë instrumente që i përdorin në favor personal dhe me fuqinë që fitojnë nga këto favore, gjithçka publike kalon në private. Madje, edhe vet shteti (institucionet) po privatizohen nga njerëz që veprimet e tyre po mbrohen edhe me ligj. Pra, krimi po legalizohet, sepse ligjet po i rregullojnë sipas qejfeve te veta.

Kjo ma kujton një thënie të Max Weberit nga libri i tij, "Politika si profesion", ku thotë: "Ka politikan që jetojnë prej politikës dhe që jetojnë për politikën. Politikanët që jetojnë prej politikës janë njerëzit më rrezikshëm për shtetin, sepse gjithçka japin që t’i ruajnë kolltukët e tyre dhe privilegjet që ua jep pushteti”.

Prandaj, them se pos që duhet me të ndërrohet kjo qeveri e kriminializuar dhe diktatoriale, e cila ka dalë nga zgjedhje të dhunuara e që e përjashton popullin nga çdo proces politik që përcakton të ardhmen e vendit, ne jemi dëshmitarë që ndalimi i referendumit dhe mos praktikimi i tij popullit iu imponua. Decentralizimi në baza etnike, që mund të quhet edhe një kancer brenda Kosovës, e që lë 16 për qind të territorit jashtë juridiksionit të Kushtetutës së Kosovës; eksterritorialitetin që na e tjetërson historinë tonë të lavdishme; privatizimin dhe shitjen e fabrikave pa kritere dhe pa kushte që lënë njerëzit të pa punë; flamurin e kontrabanduar që nuk ka të bëjë asgjë me historinë dhe të kaluarën shqiptare si popull shumicë; himnin pa tekst; fusnotën që nënkupton dobësimin e republikës; planin o Ban Ki Munit… u mirëpriten nga qeveritë servile të pasluftës. Prandaj, është e domosdoshme që popullit t’i kthehet e drejta për referendum, sepse kjo e drejtë do t’ia hapte edhe rrugën për vetëvendosje. Atëherë do të ishim shtet normal dhe me dinjitet!