LAJMI I FUNDIT:

Opozita dhe Krasniqi, nuk ka vendim për privatizimin e PTK-së

Opozita dhe Krasniqi, nuk ka vendim për privatizimin e PTK-së

Procesi i privatizimit të PTK, ka nxitur një debat të ashpër mes partive opozitare dhe ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj. Por në këtë debat është kyçur edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, i cili ka pyetur sikurse opozita ministrin Beqaj se mbi bazën e cilit vendim është privatizuar PTK-ja. Ndërkaq ministri ka thënë përgjigje që ky privatizim është bërë me Ligjin për buxhetin e vitit 2011, që ka nxjerrë Kuvendi i Kosovës. Opozita ka kërkuar sqarime më shumë rreth kapitalit që po investohet në këtë kompani.

Në kohën e deklarimeve jashtë rendit të ditës, deputetja nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Hykmete Bajrami ka thënë se procesi i privatizimit të kësaj kompanie është përcjell me manipulime të shumta.

Ndërsa deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka thënë se brenda dy muajve të ardhshëm Qeveria e Kosovës synon ta nënshkruajë kontratën me konsorciumin Axos Capital Partners dhe Najafi Companies LLC për shumën e ofruar të tyre prej 277 milionë eurosh.

Ai ka thënë se strategjia për privatizimin e Telekomit nuk ka ardhur për miratim përfundimtar në Kuvendin e Kosovës, gjë sipas tij kjo është në kundërshtim me ligjin mbi Ndërmarrjet Publike. Po ashtu, përveçse në Kosovë nuk ka fare ligj për privatizimin, nuk ka as ligj për privatizimin e PTK-së.

Kurti ka thënë se shitja e PTK-së po bëhet kinse për shkak të korrupsionit të lartë, ndërsa sipas tij këtë e ka shkaktuar vet kryeministri Thaçi. “Ministër të kujt janë paratë. 277 milion euro të kujt janë nuk u përgjigje. Listën e gjërave me shkrim edhe të distribucionit të furnizimit të KEK-ut që e keni shit edhe të PTK-së që po doni me shit, përkatësisht 75 % të aksioneve të telekomit, listën e gjërave, saktësisht, jo nuk do të shiten objektet, shiten antenat . Këto nuk janë fjalë të rrugëve por janë fjalë të atyre njerëzve të institucioneve që ma patën sjellë edhe kontratën me betelenka që nuk e keni publikuar kurrë e që thatë nuk ka nënshkrim e që ma solli me nënshkrim e këta njerëz që punojnë në institucione e që po mi sjellin informatat nuk po guxojnë me fol pas të ashtuquajturës vetëvrasje të Dino Hasanajt”, theksoi ai.

Sipas tij, privatizimi i pasurisë së Kosovës është i kombinuar me pazaret siç i ka quajtur ai me kriminelët e luftës së Daçiqit dhe Nikoliqit. “Nënshkrimi i Thaçit në marrëveshjen me Daçiqin në Bruksel është nënshtrim politik. Nënshkrimi i Thaçit a Beqajt në kontratën për shitjen e telekomit është nënshtrim ekonomik. Këto nënshkrime le të mbesin nënshtrime personale të tyre. Sepse, në Kosovë nuk ka vend edhe për këso qeverisje edhe për popull. Njëri duhet të shkojë. Privatizimi i pasurisë së Kosovës i kombinuar me pazaret me kriminelët e luftës Daçiq e Nikoliq është hyrje e sigurt në fashizëm”, ka theksuar Kurti.

Më pas ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj ka folur për procesin e privatizimit.

Por këtu ka ndërhyrë kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, i cili ka thënë se mbi bazën e cilit vendim po privatizohet PTK-ja. “Ministër nuk është viti 2011, është miratimi i buxhetit 2011, neni 4 dhe Ligji i buxhetit të vitit 2011 e ka pas afatin deri më 31 dhjetor 2011. Me 31 dhjetor 2011 këtij ligji i ka skaduar mandati dhe ka ardhur ligj i ri dhe është mirë me sqaruar më mirë opinionin se atij vendimi që ka qenë i vendosur në nenin 4 të atij ligjit për buxhet 2011 i ka skaduar mandati. Dhe nuk di që Kuvendi ka marr vendim tjetër”, ka theksuar Krasniqi.

Ndërsa ministri Beqaj ka thënë se ky parlament ka miratuar Ligjin për buxhet të vitit 2011, ku në nenin 4 ka qenë edhe privatizimi i PTK-së.

Për më shumë hollësi që dëshirojnë deputet, Beqaj ka thënë se mund të procedojnë sërish në Kuvend këtë çështje. “I nderuar kryetar i Parlamentit nuk mund të flas me datë, për shkak se nuk jam për t’u marr me datat e vendimeve të Kuvendit. Është një vendim në Qeverinë paraprake, por në vitin 2011 në Ligjin për buxhet është vendosur neni 4 i cili thirret në Ligjin për ndërmarrjet publike dhe i cili thotë se privatizimi i Trepçës bëhet në bazë në bazë të ligjit për ndërmarrjet publike neni 19 dhe në shtesat që konsiderohet i aprovuar dhe ky Kuvend e ka aprovuar. Dhe në qoftë se ka dikush ndonjë dilemë qoftë kryetari apo deputeti që ka dilemë urdhëroni procedoni jeni deputet dhe keni të drejt në çdo kohë të sjellni edhe njëherë debatin për procesin e privatizimit dhe ligjshmërinë”, ka deklaruar Beqaj.

Më pas kryetari i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri ka replikuar me ministrin duke i thënë se asnjëherë parlamenti nuk ka nxjerrë një vendim për privatizimin e kësaj kompanie. “Si duket ky ministër nuk i dinë rregullat dhe ky nuk mund të na tregoj se çka mund të debatojmë dhe çka jo. Edhe votat që po i përmend e dimë qysh janë marr dhe e dimë çka ka ndodh në zgjedhjet e fundit. E para në 2010 zotëri ministër është refuzuar privatizimi, për shkak të kësaj në mënyrë klandestine e keni futur në buxhetin të Kosovës nenin 4 dhe realisht e keni kontrabanduar një proces të tillë, që po ashtu i ka dal afati. Mos spekuloni dhe të dinë qytetarët që po folni gjëra të pavërteta. Asnjëherë ky Kuvend nuk ka marr vendim për privatizim të PTK-së”, është shprehur Beqiri.

Por kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci ka dal në mbrojtje të ministrit Beqaj. Madje ai ka shtuar se disa parti po dëshirojnë stagnimin e zhvillimit të Kosovës. “Është një e vërtet e pamohueshme se foltorja e parlamentit është shndërruar në prokurori apo gjykatore dhe mbi bazën e shpifje dhe keqpërdorimit për interesa të caktuara të individëve të caktuar dhe krejt ky qëllim për të penguar zhvillimin e vendit apo ecjen e vendit përpara. Ju lutem unë me sa e kuptova ministrin, por edhe shumë debate se ka bërë shumë të qartë se çka janë shit. Në PTK nuk janë shit asetet, por biznesi i operimit”, ka theksuar Grabovci.

E shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ardian Gjini ka kërkuar nga ministri që të përgjigjet rreth akuzave që po ngritën nga deputetët. “Sidoqoftë nuk është ky nen në buxhetin e vitit 2013, por prapë nëse provojmë mos me kontestuar legalitetin. Një pyetje po shtrohet këtu dhe tepër e qartë dhe ministri nuk mundet me i mbyll sytë një pyetje tepër konkrete dhe përgjigjja është krejt diçka tjetër. Mendoj Kosova ka jetuar me këtë ngjarje nëse bëhet akuzë publike se ka shpëlarje parash dhe ministrat dhe qeveria thotë është krejt konform ligjit. Mendoj se përgjigja duhet me qenë krejt tjetër ose për me mbyll debatin ministri duhet me thënë do të verifikojmë”, është shprehur Gjini. /Kosovapress/Telegrafi/